Kamenicë: Policia godet kontrabandën me Serbinë, kapen 155 kg duhan në Novosellë
Policia e Kosovës ka goditur sërish kontrabandën në zonën kufitare me Serbinë.
Më 28 prill 2026, në kuadër të planit operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, njësitet e Policisë Kufitare zhvilluan një operacion të shpejtë në fshatin Novosellë të Kamenicës, pas informatave operative dhe në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve të Stacionit Policor në Kamenicë.

Gjatë aksionit, policia lokalizoi dhe ndaloi një rast të kontrabandimit të mallrave që po hynin ilegalisht nga Serbia në Kosovë.
U ndalua një veturë VW Golf 5, ngjyrë e zezë, me targa VR, e drejtuar nga personi me inicialet B.R., 59-vjeçar, shtetas i Serbisë me vendbanim atje. Ai dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në Kosovë për të transportuar mallra kontrabandë.

Në kontrollin e automjetit u sekuestrua një sasi e konsiderueshme duhani:
- 310 pako duhan nga 500 gramë, me peshë totale rreth 155 kilogramë
- 41 paketime të zbrazëta, të gatshme për tregtim ilegal
Dyshohet se duhani ishte i destinuar për tregun ilegal, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe përfitim të kundërligjshëm financiar.

Të gjitha veprimet janë zhvilluar në koordinim me prokurorin kompetent. Rasti po hetohet nga Njësia për Hetimin e Krimeve – NJHR Jugu, e Policisë Kufitare.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, krimit ndërkufitar dhe çdo aktiviteti ilegal që cenon sigurinë dhe rendin juridik të vendit.
