UKZ nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi në kuadër të CoVE Kosovo
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë, arsimit dhe aftësimit profesional dhe tregut të punës, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës Profesionale – CoVE Kosovo.
Në Laboratorin STEM, në hapësirat e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në UKZ, fillimisht pjesëmarrësit u pritën në një ekspozitë të punimeve të studentëve.
Në hapje të aktivitetit Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte z. Arben Sahiti, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të reja në fushat STEM.


Më pas, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, z. Xhevdet Thaqi, prezantoi aktivitetet dhe objektivat e Qendrës Rajonale të Ekselencës Profesionale – CoVE STEM Europe, me fokus në zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm rajonal të shkathtësive përmes bashkëpunimit ndërmjet arsimit dhe aftësimit profesional, arsimit të lartë, industrisë dhe aktorëve të tjerë relevantë.
Në kuadër të aktivitetit u prezantua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim në kuadër të CoVE Kosovo, i cili synon të krijojë një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim në arsimin dhe aftësimin profesional në fushat STEM.
Nëpërmjet këtij Memorandumi, mes UKZ-së/Qendrës CoVE dhe palëve tjera nënshkruese që janë, DKA në Gjilan dhe Kamenicë, qendrave për aftësim profesional, kompanive dhe institucioneve nga tregu i punës, të gjitha së bashku shprehen gatishmërinë për të punuar në zhvillimin e programeve të mentorimit, praktikave profesionale, hackathon-eve dhe aktiviteteve praktike, bashkëzhvillimin dhe përmirësimin e kurrikulave dhe moduleve STEM, ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve dhe trajnerëve, si dhe në kërkimin e përbashkët universitet–industri dhe identifikimin e nevojave të tregut të punës për shkathtësi STEM.
Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu shkëmbimin e ekspertizës dhe praktikave të mira, promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në arsimin STEM, si dhe forma të tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët.
Në përfundim të aktivitetit u zhvillua nënshkrimi solemn i Memorandumit të Mirëkuptimit, duke formalizuar angazhimin e palëve për të kontribuar në zhvillimin e shkathtësive profesionale, rritjen e atraktivitetit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe përafrimin e kompetencave me nevojat e tregut të punës.
CoVE STEM Europe është një iniciativë që synon adresimin e sfidave që lidhen me mungesën e fuqisë punëtore dhe mospërputhjen e shkathtësive, veçanërisht në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM), përmes krijimit të Qendrave Rajonale të Ekselencës Profesionale dhe ndërtimit të partneriteteve ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat.
