Bayern Munich “rrëmben” super talentin kosovar, Lisian Thaçi firmos me gjigantin bavarez
Një nga talentët më të mëdhenj që ka prodhuar futbolli kosovar në vitet e fundit është gati të shkruajë histori.
Prishtinë – Mësohet ekskluzivisht se Lisian Thaçi do ta vazhdojë karrierën te FC Bayern Munich, ku do t’i bashkohet zyrtarisht FC Bayern Global Academy – programi elitar i klubit bavarez për zhvillimin e futbollistëve me potencial të jashtëzakonshëm.
Marrëveshja është finalizuar nga Spark Soccer Agency, përmes FIFA agjentëve Lulzim Murtezaj dhe Adonis Arifi, të cilët kanë udhëhequr procesin që dërgon talentin kosovar në një nga klubet më të mëdha në botë.

Moment historik për futbollin e Kosovës
Ky është një moment historik për futbollin e Kosovës, pasi për herë të parë një futbollist nga vendi ynë bëhet pjesë e një programi afatgjatë zhvillimor të një prej klubeve më të mëdha në botë.
Rrugëtimi i futbollistit pejan drejt Munichut nisi vitin e kaluar, kur ai u përzgjodh në projektin prestigjioz Bayern World Squad 2025, ku la përshtypje të jashtëzakonshme me paraqitjet dhe mentalitetin e tij.
Pikërisht aty drejtuesit dhe skautët e Bayernit panë potencialin e madh të mesfushorit kosovar dhe vendosën ta mbajnë nën vëzhgim të vazhdueshëm.
