U mbajt vizita pas-akredituese në UKZ për programin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u zhvillua vizita zyrtare në kuadër të procedurës së pas-akreditimit për programin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane të Fakultetit të Shekncave Sociale, e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Vizita u realizua nga ekipi i ekspertëve i udhëhequr nga Prof. Anna Bara, në bashkëpunim me përfaqësuesit e AKA-së, Milot Hasangjekaj, Udhëheqës i Divizionit për Procedurat Pas-Akreditimit, si dhe Endrit Hasani zyrtar i lartë për Procedurat Pas-Akreditimit.

Gjatë kësaj vizite, ekspertët zhvilluan takime të ndara me menaxhmentin e fakultetit, bartësit e programeve, stafin akademik, zyrtarët e sigurimit të cilësisë, administratën dhe studentët.
Në fokus të diskutimeve ishin çështje që lidhen me zhvillimin strategjik të institucionit, misionin dhe vizionin akademik, përforcimin e kapaciteteve, financimin, ndërkombëtarizimin, përmbajtjen e kurrikulave, rezultatet e të nxënit, si dhe funksionimin e proceseve të sigurimit të cilësisë dhe përfshirjen e studentëve.

Po ashtu, gjatë këtij organizimi, u realizua edhe vizitë në hapësirat dhe infrastrukturën universitare, me qëllim vlerësimin e kushteve që ofrohen për zhvillimin e procesit mësimor dhe akademik.
Në përmbyllje të vizitës, Dekani i fakultetit, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, falënderoi ekipin e ekspertëve dhe përfaqësuesit e Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vizitën dhe vlerësimin profesional.
Ai theksoi se rekomandimet e dhëna do të shërbejnë si udhërrëfyes i rëndësishëm për avancimin e mëtejmë të programeve studimore, rritjen e cilësisë akademike dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në shërbim të studentëve dhe zhvillimit të universitetit.
