Haliti priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, me të cilin diskutoi për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e bizneseve dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Odës Ekonomike të Kosovës.
Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitave që kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, po realizon nëpër komunat e Kosovës, me qëllim të njohjes nga afër me nevojat dhe sfidat e komunitetit të biznesit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet lokale.

Kryetari Haliti e njoftoi kryetarin Rafuna për aktivitetet dhe angazhimet e Komunës së Vitisë në mbështetje të zhvillimit ekonomik, investimet e realizuara dhe potencialet që ka komuna në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në bujqësi, përpunim, prodhim dhe sektorin privat.

Gjatë takimit, kryetari Haliti veçoi edhe Zonën Ekonomike të Vitisë, duke theksuar se, krahas përpjekjeve të vazhdueshme të Komunës për funksionalizimin e saj, ajo ka nevojë edhe për mbështetje të mëtejshme institucionale dhe investime, në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali i saj për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se OEK-u, brenda mundësive dhe kompetencave të saj, po angazhohet për të mbështetur bizneset dhe për të adresuar nevojat e tyre. Ai përmendi edhe disa nga aktivitetet e fundit të Odës, përfshirë çështjen e barkodeve të lëshuara për bizneset, si dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për fillimin e një studimi ekonomik dhe strategjik, përmes të cilit synohet identifikimi i sektorëve me të cilët Kosova do të mund të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare.

Në takim, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të bizneseve të Komunës së Vitisë, u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale, Odës Ekonomike dhe komunitetit të biznesit, me qëllim të krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik, punësim dhe tërheqje të investimeve.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin në forcimin e bashkëpunimit me Komunën e Vitisë, kryetari Sokol Haliti e nderoi kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, me mirënjohje.
