Gjilan: Ekskursionet e nxënësve “Matura 2024”, pro & Kontra!
Ekskursionet e nxënësve gjilanas në Shqipëri, për vite me radhë kanë qenë temë diskutimi, madje herë-herë edhe shqetësim në vete për prindë, mësimdhënës e nxënës, sikurse edhe bartës të institucioneve.
Vaprime të pakëndshme që kanë ndodhur në të kaluarën nëpër ekskursione të tilla, kanë nxitur reagime të ndryshme, përfshirë edhe vendimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyeni, për ndalimin e ekskursioneve për maturantët e gjeneratës 2023/2024.
Drejtoria Komunale e Arsimit deri vonë nuk është deklaruar pro apo kundër ekskursioneve, porse, sa më pranë fundit të vitit shkollor, kjo cështje po merrë përmasa deklarative gjithandej në opinion.
Shih për këtë, dita e premte – 26 prill 2024 – ka qenë e paraparë për takime të kujdestarëve të klasëve me prindër në disa shkolla, për të marrë konfirmimin e tyre për ose kundër, duke i paralajmëruar këta të fundit se vet drejtoritë përkatëse kanë kërkuar nga kujdestarët të thërrasin në mbledhje që prindërit të deklarohen.
Ata që do të deklaroheshin për ekskursionet, sipas njoftimit do duhej të bënin pagesën në vlerë prej 150 euro, për shpenzimet e kostos së qëndrimit në Shqipëri, përfshirë ushqimin e akomodimin, si dhe udhëtimin e së martes së 30 prillit 2024, kur është parapa nisja e organizuar, në së paku njërën nga shkollat e mesme të larta!
Ndërsa, të vetëdijshëm se cështja e ekskursionit ka ngjallur reagime në mesin e prindërve e nxënësve, disa prindër kanë kërkuar me tej informata nëse është arritur një “ujdi” mes institucioneve: Shkolla – Këshilli i Prindërve – Këshilli i nxënësve – DKA – Komunë, për të pasur më të qartë gjendjen aktuale, në prag të fundit të vitit shkollor.
E këto veprime dhe shumë zhvillime në DKA e Komunë, si dhe shkolla përkatëse, kanë shkaktuar reagime edhe në mesin e qyteraëve dhe zyrtarëve institucional, vecmas në rrjete sociale.
Lidhur me këtë cështje është deklaruar përmes faqes së saj private edhe drejtoresha e DKA-së në Gjilan, Albana Demiri, e cila ka vënë theksin te vendimi i më hershëm i kreut të komunës së Gjilanit Alban Hyseni, për anulim të ekskursioneve, si dhe bisedat e mëpastajme që ka zhvilluar me Këshillin e prindërve dhe Këshillin e nxënësve, të cilët sipas saj, kanë qenë të lirë të zgjedhin për ose kundër.
“Të nderuar prindër dhe nxënës: Siç edhe e dini të gjithë, para disa muajve, kryetari i Komunës z. Alban Hyseni, ka marrë vendim për anulim të ekskursionit për maturantët për shumë arsye: – çmimet e papërballueshme për prindërit; dukuritë negative të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, e problematika të ngjashme të cilat për një kryetar komune të përgjegjshëm do të duhej të ishin përgjegjësi e barrë mbi supet e tij sikur tani”, ka shkruar fillimisht ajo.
“Pas disa takimeve me këshillin e nxënësve, e këshillat e prindërve, nxënësit kanë qenë të lirë të zgjedhin, pra të propozojnë vendin të cilin dëshirojnë ta vizitojn!”, ka vijuar ajo.
Drejtoreha e DKA-së më tej ka theksuar se përgjegjësi e drejtorive të shkollave përkatëse ka qenë agjenda përcaktuese e vizitave të nxënësve, konform cmimeve të parapara si kritere të posacme.
“Secili insititucion i arsimit të mesëm, ka shpallë ofertë me agjendën të cilën e kanë propozuar vet shkolla. Pas mbylljes së afatit, duke respektuar udhëzimin administrativ në fuqi, në DKA janë hapur ofertat e tenderuesve sipas udhëzimit. Më pas drejtorët kanë njoftuar nxënësit e shkollave për çmimet e ofruara nga ana e kompanive, ku një pjesë e madhe e tyre janë deklaruar se nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në ekskursion, si pasojë e çmimeve”, ka nënvizuar drejtoresha Albana Demiri.
Ipas saj, “këto shqetësime janë ngritur në Drejtorinë e Arsimit nga drejtorët e shkollave, me ç’rast unanimisht është marrë vendimi që ekskurzioni të anulohet”, duke nënvizuar si sqarim se
“Drejtoria e Arsimit as nuk tenderon për ekskurzion, e as nuk oferton për kompanitë!”.
Kujtojmë që vendimi i kryetarit të Komunës së Gjilanit për ndalim të ekskursioneve për maturantë 2023/2024 është akoma në fuqi pasi nuk ka pasur një vendim tjetër që e suprimon atë paraprak.
Në vendim përvec tjerash, asokohe thuhej:
“Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë vendim për ndalimin e ekskursioneve të nxënësve jashtë shtetit. Vendimi është marrë në bashkërendim të plotë me këshillin e prindërve të komunës”.
“Substancat narkotike, pijet alkoolike, lëndimet e rastet e ndryshme si dukuri negative, si dhe shpenzimet e mëdha familjare janë disa nga arsyet e konkluzionet e përbashkëta mes nesh dhe këshillit të prindërve. Do të shohim alternativat e aktiviteteve të tjera edukative e kulturore, në të mirë për të gjithë maturantët tanë!”, ka thënë muaj më parë kryetari Hyseni.
Se si do të rrjedhin gjërat ditëve në vijim dhe se si do të përmbyllet kjo “odiseiadë” mature 2023/2024, mbetet të shihet së shpejti. Porse është më se e qartë se kjo temë ka ngjallur reagime të shumta në Gjilan e më gjërë, duke shpërfaqur opinione gjithandej, për dhe kundër ekskursionit, për nxënësit gjilanas, maturantë të gjeneratës 2023/2024.
Përgatiti: Xhemail Veseli (Tv Gjilani.com)