
Nga Aziz Mustafa: Autoportret futuristik… dhe poezi tjera nga libri “Mëso të thuash JO”
Aziz MUSTAFA

AUTOPORTRET FUTURISTIK….
(dhe poezi të tjera nga libri, “Mëso të thuash jo”
Nëse unë Aziz Mustafa e mashtroj vdekjen deri në vitin 2062 pas Krishtit, torta ime e ditëlindjes nuk do të mund t’i zëjë 95 qirinjtë Në retrospektivë do të mendoj se si nuk paskam pasur kohë të vdes Kërrusur do të jem nga ecja vertikale sytë 95% të dëmtuar me ca syze sa fundi i shishës së “Coca Cola” s Veshët me një aparat auditiv digital Do të urinoj nëpër një kateter silikoni Folley 20 mm Nuk i paramendoj gjërat irreale a do të jenë ende irreale Do kem veshur blue jeans të shekullit njëzet Do të lexoj poezi në orë letrare nëse nuk do të ma kenë hequr laringun e zemrën do ta mbaj gjallë me karditonikë nëse nuk do të ketë më dashuri Do të shkruaj ende poezi apo një prototip të saj për lulet e akuariumeve dhe për fluturimin Do të shkruaj për fëmijët që plaken në moshën 20 vjeçare dhe për delet kibernetike dhe klonimin në lagjen e poshtme dhe armën gjenetike në vend të fushave të minuara në luftërat mes popujve të vegjël në një qoshe të gadishullit që dikur quhej më një emër të çuditshëm Ballkan
Dijarti im do t’i ketë atëherë 63 vjet i vdekur dhe nuk do të plaket si unë dhe mëma e tij e mirë Do të filloj të pi duhan sepse do gjendet bari për kancerin mushkëror me qeliza të vogla Do të kem kaluar një luftë një meningjit viral dhe kushedi sa labirinte sallash operacioni Tërë arna do të jem pos shpirtit Ende nuk do ta kem shkruar traktatin për amshimin Deri atëherë nuk e di a do të më duhen testiset Ndoshta do të jem klonuar për hatër të një gjeni të lashtë arian Kohës do t`ia nxjerrin gjuhën Nuk e di a do ta kemi kapërcyer vetveten Nuk di a do të ketë kuptim gruaja gota dhe gjithçka që fillon me germën “g” duke mos futur këtu gomarët Ne do të vazhdojmë të bëjmë dashuri të zjarrtë në internet me vetminë tonë të thellë Fëmijët në kushedi çfarë valësh do të na thërrasin Nga cili planet vallë do të eksplorojnë të kaluarën e botës Nuk e di a do të jam ky që jam sot
Nuk do të jem ndoshta fare njeri
Do të jem poezi
DIELLORE
Mirësevjen
Krahapur po të pres
Te hyrja në punëtorinë
Për pastrimin e shpirtrave
Gjithçka këtu është e verdhë
Edhe muret edhe filxhani i nevojtores
Mollët tymi i cigares dhe monedhat
Mos ke frikë
Këtu nuk ka gjak vdekje uri
Të verdhë janë të gjithë flamujt
Dhe të gjitha menstruacionet tua
Dhe tingujt e pianos së një hungarezi
Që vajton shpirtin e Mozartit në kujtim të
Elvira Madiganit e verdhë si limoni i bashqes sate
Të verdhë janë edhe jargovanët edhe zambakët
Mirësevjen këta të çmendur me buzëqeshje
të verdha janë tmerrësisht joagresivë shpirtra të trazuar
Të verbëruar nga verdhësia e hënës së fundgushtit
Mirësevjen Çmendurakja ime ta mbylla derën dhe përpiva
Çelësin Do të doja të të përpija edhe ty ashtu
Si ti do të më përpije
Për të më lindur sërish
Kështu të verdhë
LETËR DARDANËS
Është tmerr është më shumë se tmerr
se si gjërat e mira janë përherë të huaja
psikoanalitikët e trentë frojdi sidomos
përherë kanë të drejtë e ti Dard Ana nuk e do atë
edhe unë kam filluar ta urrej shkaku yt
ti nuk i do këto vargje edhe unë
kam filluar t’i urrej çuditërisht po më duken disi
si pula të nukta dhe vërtet nuk kam dashur
kurrë t’i besoj epshit së paku jo në rastin tënd
Dardana pasha sytë e mi të përgjakur
flutura ime nuk është turp të puthësh hijet e natës
as të pështyesh yjet nuk është turp besomë
është tmerr i thjeshtë se si në mua po fiton
djalli e engjëlli po më rri strukur
në një varg që kurrë nuk do të botohet të kam
paralajmëruar ruaju nga gjenitë dhe
budallenjtë ruaju më shumë vetes
dhe mos u fut në vorbull marramendja është
një sëmundje e keqe më e keqe se AIDS dhe se
ethet e minjve të merr mendtë
e humb drejtimin rrëzohesh dhe keqas përgjakesh
të çmend e ti Dardana nuk ke nevojë për çmenduri
më mirë çmendu në letër shkruaj poezi të çmendur
gënje veten dhe të tjerët më lehtë e ke në këtë botë
më së miri kalojnë rrencat hajnat dhe të pafytyrët
këndoje përditë „Yesterday“ përherë do të
ketë një dje
për një nesër nuk jam i sigurt këndoje pra e të të
sjellë në një pikë dhe në një vend të caktuar ku ne
