Spitali i Gjilanit nis për herë të parë ndërhyrjet për vendosjen e protezave të gjurit dhe të kërdhokullës
Reparti i Ortopedisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit pritet të ofrojë një shërbim të ri kirurgjik, përmes të cilit pacientët do të mund t’i nënshtrohen vendosjes së protezave totale pa pasur nevojë të drejtohen në qendra të tjera shëndetësore.
Gjilan, 3 nëntor 2026 – Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit po bën një hap të ri në zgjerimin e shërbimeve ortopedike, me fillimin për herë të parë të ndërhyrjeve kirurgjike për vendosjen e protezave totale të gjurit dhe të kërdhokullës.

Sipas njoftimit të këtij institucioni shëndetësor, protezat janë siguruar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ndërsa pacientët e parë që do t’u nënshtrohen këtyre ndërhyrjeve janë përzgjedhur nga lista e pritjes.

Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e këtij shërbimi, drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, dr. Afrim Cana, ka kontaktuar personalisht pacientët e parë, duke i ftuar për trajtimin e planifikuar.
