U mbajt takim informues me studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike organizoi takim orientues me studentët e vitit të parë, me qëllim të ofrimit të mbështetjes dhe informacioneve të nevojshme për një fillim sa më të suksesshëm të rrugëtimit të tyre akademik.
Gjatë takimit, Dekanja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike znj. Aferdita Ibrahimi, njoftoi studentët me organizimin e studimeve në Fakultet, mënyrën e zhvillimit të ligjëratave dhe ushtrimeve, obligimet akademike, vijueshmërinë, paraqitjen e provimeve dhe çështje të tjera që lidhen me ecurinë e studimeve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua komunikimit institucional dhe përdorimit të platformave universitare, përfshirë emailin institucional, sistemin për menaxhimin e studentëve dhe platformat për qasje në materialet mësimore dhe njoftimet akademike.


Studentët u informuan gjithashtu për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm gjatë semestrit, realizimit të detyrave dhe projekteve, respektimit të afateve dhe zhvillimit të aftësive praktike në fushën e shkencave kompjuterike.
Studentët u njoftuan edhe me mundësitë që Fakulteti ofron gjatë studimeve, si përfshirja në projekte, trajnime, gara, aktivitete profesionale, bashkëpunim me industrinë, mobilitet akademik dhe iniciativa të tjera që kontribuojnë në zhvillimin e tyre profesional.

Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e komunikimit të hapur ndërmjet studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe gatishmëria e Fakultetit për t’i mbështetur studentët në çështjet dhe sfidat që mund të paraqiten gjatë studimeve.
Takimi u përmbyll me pyetje dhe diskutim të hapur me studentët, të cilët patën mundësi të adresojnë çështje me interes dhe të marrin sqarime lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e studimeve.
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike mbetet i përkushtuar që, krahas ofrimit të një arsimi cilësor, të krijojë një mjedis mbështetës, bashkëpunues dhe motivues për studentët që nga ditët e para të studimeve.
Për informata më të detajuara, studentët ftohen të vizitojnë faqen zyrtare të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, ku mund të gjejnë informata të rëndësishme lidhur me:
* Fakultetin dhe menaxhmentin;
* Stafin akademik dhe administrativ;
* Programet studimore;
* Orarin e ligjëratave dhe grupet e ligjëratave;
* Orarin e konsultimeve dhe provimeve;
* Lajmet dhe njoftimet e fakultetit;
* Projektet dhe aktivitetet e fakultetit.
Për të gjitha informatat e mësipërme, ju lutemi vizitoni faqen zyrtare të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike:
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike – UKZ
