Tuesday 10 November 2026
Advertisement
Advertisement
TV Gjilani TV Gjilani
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
    • Basketboll
      • NBA
      • Superliga e Kosovës
    • Futboll
      • Superliga e Kosovës
      • Champions League
      • Europa League
      • Konferencë League
  • Kulturë
    • Teatër
    • Film
    • Letërsi
    • Arte Pamore
  • Shëndeti
  • Marketing
    • Automjete
    • Banesa
    • Konkurse
    • Lajmërime
    • Lokale
    • Njoftime
    • Pajisje teknologjike
    • Shitëblerje
    • Shpallje
    • Shtëpi
    • Telefona
    • Troje
logo
Edit Content
TV Gjilani TV Gjilani
  • most recent news
  • trending news
  • most read
  • All Video
  • Image gallery
  • more
Teknologji

Amazing Model On Site

15 June 2021
Teknologji

Beauty Model Working on

15 June 2021
Teknologji

Victoria’s Secret Afterparty Goes

15 June 2021
Teknologji

Sisters Land Fashion Role

15 June 2021
Teknologji

Best Dressed Men in

15 June 2021
Sport

Të dielën do të

8 July 2021
  • Accessibility
  • Help
  • Contact
  • About qoxag

Lajmi i Fundit

Kamenica ndan 15,210 euro për të shpërblyer 387 nxënës dhe 39 mësimdhënës

Kuvendi i Kosovës nesër në seancë të jashtëzakonshme, në rend dite Raporti i Progresit i

Bileta shtesë për ndeshjen Kosovë – Izrael, tifozë mysafirë nuk do të ketë

Vjosa Osmani nderohet me çmimin “Global Diplomacy Award” në Turqi

SHBA harton planin për të izoluar Iranin, çfarë fshihet pas operacionit “Iron Gate”?

Parashikimi i motit për të martën, 10. 11. 2026

Karvani Shëndetësor “PërSHËNDETje” në Gjilan me rastin e Ditës Botërore të Diabetit

Presidentja e Kosovës viziton kombëtaren, merr dhuratë fanellën e “Dardanëve”

Sokol Haliti viziton vendbanimin arbëresh në Kalabri të Italisë

Selver Xhelili finalizon pas 18 muajsh një synim të kahershëm, bëhet pronar i hotelit në

 Stefan Cvajg – „Rrugica në dritën e hënës”
Arte tjera Kulturë Letërsi

Stefan Cvajg – „Rrugica në dritën e hënës”

10 November 2026 0 Comment 68 min read

AA

Në novelën „Rrugica në dritën e hënës”, Stefan Cvajgu na çon në një qytet të vogël portual francez, në një lagje të errët ku jeta zhvillohet nëpër lokale nate, mes tymit të duhanit, alkoolit, këngëve dhe njerëzve që kërkojnë të harrojnë vetminë e tyre. Një udhëtar gjerman, i cili, për shkak të humbjes së trenit, detyrohet ta kalojë natën në këtë qytet, tërhiqet nga zëri i një gruaje që këndon në një lokal të dyshimtë. Aty bëhet dëshmitar i një skene të pazakontë: një grua që këndon dhe argëton mysafirët, ndërsa një burrë i moshuar, i kërrusur dhe i përvuajtur, e ndjek nga afër, duke duruar fyerjet dhe poshtërimin e saj.

Pas kësaj skene fshihet një histori e rëndë dashurie, krenarie të plagosur, koprracie dhe hakmarrjeje. Burri i moshuar zbulon se gruaja që tashmë jeton në atë botë nate është bashkëshortja e tij, të cilën dikur e kishte dashur, por edhe e kishte poshtëruar me sjelljen e tij. Rrëfimi i tij zbulon një marrëdhënie të shkatërruar nga egoizmi dhe paaftësia për të dashur pa sunduar. Ndërsa fundi, i lënë qëllimisht pezull nga Cvajgu, e shndërron këtë histori në një dramë të errët psikologjike, duke e lënë lexuesin përballë një pyetjeje shqetësuese: deri ku mund ta çojë njeriun dashuria e shndërruar në vuajtje dhe urrejtje?

