KALIMI NËPËR URËN E KUJTIMEVE NË ROMANIN “NËSE VDEKJA PRET” TË AZIZ MUSTAFËS
Jeta dhe vdekja përbëjnë dy skaje të pa shmangshme të ekzistencës njerëzore, ndërmjet të cilave njeriu ndërton kujtimet, ëndrrat dhe dramën e tij personale. Letërsia, shpesh i kthehet këtij raporti për të reflektuar mbi fatin e individit dhe mbi përvojën kolektive të një populli.
Në romanin “Nëse vdekja pret”, të autorit Aziz Mustafa, kjo përballje merr një dimension të veçantë përmes figurës së Drinit, personazh që bart njëkohësisht dramën e tij personale dhe plagët historike të shqiptarëve në ish-jugosllavi. Romani është i ndërtuar në 22 kapituj, ku përmes kujtimeve dhe rrëfimeve që ndërthuren brenda tij, Mustafa shpalos realitetin e dhimbshëm të shtypjes dhe dhunës, duke e lidhur fatin individual të protagonistit, me fatin kolektiv të popullit tonë.
Shkruan: Antigonë Gashi.
Titulli i romanit “Nëse vdekja pret” krijon një paradoks themelor: vdekja, e cila zakonisht mendohet si e pashmangshme dhe e pakthyeshme, vendoset këtu në marrëdhënie me foljen “pret”, me mundësinë e shtyrjes, të pezullimit dhe të fitimit të një kohe shtesë. Pikërisht kjo kohë e ndërmjetme e mban të ngritur gjithë arkitekturën e romanit. Vepra nuk mbështetet vetëm te ajo që ka ndodhur, por te ajo që nuk është përmbyllur ende: një dashuri e ndërprerë, një letër e ardhur nga larg, një jetë që vazhdon të kërkojë kuptim edhe kur është vonë. Në këtë kuptim, romani nuk është vetëm rrëfim për fatin individual, por edhe meditim mbi raportin mes njeriut dhe kohës së humbur.
Ky roman është ndërtuar mbi mungesën. Mungon përmbushja e dashurisë, mungon bashkimi familjar, mungon qartësia e plotë mbi fatet njerëzore dhe mungon siguria se koha do të mjaftojë për ta përmbyllur amanetin e brendshëm të personazhit. Kjo mungesë e shtyn personazhin të mendojë, të kujtojë, të kërkojë dhe të mbajë gjallë një premtim të vonuar. Në këtë mënyrë, romani e ndërton tensionin jo me veprim të vrullshëm, por me energjinë e brendshme të një jete që nuk pajtohet me humbjen si fakt i mbyllur.
Romani ndërtohet mbi një narracion në vetën e parë dhe zhvillohet përmes kujtesës së protagonistit, i cili përballet me peshën e vdekjes pas diagnostikimit me një sëmundje të rëndë. Pra, qysh në fillim të romanit krijohet atmosfera e përballjes me fundin e jetës: autori përshkruan momentet e protagonistit në spital dhe reflektimin e tij mbi vdekjen, duke e shndërruar këtë përvojë në pikënisje të një rishikimi të të gjithë jetës së tij. Në këtë mënyrë, romani ndërtohet si një rrugëtim i brendshëm i personazhit, ku përmes kujtimeve dhe përvojave të së kaluarës, ai përpiqet të kuptojë jetën, marrëdhëniet dhe kuptimin e ekzistencës.
Struktura e romanit nuk ndjek një kronologji lineare të ngjarjeve, por ndërtohet mbi një logjikë të kujtesës dhe reflektimit. Autori lëviz vazhdimisht nga e tashmja, momenti i sëmundjes dhe i pritjes së vdekjes, drejt së kaluarës, duke rikujtuar momente të ndryshme të jetës së tij. Këto momente përfshijnë marrëdhëniet familjare, përvojën e shërbimit ushtarak dhe një histori dashurie që lë gjurmë të thella në jetën e protagonistit, Drin Durakut.

Rrëfimi retrospektiv krijon një strukturë episodike, ku secili kapitull funksionon si një fragment i kujtesës së protagonistit, kurse teknika narrative i jep romanit një karakter meditativ dhe introspektiv. Ngjarjet paraqiten si reflektime mbi përvojat që kanë formësuar identitetin e personazhit.
Sëmundja e protagonistit nuk trajtohet vetëm si një rrethanë biologjike, por si një moment që e detyron personazhin të reflektojë mbi jetën dhe zgjedhjet e tij. Vetëdija për fundin e afërt e bën protagonistin të analizojë të kaluarën dhe të përpiqet të gjejë kuptimin e përvojave që ka jetuar. Në këtë kuptim, romani nuk e paraqet vdekjen si një akt dramatik apo heroik, por si një realitet të pashmangshëm që e vendos njeriun përballë vetvetes.
Retrospektiva-kalimi nëpër urën e kujtimeve
Gjithçka nis në një dhomë spitali në Cyrih, ku vdekja trajtohet si një detyrë thjesht logjistike. Vdekja e Franzit, shokut të dhomës, shërben si pasqyrë ku Drini sheh fundin e tij; Franzi i mëson atij se si të vdesë pa hidhërime, pa ankesa të kota dhe pa e fajësuar askënd për asgjë. Kjo vdekje stoike bëhet busulla që e orienton Drinin drejt vendlindjes, bashkë me diagnozën e tumorit të paoperueshëm, e cila i ngjan një “goditjeje çekani”, duke e shndërruar kohën nga një koncept abstrakt, në një goditje të fortë e të hidhur, që e nxit udhëtimin e tij për të mbledhur “trohat e shpirtit” të lëna pas, matanë bjeshkëve të mjegullta.
