Ligji i ri për legalizim në Serbi: Pajaziti u bën thirrje qytetarëve të Luginës të aplikojnë deri më 9 shkurt
Qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që posedojnë shtëpi, apartamente apo objekte të paregjistruara në kadastër, kanë ende disa ditë kohë për të përfituar nga ligji i ri i vitit 2025, i cili mundëson legalizimin dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme me procedura të thjeshtuara dhe kosto të përballueshme.
Në këtë drejtim, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka bërë thirrje publike që qytetarët të shfrytëzojnë afatin e fundit për aplikim, duke njoftuar se afati është zgjatur deri më 9 shkurt 2026, në mesnatë, për shkak të interesimit të madh.
“Njoftojmë qytetarët e komunës së Bujanocit se, për shkak të interesimit të shtuar për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e objekteve sipas ligjit të ri për evidentimin dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme, afati për aplikim është zgjatur deri më 9 shkurt 2026, në mesnatë”, ka shkruar Pajaziti.

Ai ka bërë të ditur se, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të lehtësuar procesin e aplikimit, Administrata Komunale e Bujanocit do të punojë me orar të zgjatur, përkatësisht shërbimet e Drejtorisë për Urbanizëm, punë pronësore-juridike, shërbime komunale-banesore, veprimtari ndërtimore dhe mbrojtje të mjedisit jetësor.

Sipas njoftimit zyrtar, orari i zgjatur i punës do të jetë:
- më 07 shkurt 2026, nga ora 10:00 deri në 18:00
- më 08 shkurt 2026, nga ora 10:00 deri në 18:00
Po ashtu, Pajaziti ka sqaruar se për shkak të ngarkesës së madhe të sistemit elektronik “Svoj na svome”, të gjitha aplikimet e dorëzuara përmes këtij portali deri më 9 shkurt në mesnatë do të konsiderohen të paraqitura në kohë, pa pasur nevojë për dëshmi shtesë.

Me ligjin e ri, procedura e legalizimit është thjeshtuar ndjeshëm. Për aplikim kërkohet dokumentacion minimal, si prova e pronësisë së tokës, fotografi të objektit, dokumente identifikimi dhe një deklaratë për periudhën e ndërtimit. Për një pjesë të madhe të objekteve, tarifa e legalizimit sillet rreth 100 euro.
Në fund, kryetari i Komunës së Bujanocit ka ftuar të gjithë qytetarët që ende nuk e kanë përfunduar procesin e regjistrimit të objekteve të tyre, ta shfrytëzojnë këtë afat dhe orarin e zgjatur, duke theksuar se Administrata Komunale mbetet në shërbim të qytetarëve për çdo sqarim, asistencë dhe ndihmë profesionale.
