Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit u mbajt Konferenca e tetë e Morbiditetit dhe Mortalitetit.
Konferenca u organizua nga Komiteti për Cilësi dhe Siguri të Shërbimeve Shëndetësore nga Dr. Ramadan Halimi, i cili edhe bëri hapjen e konferencës duke prezantuar rëndësinë e saj dhe objektivat kryesore.
Në këtë konferencë u prezantuan temat nga reparti i kirurgjisë Dr.Alban Bislimaj, Dr.Valon Beqiri dhe reparti i ortopedisë Dr.Gentian Elezi, Dr.Redon Jashari.
Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana dhe Drejtori Klinik Dr.Nezir Demolli kanë përgëzuar komitetin për sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve për organizimin e konferencës dhe aktiviteteve të ndryshme që rrjedhin nga ky komision.

Dr.Afrim Cana theksoi se angazhimi i tij do të jetë maksimal për të përkrahur këtë konferencë dhe organizime të ngjashme, me qëllim të identifikimit të praktikave që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke shprehur gatishmërinë për përkrahje të vazhdueshme.
Dr. Nezir Demolli ishte pjesë e panelit të diskutimeve, ku theksoi se qasja ndaj pacientëve duhet të jetë gjithmonë profesionale, humane dhe e përqendruar në nevojat e tyre. Ai nënvizoi rëndësinë e komunikimit të mirëfilltë ndërmjet profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve, si një element thelbësor për ndërtimin e besimit dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Morbiditeti dhe mortaliteti janë tregues të rëndësishëm në vlerësimin e gjendjes shëndetësore dhe të cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Morbiditeti i referohet shpeshtësisë së sëmundjeve, komplikimeve apo gjendjeve shëndetësore, ndërsa mortaliteti tregon shkallën e vdekshmërisë së shkaktuar nga sëmundje të ndryshme ose faktorë të tjerë shëndetësorë.
