Alisa Bekteshi – kur poezia bëhet ngjyrë…
Alisa Bekteshi është një poete e re nga Gjilani, e cila me vargjet e saj po ndërton dalëngadalë një zë të veçantë në botën e krijimtarisë.
Me origjinë familjare nga Zarbica-Malësia e Bujanocit, Alisa ka lindur, është rritur dhe është edukuar në Gjilan, qytet me të cilin lidhet jeta, formimi dhe pjesa më e madhe e rrugëtimit të saj krijues.

Në vargjet e saj gjejmë ndjeshmëri, përjetime personale, emocione të sinqerta dhe një përpjekje për ta shprehur botën e brendshme përmes fjalës.

Por, duket se për Alisën fjala nuk mjafton gjithmonë. Së fundmi, ajo ka guxuar ta nxjerrë poezinë nga letra dhe ta vendosë në një hapësirë tjetër — në telajo, mes ngjyrave dhe formave. Për herë të parë ka provuar të pikturojë, duke e shndërruar një pjesë të vargjeve dhe emocioneve të saj në një vepër pamore.
Në këtë vepër bashkohen dy gjuhë të artit — fjala dhe ngjyra. Poezia, e cila deri dje jetonte në faqe dhe në vargje, tashmë merr formë, hapësirë dhe ngjyrë.
Sonte, në Galerinë e Arteve në Gjilan, krijimtaria e Alisës mori një tjetër dimension. Poezia e saj nuk u lexua vetëm përmes fjalëve. Ajo u përjetua përmes ngjyrave.
Këtë herë, poezia e Alisës nuk u lexua. U pikturua! Nga fjala në ngjyrë — drejt një kapitulli të ri, plot emocion dhe art…(Brimi i tekstit: Trevat e Hashanise…)
