Nis me një orë vonesë seanca ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e shqiptarëve
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar me një orë vonesë seanca në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Dy herë radhazi ka dështuar që të mbahet shqyrtimi fillestar lidhur me këtë rast, për shkak të mungesës së avokatëve dhe mospajisja së tyre me shkresa të lëndës.
21 të akuzuarit nga Prokuroria Speciale po akuzohen se gjatë muajve janar-qershor të vitit 1999 gjatë konfliktit të armatosur dhe luftës në Kosovë kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre.

Sipas aktakuzës, 21 të akuzuarit kanë qenë në dijeni dhe kanë pasur informacione që kanë pasur në dispozicion, raporteve operative, komunikimeve të brendshme, dhe prezencës nëpër zona kanë qenë në njohuri të mjaftueshme për të ditur se në forcat nën komandën ose kontrollin e tyre po kryheshin veprime që përfshinë shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, përfshirë sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare me qëllim të zhvendosjes me dhunë, shkruan EO-ja.
Sipas aktakuzës, këto veprime të të akuzuarve në fund rezultuan me organizmin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë me qëllim dëbimin nga Kosova drejt kufijve shtetërorë në drejtim të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë, që në përgjithësi ishin rreth 862.979 civilë të dëbuar.
Sipas aktakuzës të pandehurit nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme që ishin në kompetencë dhe përgjegjësinë e tyre për të parandaluar kryerjen e këtyre veprimeve, për t’i penguar autorët ose për të raportuar aktet e kundërligjshme tek autoritetet përkatëse.
Sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur akuzohen se kanë kryer veprën penale – “Krime lufte kundër popullatës civile”.
