Në Viti u përkujtua dëshmori Safet Rexhepi dhe u shënua dita e shkollës që mban emrin e tij
Në komunën e Vitisë janë zhvilluar aktivitete përkujtimore në nderim të dëshmorit të kombit, Safet Rexhepi, në 27-vjetorin e rënies së tij, si dhe për shënimin e ditës së shkollës që mban emrin e tij.
Homazhe janë bërë fillimisht në varrezat e dëshmorëve në Viti, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, organizata të dala nga lufta, subjekte politike dhe qytetarë. Më pas, aktivitetet kanë vazhduar pranë shtatores së dëshmorit Safet Rexhepi, pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ku janë vendosur kurora lulesh dhe është nderuar sakrifica e tij për lirinë e vendit.

Programi përkujtimor është zhvendosur edhe në shkollën fillore “Safet Rexhepi”, ku është shënuar dita e shkollës në një solemnitet të veçantë, me pjesëmarrjen e ish-komandantëve të UÇK-së, përfaqësuesve institucionalë dhe komunitetit arsimor.

Në këtë ngjarje, zëvendëskryetari i komunës, Hasan Aliu, ka vlerësuar jetën dhe veprën e dëshmorit, duke theksuar se shkollat që mbajnë emrat e dëshmorëve përfaqësojnë njëkohësisht dhimbje dhe krenari kombëtare. Ai ka bërë thirrje për përkushtim në arsim, duke theksuar rëndësinë e edukimit të gjeneratave të reja drejt standardeve më të larta.


Fjalë rasti kanë mbajtur edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Ahmet Isufi dhe Fadil Hadërgjonaj, të cilët kanë folur për kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve për lirinë e Kosovës. Ndërsa drejtori i shkollës, Florim Brahimi, ka prezantuar historikun e institucionit dhe rezultatet e arritura ndër vite.
Në përmbyllje të aktivitetit, nxënësit e shkollës kanë realizuar një program artistik me recitale, këngë dhe interpretime kushtuar dëshmorëve të lirisë.
