UKZ dhe Komuna e Gjilanit diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit institucional
Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, znj. Fitore Malaj, priti në takim Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, së bashku me ekipin e tij. Në takim morën pjesë edhe prorektorët dhe Sekretari i Përgjithshëm i UKZ-së.
Kryetari Alban Hyseni e uroi Rektoren Fitore Malaj për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë e Komunës së Gjilanit për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Universitetin Publik “Kadri Zeka”.

Një ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ndërtimi i kampusit të ri të UKZ-së, përfshirë identifikimin e lokacionit, planifikimin e projektit dhe mundësitë e financimit.

Rektorja Fitore Malaj theksoi se ndërtimi i kampusit të ri është një nevojë e domosdoshme për Universitetin dhe se kjo është koha e duhur për të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Ajo vlerësoi se objekti aktual i Universitetit, i cili fillimisht ka shërbyer si Shkollë Normale e më pas si Shkollë e Lartë Pedagogjike, e tani Universitet, përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së arsimit në Gjilan dhe duhet të ruhet e restaurohet. Megjithatë, sipas saj, nevojitet ndërtimi i një objekti shtesë, i cili do t’i përgjigjej kërkesave dhe nevojave aktuale të Universitetit.

Në takim u diskutua që, krahas përcaktimit të lokacionit, të fillojë edhe planifikimi konkret për ndërtimin e objektit të ri, duke përfshirë shqyrtimin e modeleve të mundshme të financimit.
Bashkëpunimi ndërmjet UKZ-së dhe Komunës së Gjilanit u diskutua edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët, si shkëmbimi i studentëve dhe stafit, hulumtimi shkencor, praktika pedagogjike dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve.
Në këtë kuadër, u theksua mundësia që ekspertiza akademike e profesorëve të UKZ-së të vihet në funksion të nevojave konkrete të Komunës së Gjilanit, përmes hulumtimeve dhe projekteve që adresojnë çështje dhe nevoja reale të komunitetit.

Po ashtu, u diskutua mundësia e angazhimit të studentëve në projekte konkrete dhe krijimit të mundësive për praktikë të paguar, si një mënyrë për t’i lidhur më ngushtë studimet universitare me tregun e punës dhe nevojat e institucioneve.
Në takim u trajtua edhe strategjia e re e arsimit, me theks të veçantë në forcimin e edukimit profesional krahas atij akademik, si dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme përmes ekspertizës së stafit akademik të UKZ-së.
Të dyja palët u pajtuan për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe realizimit të nismave konkrete në funksion të zhvillimit të arsimit, avancimit të Universitetit dhe fuqizimit të lidhjes ndërmjet universitetit, komunës dhe komunitetit.