Në rrafshin personal, Drini përfaqëson njeriun që jeton me pengun e një vendimi racional që i kushtoi lumturinë. Takimi i tij me Almën në Sarajevën e vitit 1986, shënon pikun e rinisë së tij, por edhe fillimin e një rënieje shpirtërore. Zgjedhja e dhjetë ditëve shkurtim shërbimi, përballë një nate me të dashurën, pasqyron faktin sesi sistemi ushtarak e kishte tjetërsuar individin, duke e bërë rendin dhe disiplinën më të rëndësishme se vetë jetën. Ky peng e ndjek Drinin gjatë gjithë jetës së tij në Zvicër, ku ai jeton si një hije anonime, i shkëputur nga rrënjët dhe i burgosur në një bashkëjetesë të ftohtë kontraktuale me Vanessën.
Ajo që e lartëson këtë roman është aftësia për të lidhur dramën e Drinit me fatin tragjik të shqiptarëve, nën sundimin jugosllav. Përvoja e tij ushtarake nuk është thjesht një shërbim i detyruar, por një përballje me paranojën shtetërore. Rasti i Aziz Kelmendit dhe Masakra e Paraqinit, shërbejnë si bosht ku fati personal i Drinit kryqëzohet me terrorin politik; një fjalë e pamatur “ndoshta e njoh”, e fut atë në rrethin e dyshimit të shërbimit sekret, duke e shndërruar në një “vrasës të mundshëm” në sytë e eprorëve serbë.
Romani analizon teorinë e “kurbanit” politik, përmes paralelizmit midis Aziz Kelmendit në vitin 1987 dhe Miftar Hasanit, në kohën e Mbretërisë. Të dy personazhet përfaqësojnë modelin e shqiptarit që duhej të sakrifikohej për të legjitimuar dhunën shtetërore dhe shpërnguljen e popullatës. Zbulimi tronditës i dosjes së Mirko Krivokapiqit zbardh “të vërtetën japoneze”: Aziz Kelmendi nuk ishte vrasës, por viktima e parë e një masakre të kurdisur nga vetë shteti për të nxitur urrejtje etnike. Kjo mizori shtrihet edhe te familja e Drinit. Babai i tij, Dauti, rrihet brutalisht nga policia për një armë që nuk e kishte, duke përfunduar me brinjë të thyer, një skenë që simbolizon pafuqinë e shqiptarit përballë “hyqmetit”.
Largimi në Zvicër me pasaportën e kushëririt Ahmet, shënon fillimin e jetës së Drinit si një “hije” anonime. Lidhja e tij me Vanessën është një bashkëjetesë e rregulluar me nene ligjore, ku dashuria është zëvendësuar me kontrata të ftohta. Sidoqoftë, as komoditeti zviceran nuk mund ta shuajë urinë për të vërtetën. Pas marrjes së telegramit që njoftonte vdekjen e Almës në luftën e Bosnjës, Drini ndërmerr një mision pothuajse mistik drejt Bosnjës së pasluftës. Takimi me fqinjët Avdo dhe Merima në Srebrenik, sjell kthesën më të fuqishme të romanit: Alma është vrarë si dëshmore ,”shehide”, por vajza që ajo kishte sjell në jetë, Drina, ishte gjallë dhe jetonte në Amerikë, bashkë me gjyshen e saj. Zëri i Drinës në telefon “Babi im, më i miri i botës…”, është momenti kur Drini rifiton identitetin e tij të humbur dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë, fillon të ndihet i gjallë
Romani mbyllet në shtëpinë e fëmijërisë, në “sërnishtë”, aty ku jeta dhe vdekja takohen. Akti i shkrimit në laptop bëhet “ilaçi” i fundit i Drinit, një përpjekje për të qëruar shtresat e unit të tij si një qepë. Ndonëse trupi i tij po dorëzohet para tumorit, shpirti i tij gjen paqe përmes letrës së fundit të vajzës së tij. Drina njofton kthimin e saj në Kosovë pas tre muajsh, një lajm që shërben si shpërthim i dritës në mes të errësirës. Kjo letër shënon fitoren e jetës mbi vdekjen dhe të dashurisë mbi harresën, duke i dhënë kuptim të plotë vuajtjeve dhe rrugëtimit të protagonistit.
Funksioni i letrës në fund të romanit është veçanërisht domethënës, meqë nuk është vetëm një element i subjektit; është mekanizëm strukturor që riorganizon leximin e gjithë asaj që ka ardhur më parë. Jo rastësisht Mustafa në tekst e vendos një shenjë kaq të fortë afër fundit; ai i detyron lexuesit të rikthehen mendërisht në gjithë rrjedhën e mëparshme dhe ta rilexojnë atë nga një kënd tjetër. Kjo teknikë narrative, zhvendos qendrën e rëndesës nga kronologjia te domethënia. Nuk është më thelbësore vetëm çfarë ndodhi, por çfarë kuptimi mori tani ajo që kishte ndodhur.
Si përfundim, mund të themi se, ky roman, është një testament i dhimbshëm që ndërthur mjeshtërisht rrugëtimin intim të një njeriu drejt vdekjes me tragjedinë kolektive të një populli nën thundrën e ish-Jugosllavisë. Përmes ditarit të Drin Durakut, një emigranti që kthehet në vendlindje për të “mbledhur trohat e shpirtit” pas një diagnoze me tumor të paoperueshëm, ne nuk lexojmë thjesht një histori mjekësore, por një analizë të thellë të asaj që Mustafa e quan “vrimë e zezë” e historisë sonë, dhe njëkohësisht na bën të reflektojmë se jo gjithçka varet nga ne, në mënyrën se si zgjedhim ta jetojmë jetën tonë, porse edhe një zgjedhje e gabuar, mund ta ndryshojë tërë rrjedhën e rrugëtimit tonë jetësor.
