Ferizaj: Ndalohet një person pas vdekjes së një punëtori në vendin e punës
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person i dyshuar me inicialet N.E., lidhur me një rast të rëndë në vendin e punës.
Sipas prokurorisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj, ku një person ka rënë nga një objekt në ndërtim dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, pas konstatimit nga ekipet emergjente.
I dyshuari po hetohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Me urdhër të prokurorit, Policia dhe Inspektorati i Punës janë udhëzuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
