Gjykata në Gjilan cakton 1 muaj paraburgim për dy të pandehur për trafik narkotikësh
U kapën me 53.2 kg marihuanë në Velekincë. Dyshohet për veprimtari në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi
GJILAN, 18 Tetor 2026 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji për dy të pandehurit B. A. dhe S. H.
Të dy dyshohen për kryerjen e dy veprave penale të narkotikëve.

Sipas njoftimit të Gjykatës, gjatë periudhës nga shtatori 2026 deri më 16 tetor 2026, në Gjilan dhe në lokacione të ndryshme, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim.
“Me aktivitet të shtrirë në territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, paautorizim kanë organizuar, drejtuar, blerë, shitur, shpërndarë dhe transportuar substancë narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri B. A. dyshohet se e siguronte narkotikun, ndërsa transportin e kryente i pandehuri S. H.
Aksioni është zhvilluar më 16 tetor gjatë një kontrolli të Policisë së Kosovës në fshatin Velekincë të Komunës së Gjilanit. Në pronën e të pandehurit B. A., në veturën e tij janë gjetur 10 pako me sasi të dyshuar të substancës narkotike të llojit “marihuanë” me peshë totale prej 53.2 kilogramësh.
Me këto veprime të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprat penale: “Organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
