Vjedhje e rëndë në ish-pishinën Hawaii në Gjilan, dëmi kap vlerën rreth 55 mijë euro
Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në Gjilan, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë hyrë në objektin e ish-pishinës “Hawaii” dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Sipas burimeve mediale rasti është raportuar më 23 qershor, rreth orës 15:35, në rrugën “Hamdi Kurteshi”.
Ankuesi R.O. ka deklaruar se vjedhja dyshohet se ka ndodhur në periudhën 16-23 qershor.
Burimet bëjnë të ditur se në objekt janë dëmtuar dyert e lokalit dhe frigoriferi i restorantit, ndërsa janë vjedhur gypa bakri nga ftohësit e frigoriferëve.
Sipas deklarimit të ankuesit, vetëm për këtë pjesë dëmi vlerësohet rreth 15 mijë euro.
Po ashtu, janë dëmtuar edhe tetë filtra të pishinës, vlera e të cilëve dyshohet të jetë rreth 40 mijë euro.
