Shkruan, Fatmir Shurdhani: Peticion për anulimin e vendimit skandaloz të Kuvendit Komunal të Gjilanit – “Fshati i Lumtur” t’u kthehet personave me aftësi të kufizuara
Drejtori Ekzekutiv i HANDIKOS-it në Gjilan, Fatmir Shurdhani, ka reaguar publikisht ndaj vendimit të Kuvendit Komunal të Gjilanit për ndryshimin e destinimit të projektit “Fshati i Lumtur”.
Sipas tij, ky vendim cenon interesat e personave me aftësi të kufizuara, për të cilët projekti ishte konceptuar fillimisht, ndërsa ka bërë të ditur se tashmë ka nisur një peticion qytetar për kërkimin e anulimit të këtij vendimi.
Shurdhani thekson se peticioni do t’i dorëzohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duke kërkuar shqyrtimin dhe anulimin e vendimit të miratuar më 26 qershor 2026 nga Kuvendi Komunal i Gjilanit. Më poshtë, TV Gjilani e publikon të plotë opinionin e autorit.


Opinioni i Fatmir Shurdhanit:
“Dje kemi nisur një peticion së bashku me personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët e Komunës së Gjilanit, i cili, pas përfundimit, do t’i dorëzohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), me kërkesën për anulimin e vendimit skandaloz dhe të dëmshëm të Kuvendit Komunal të Gjilanit, të datës 26 qershor 2026.
Vendimi për tjetërsimin e destinimit të projektit ‘Fshati i Lumtur’, duke ia dhënë në shfrytëzim Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit për krijimin e një qendre rajonale të KBI-së, është një vendim skandaloz. Ky vendim është iniciuar nga kryetari Alban Hyseni pa u respektuar as kriteret më elementare procedurale, pa debat publik dhe pa asnjë konsultim me organizatat joqeveritare apo me grupet që preken drejtpërdrejt nga ky vendim.
Për ne, si përfaqësues të personave me aftësi të kufizuara, tjetërsimi i këtij projekti është plotësisht i papranueshëm. Ky projekt ishte menduar dhe planifikuar për një kategori qytetarësh që kanë nevojë të vazhdueshme për mbështetje, kujdes dhe përfshirje sociale. Ndryshimi i destinimit të tij përbën një padrejtësi të madhe ndaj tyre.
Po aq e dhimbshme është edhe qasja e drejtuesve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan. Ata në vazhdimësi proklamojnë solidaritetin, humanizmin dhe përkrahjen ndaj shtresave në nevojë, ndërsa, në anën tjetër, kanë pranuar pa hezitim tjetërsimin e një projekti që u dedikohet personave me aftësi të kufizuara. Bëhet fjalë për rreth tre hektarë tokë dhe nëntë objekte përcjellëse, të planifikuara për nevojat e kësaj kategorie të qytetarëve.
Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Gjilanit që ta mbështesin këtë peticion, i cili ka filluar më 8 korrik 2026, duke e nënshkruar atë. Vetëm me përkrahjen e qytetarëve mund të kërkojmë që ky vendim të anulohet dhe projekti ‘Fshati i Lumtur’ t’u kthehet personave me aftësi të kufizuara, për të cilët edhe ishte planifikuar fillimisht.”
