
Përurohet objekti i ri i degës në Novobërdë të Gjykatës Themelore në Gjilan
Novobërdë, 11 prill 2025 – Dega e Gjykatës Themelore në Gjilan ka inauguruar sot objektin e ri në Novobërdë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët e kësaj ane.

Në një ceremoni festive, ku morën pjesë, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i KGjK-së Albert Zogaj, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, nënkryetari i Komunës së Novobërdës, BajrushYmeri, kryetarë të gjykatave, gjyqtarë mbikëqyrës, anëtarë të KGJK-së, përfaqësues të institucioneve të sistemit gjyqësor, të institucioneve ndërkombëtare, autoriteteve lokale, u theksua rëndësia e këtij objekti për avancimin e mëtejshëm të administratës gjyqësore dhe lehtësimin e qasjes të qytetarëve në shërbimet ligjore.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, gjatë fjalës së tij, theksoi: “Përurimi i këtij objekti është një hap i madh përpara në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përmirësimin e kushteve për punonjësit e gjyqësorit dhe qytetarët që kërkojnë shërbime ligjore. Ky objekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe një investim i rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës gjyqësore. Ofrimi i shërbimeve më të afërta dhe të shpejta për qytetarët është një prioritet për ne”, tha ai.




Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, uroi që kjo degë e re të shërbejë për të gjithë qytetarët e kësaj komune, duke ofruar shërbime më të shpejta dhe më të drejta. Ai theksoi se është e rëndësishme të punohet për ngritjen e imazhit të sistemit gjyqësor dhe bëri thirrje që të gjitha palët të angazhohen në përmirësimin e tij. ’’Kushtet e krijuara do të ndikojnë si në rritjen e numrit të çështjeve që mund të shqyrtohen, ashtu edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve gjyqësore, duke siguruar një proces më të drejtë dhe efikas për qytetarët’’, tha mes tjerash.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, theksoi se, ky objekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të administratës dhe rritjes së transparencës në sistemin e drejtësisë. “Përmes këtij angazhimi, synojmë të krijojmë mundësi më të mira për qytetarët e Novobërdës dhe rrethinave, duke përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve ligjore”,tha ai.
Nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, shprehu mirënjohjen për këtë investim i cili do t’ju mundësojë qytetarëve kryerjen e shërbimeve të tyre në një degë, si dhe shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin me sistemin gjyqësor.
Objekti i ri është i pajisur me infrastrukturë moderne, duke përfshirë hapësira të përshtatshme për zhvillimin e procedurave gjyqësore dhe ambiente të rehatshme për pritjen e qytetarëve.
Ndërtimi dhe investimi në këtë objekt janë realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, ndërsa inventarizimi është kryer nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
KGJK falënderon Ministrinë e Punëve të Brendshme për mbështetje dhe investimet e rëndësishme që kanë kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore dhe krijimin e kushteve më të mira për shërbime më të shpejta dhe efikase për qytetarët.