RRUGICA NË DRITËN E HËNËS

Stefan Cvajg (Stefan Zweig)

Përkthim nga origjinali gjerman

Pjesa e parë

Anija, e vonuar nga stuhia, kishte mundur të mbërrinte në qytetin e vogël portual francez vetëm vonë në mbrëmje, kështu që trenin e natës për në Gjermani e kisha humbur. Më mbetej, pra, një ditë e papritur në një vend të huaj dhe një mbrëmje pa ndonjë joshje tjetër, përveç muzikës së zymtë të një grupi femrash në një lokal argëtimi në periferi ose ndonjë bisede monotone me bashkudhëtarët krejt të rastësishëm.

Ajri në dhomën e vogël të ngrënies së hotelit më dukej i padurueshëm, i yndyrshëm nga vaji dhe i rënduar nga tymi. Papastërtia e saj e zymtë më shqetësonte edhe më shumë, sepse në buzë ende e ndieja frymën e pastër të detit, të freskët e të kripur. Prandaj dola jashtë, pa ndonjë qëllim të caktuar, dhe mora rrugën e gjerë e të ndriçuar drejt një sheshi ku luante një orkestër e gardës qytetare. Pastaj vazhdova të ecja mes turmës së njerëzve që shëtisnin ngadalë.

Në fillim më pëlqente të lëvizja pa ndonjë vullnet të caktuar, i bartur nga rrjedha e atyre njerëzve indiferentë, të veshur sipas modës provinciale. Por shumë shpejt nuk munda ta duroja më atë vërshim të të panjohurve, të qeshurat e tyre të shkëputura, shikimet që më drejtoheshin me habi, kureshtje apo me një buzëqeshje tallëse, prekjet e pavullnetshme që më shtynin përpara, dritat që shpërthenin nga një mijë burime të vogla dhe zhurmën e pandërprerë të hapave.

Udhëtimi në det kishte qenë i trazuar dhe në gjakun tim ende vlonte një ndjenjë marramendëse, si një dehje e lehtë. Ende e ndieja lëkundjen e anijes nën këmbë; toka dukej sikur merrte frymë dhe rruga sikur ngrihej drejt qiellit.

Papritur më kaploi marramendja nga ajo zhurmë e madhe. Për t’i shpëtuar, u ktheva në një rrugicë anësore, pa ia lexuar as emrin, e pastaj në një tjetër, edhe më të vogël, ku zhurma e pakuptimtë nisi dalëngadalë të shuhej. Vazhdoja të ecja pa drejtim, mes atij labirinti rrugicash që degëzoheshin si damarë dhe bëheshin gjithnjë e më të errëta, sa më shumë largohesha nga sheshi kryesor.

Llambat e mëdha elektrike, ato hëna të bulevardeve të gjera, këtu nuk ndriçonin më. Përmes ndriçimit të rrallë, më në fund filluan të shiheshin përsëri yjet dhe qielli i zi, i mbuluar nga retë.

Duhet të isha afër portit, në lagjen e marinarëve. Këtë e ndieja nga era e peshkut të kalbur dhe aroma e ëmbël e algave e e kalbëzimit, si ajo që lënë algat e hedhura në breg nga dallgët. Ishte një përzierje e çuditshme aromash të prishura dhe dhomash të paajrosura, që rëndonte në ato qoshe të ngushta derisa një stuhi e madhe t’u sillte pak ajër të freskët.

Ajo errësirë e paqartë më pëlqente. Edhe vetmia e papritur më bënte mirë. E ngadalësova hapin dhe fillova të vështroja rrugicë pas rrugice. Secila ishte ndryshe nga tjetra: njëra dukej e qetë, tjetra joshëse dhe e shthurur. Të gjitha ishin të errëta dhe prej tyre vinte një zhurmë e mbytur muzike e zërash, që ngrihej në mënyrë misterioze nga brendësia e lokaleve, aq sa mezi mund të merrej me mend se nga buronte. Dyert ishin të mbyllura dhe vetëm ndonjë dritë e kuqe apo e verdhë vezullonte pas tyre.

I dua këto rrugica në qytetet e huaja, këtë treg të ndyrë të të gjitha pasioneve, këtë grumbullim të fshehtë tundimesh për marinarët që, pas netëve të vetmuara në dete të largëta e të rrezikshme, ndalen këtu për një natë, për t’i përmbushur brenda një ore të gjitha ëndrrat e tyre të shumta dhe epshore.

