UKZ mirëpriti studentët në fillimin e Vitit të Ri Akademik 2026/2027
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan hapi sot zyrtarisht Vitin e Ri Akademik 2026/2027, me një ceremoni solemne të mirëseardhjes, në të cilën u pritën studentët duke ju dëshiruar një vit të suksesshëm akademik.
Ceremonia nisi me intonimin e Himnit të Republikës së Kosovës dhe Himnit Kombëtar, ndërsa në të morën pjesë Rektorja, prorektorët, dekanët, stafi akademik e administrativ dhe studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Në fjalën e saj përshëndetëse, u.d. Rektorja e UKZ-së, znj. Fitore Malaj, uroi studentët për fillimin e vitit të ri akademik, duke theksuar se universiteti do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e kushteve për mësim, forcimin e programeve akademike, krijimin e mundësive të reja për studentët dhe zgjerimin e bashkëpunimit me universitete dhe institucione të tjera.

“Çdo hap që do të ndërmarrim do ta kemi në qendër cilësinë e arsimit dhe interesin e studentëve”, theksoi Rektorja Malaj, duke nënvizuar rëndësinë e transparencës, integritetit akademik dhe vlerësimit të punës dhe rezultateve.
Ajo u ndal edhe te misioni dhe emri që mban Universiteti Publik “Kadri Zeka”, duke theksuar se mbajtja e emrit të heroit Kadri Zeka nënkupton përgjegjësi për ta dëshmuar përditë përkushtimin ndaj dijes, integritetit dhe shërbimit ndaj shoqërisë.

Në vazhdim të ceremonisë, studentët u përshëndetën nga drejtuesit e fakulteteve, të cilët përcollën mesazhe mirëseardhjeje dhe urime për një vit të suksesshëm akademik.
Dekanja e Fakultetit të Edukimit, znj. Nevrie Ismaili, uroi studentët e rinj për fillimin e rrugëtimit akademik, duke vënë theksin te rëndësia e përkushtimit, dijes dhe përgatitjes profesionale për një të ardhme të suksesshme.

Dekanja e Fakultetit Juridik, znj. Fatmire Krasniqi, u përcolli studentëve mesazhin se studimet universitare janë një mundësi për të ndërtuar jo vetëm njohuri profesionale, por edhe përgjegjësi dhe integritet qytetar.

Dekanja e Fakultetit Juridik, znj. Fatmire Krasniqi, u përcolli studentëve mesazhin se studimet universitare janë një mundësi për të ndërtuar jo vetëm njohuri profesionale, por edhe përgjegjësi dhe integritet qytetar.

Dekanja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, znj. Afërdita Ibrahimi, theksoi rëndësinë e teknologjisë, inovacionit dhe përgatitjes së vazhdueshme profesionale, duke i inkurajuar studentët të jenë aktivë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron universiteti.

Ndërsa Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, z. Selim Daku, uroi studentët e rinj dhe i inkurajoi që gjatë viteve të studimit të jenë të përkushtuar ndaj dijes, kërkimit dhe zhvillimit të tyre personal e profesional.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Aplikative, z. Xhevdet Thaqi, uroi studentët për fillimin e një kapitulli të ri akademik, duke vënë në pah rëndësinë e lidhjes së dijes teorike me praktikën dhe përgatitjes për sfidat profesionale.

Një mesazh të veçantë në këtë ceremoni përcolli edhe përfaqësuesja e studentëve, Qëndresa Dauti, e cila në emër të studentëve u uroi mirëseardhje studentëve të rinj.
Ajo theksoi se universiteti nuk është vetëm vendi ku fitohen njohuri profesionale, por edhe hapësirë ku krijohen miqësi, përballohen sfida dhe ndërtohet personaliteti. “Sot nuk po filloni vetëm studimet. Sot po filloni të ndërtoni të ardhmen tuaj”, ishte mesazhi i saj për studentët e rinj, të cilët i inkurajoi të ecin përpara me guxim, dije, respekt dhe besim në vetvete.



