KAMENICË: AKSION PËR VJELJEN E MOLLËVE ME NXËNËSIT E SHKOLLAVE ME MËSIM TËRËDITOR
Kamenicë, Tetor 2026 – Me organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, është zhvilluar një aksion i vjeljes së mollëve në plantacionin e Naim Huruglicës.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënësit dhe stafi i SHMLM “Sejdi Kryeziu” dhe IAAP “Andrea Durrsaku”. Aksionit iu bashkua edhe drejtori i DKA-së, z. Selami Klaiqi, i cili së bashku me stafin e tij kontribuoi në realizimin e kësaj nisme në shërbim të nxënësve.

Mollët e vjelura do të grumbullohen në Kuzhinën Qendrore dhe më pas do të shpërndahen në shkollat që ofrojnë mësim tërëditor.


Qëllimi i kësaj nisme është sigurimi i frutave të freskëta për nxënësit, duke ndikuar direkt në përmirësimin e ushqyerjes dhe mirëqenies së tyre.
Ky aktivitet dëshmon përkushtimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për mbështetjen e nxënësve dhe institucioneve arsimore, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit me komunitetin në funksion të krijimit të një mjedisi më të mirë dhe më të shëndetshëm për fëmijët.