nuk kemi qenë kurrë kanë qenë shpirtrat tanë
kanë qenë
fëmijët tanë kanë qenë shpirtrat e prindërve tanë
djalli e marrtë vetëm hijet tona kanë qenë të
betohem
për sytë e mi nuk do të ketë kurrë më sot
ekzistojnë vetëm nesër dhe dje
e dje do të jetë dymijë vjet më parë nën një dardhë të Dardhanisë e ngulfatur nga terri e unë
e ti Dardana
do të jemi të zhbërë një hiç eterik do të jemi
tmerrësisht të lirë nga njëri tjetri
padurueshëm të lirë
POETËT VDESIN TË PAKUPTUAR
punë e madhe po e morën vesh të gjithë Unë duhet të shkruaj vargje ose të masturboj kur nuk të kam ty Apo më duhet ta fus kokën nën jastëk në shpellë kristalesh të qaj me dënesë që nuk kthej sendet të ndodhin edhe një herë krejt prej fillimit Apo më duhet t’i bie murit me kokë për të mos harruar si
shijon
dhembja
dhe dashuria
dhe liria
dhe epshi
dhe ti
dhe trëndafilat që nuk janë askund E di se asgjë nuk po them me këto dhe se askush nuk i kupton këto pos teje por kështu nuk janë kuptuar
as profetët
as të çmendurit
as poetët
as të agraisurit
as memecët
por punë e madhe Në djall
rima rregulla vargëzimi metrik
më duhet ta nxijë këtë fletë më duhet
ta përballoj këtë natë ta mbushë me ankthin se
ti je me dikënd tjetër dhe krejt kjo për botën
është normale Më duhet të mbushë këtë bardhësi
të papërballueshme prej letre me mendime të papalosura shpërndarë
si fije shkrepse derdhur në dysheme
Vetëm ti më fal të lutem E di se do t’i lexosh
dhe do të njomësh fletët me lotët tu
SHPELLA
Kokën të ma presin nuk di në ishim në shpellë
apo në bark të nënës Në librat e shenjtë të pluhurosur shkruan se ne jemi krijuar nga një pikë uji që sfidonte gravitetin në një kristal aragoniti në Kosovë Këtu e tetëdhjetë milion vjet jemi puthur së pari atëherë kur nuk ekzistonin as puthje as dinosaurë as pika gjaku Vetëm dielli ishte në zenit si sot dhe pezull mbi ajrin tim më mbushje qenien time e unë të mbarsja me shi Ende nuk ishin zbuluar thikat kafkanat dhe buzëqeshjet e shtirura As edhe një akord tjetër nuk tingëllon kështu në një kristal të blerë me para të huazuara punë e madhe pse moralin e kishin marrë më vete bashkëshortët besnikë dhe laviret Unë dhe ti ishim ëmbëlsisht të çmendur shtrëngonim duart njëqindepesëdhjetëmijë vjet para Romeos dhe Xhulietës për vetëm pesë cm largësi Pallavra shpjegimet e spelologëve Unë zemrën tënde e gjeja me mija km larg dhe kthjellohesha nga aura Pastaj të falja aragonitin tim të vetëm në shpellën ku askush nuk dinte gjë për valët telurike aty ku askush nuk dinte se nuk kishte forcë më të madhe se dashuria
(Nga përmbledhja “Mëso të thuash jo”, “Rozafa”, Prishtinë, 2004.)
SHËNIME PËR SHKRIMTARIN AZIZ MUSTAFA
Është lindur më 24 dhjetor 1967 në fshatin Malishevë të Gjilanit. Është mjek dhe shkrimtar.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb të Kroacisë, kurse specializimin për otorinolaringolog në Prishtinë, Insbruck dhe Strasbourg. Ka punuar si specialist ORL në QKUK në Prishtinë. Ka publikuar punime shkencore në revista ndërkombëtare të otorinolaringologjisë.
Pos mjekësisë, është i angazhuar edhe me krijime letrare. Me shkrime merret që nga shkolla fillore. Shkruan kryesisht poezi dhe prozë për të rritur. Ka botuar 3 përmbledhje me poezi dhe një me tregime dhe 2 romane. Në dorëshkrim ka edhe dy romane të tjerë që bashkë me romanin “Nëse vdekja pret” përbëjnë trilogjinë e titulluar “Saga e ushtarëve”
Është fitues i disa konkurseve letrare. Është prezantuar edhe në shumicën e faqeve të internetit që botojnë letërsi shqiptare dhe i përfshirë në disa antologji. Ka marrë shpërblime të ndryshme të konkurseve letrare dhe ishte pjesëmarrës i shumë takimeve letrare anekënd trojeve shqiptare.
Është anëtar i Pen Qendrës së Kosovës prej vitit 2024.
Jeton në Gjilan dhe punon në Prishtinë dhe Gjilan. Është i martuar, ka tre fëmijë dhe një mbesë.
Veprat e botuara me poezi:
“Pasaportë kam kafkën time”, “Jeta e re”, Prishtinë 1996,
“Matja e kohës së ndalur”, “Asdreni”, Shkup, 1999, dhe
“Mëso të thuash jo”, “Rozafa”, Prishtinë, 2004.
Veprat e botuara në prozë
“Toka ime është në dashuri”, “Olymp”, Prishtinë, 2014.
“Mos e harro Japoninë, Suzanë”, “Armagedoni”, Prishtinë, 2020.
“Nëse vdekja pret”, “Faik Konica”, Prishtinë, 2025
