Mbi 10 mijë viktima nga temperaturat ekstreme në Evropë, të moshuarit më të prekur
Vala e të nxehtit që përfshiu pjesë të Evropës Perëndimore gjatë fundit të muajit qershor ka shkaktuar më shumë se 10 mijë vdekje, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, monitoruesi evropian i vdekshmërisë.
Sipas këtij raporti, të mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pjesa më e madhe e viktimave ishin persona mbi moshën 65-vjeçare. Mbi 9 mijë nga rastet e regjistruara i përkisnin kësaj grupmoshe.
Temperaturat rekord të shënuara në disa vende evropiane kanë sjellë pasoja të rënda shëndetësore, ndërsa vlerësimet paraprake në vende si Belgjika, Britania e Madhe, Franca dhe Spanja tregojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të vdekjeve gjatë periudhës së nxehtësisë ekstreme.

Shkencëtarët e grupit ndërkombëtar World Weather Attribution kanë vlerësuar se valët e nxehtësisë të muajit qershor do të kishin qenë “pothuajse të pamundura” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Ekspertët vazhdojnë të paralajmërojnë se temperaturat ekstreme paraqesin rrezik të veçantë për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe grupet më të ndjeshme të popullsisë.
Burimi: Reuters / EuroMOMO.
