Policia në Gjilan zhvillon aktivitet vetëdijesues për sigurinë në trafik me nxënësit
Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Sektoriale dhe e Komunitetit e Stacionit Policor në Gjilan, ka organizuar një ligjëratë me temën “Siguria në Komunikacion” me nxënësit e klasave I–V të shkollave fillore Shkolla Fillore “Bajram Curri” dhe Shkolla Fillore “Agim Ramadani”.
Gjatë aktivitetit, nxënësit janë njoftuar me rregullat bazë të trafikut, rëndësinë e respektimit të tyre dhe sjelljet e sigurta në rrugë.
Përveç pjesës teorike të mbajtur në klasë, zyrtarët policorë kanë realizuar edhe ushtrime praktike me nxënësit, ku ata kanë mësuar mënyrën e sigurt të kalimit të rrugës, respektimin e shenjave të komunikacionit dhe rregullat themelore për këmbësorët në trafik.
Sipas organizatorëve, aktiviteti është zhvilluar me qëllim të rritjes së vetëdijesimit tek nxënësit për sigurinë në komunikacion dhe rëndësinë e kujdesit në trafik, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore.
