Almir Ajzeraj transferohet te Dinamo City
Sulmuesi kosovar Almir Ajzeraj është zyrtarisht futbollisti më i ri i Dinamo City, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Lajmin e ka bërë të ditur fillimisht vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar:
“Një kapitull i ri. I lumtur që jam pjesë e Dinamo City”.
Ndërkohë, klubi shqiptar ka konfirmuar transferimin me një njoftim zyrtar, duke i uruar mirëseardhje lojtarit.
Sipas Dinamo City, Ajzeraj, 28 vjeç, i bashkohet skuadrës si një futbollist me cilësi dhe përvojë, pasi sezonin e kaluar ishte pjesë e Dritës, me të cilën u aktivizua edhe në fazën e grupeve të UEFA Conference League.
Ai mund të luajë në të dy krahët e sulmit, si dhe në rolin e mesfushorit ofensiv (numri 10). Futbollisti tashmë ka firmosur kontratën me klubin dhe i është bashkuar ekipit në Ohër, ku Dinamo City po zhvillon fazën përgatitore për sezonin e ri.
Klubi thekson se presidenti Adrian Bardhi është i angazhuar për të përmbushur kërkesat e trajnerit Ilir Daja gjatë merkatos së verës, me synimin për ta ndërtuar një skuadër sa më konkurruese në garat evropiane dhe kampionatin e ardhshëm.
Dinamo City ka lënë të kuptohet se, pas afrimit të Almir Ajzerajt, priten edhe përforcime të tjera në ditët në vijim.