Këto rrugica të vogla anësore duhet të fshihen diku në ultësirat e qytetit të madh, sepse ato thonë, me një paturpësi të hapur, atë që shtëpitë e ndriçuara, me xhamat e pastër dhe njerëzit e tyre të rëndësishëm, e fshehin pas njëqind maskave.

Këtu muzika del nga dhomat e vogla dhe të josh. Kinematë premtojnë mrekulli të panjohura përmes afisheve të tyre të mëdha e të ndezura. Drita të vogla katrore struken nën portat e ndërtesave dhe të bëjnë me sy, si me një përshëndetje të fshehtë e joshëse. Në hapësirën e një dere gjysmë të hapur vezullon mishi i zhveshur nën stolitë e praruara. Nga kafenetë dëgjohen zërat e dehur, ndërsa grindjet e lojtarëve shpërthejnë me zhurmë.

Marinarët buzëqeshin kur takohen në këto rrugica. Shikimet e tyre të topitura ndizen nga premtimet e shumta, sepse këtu gjendet gjithçka: gra dhe lojëra fati, pije dhe spektakël, aventura të ndyra dhe aventura të mëdha. E gjithë kjo fshihet pas grilave të dritareve të ulura me hipokrizi. Gjithçka ndodh brenda. Dhe pikërisht kjo pamje e mbyllur e josh njeriun dyfish: me misterin e saj dhe me mundësinë për të hyrë në të.

Këto rrugë janë të njëjta në Hamburg, në Colombo dhe në Havana, ashtu siç janë të njëjta edhe bulevardet e mëdha të luksit. Sepse pjesa e sipërme dhe ajo e poshtme e jetës kanë të njëjtën formë. Janë mbetjet e fundit fantastike të një bote ku shqisat dhe instinktet nuk njohin rregulla, ku dëshirat shpërthejnë brutalisht dhe pa fre. Ato janë një pyll i errët pasionesh, një kaçube e dendur plot krijesa instinktive, joshëse për atë që zbulojnë dhe tërheqëse për atë që fshehin.

Njeriu mund të ëndërrojë për to.

Edhe kjo rrugicë ishte e tillë dhe papritur ndjeva se kisha rënë në kurthin e saj. Pa ndonjë qëllim të caktuar, u isha vënë pas disa kalorësve të armatosur, shpatat e të cilëve zvarriteshin dhe përplaseshin mbi kalldrëmin e pabarabartë. Nga një lokal, gratë u thërrisnin, qeshnin dhe u drejtonin fjalë të pahijshme. Njëri prej tyre trokiti në dritare. Diku u dëgjua një zë që mallkonte. Ata vazhduan rrugën, të qeshurat u larguan dhe, shumë shpejt, nuk i dëgjova më.

Rrugica u zhyt përsëri në heshtje. Disa dritare vezullonin paqartë nën shkëlqimin e mjegullt të hënës së zbehtë. Qëndrova aty dhe thitha me frymë atë qetësi të çuditshme, sepse pas saj fshihej diçka që gumëzhinte nga misteri, epshi dhe rreziku. E ndieja qartë se kjo heshtje ishte një gënjeshtër dhe se, nën mjegullën e turbullt të asaj rrugice, vezullonte diçka nga kalbëzimi i botës. Megjithatë, qëndroja aty, i palëvizur, duke dëgjuar zbrazëtinë.

Nuk e ndieja më qytetin dhe as rrugicën, as emrin e saj e as timin. Vetëm ndieja se isha i huaj në atë vend, i shkëputur mrekullisht nga gjithçka, i vendosur në një botë të panjohur, pa ndonjë qëllim, pa ndonjë mesazh dhe pa asnjë lidhje me të. E megjithatë, gjithë atë jetë të errët përreth e ndieja aq të pranishme brenda vetes, sikur të ishte gjaku që rridhte nën lëkurën time.

Vetëm këtë ndjenjë përjetoja: asgjë nuk ndodhte për mua dhe, megjithatë, gjithçka më përkiste. Ishte ajo ndjenjë e mrekullueshme kur, edhe pse nuk je pjesë e asaj që ndodh, njeriu përjeton më thellë dhe më vërtetë se kurrë. Një ndjenjë që buron nga thellësitë e qenies sime dhe që më pushton gjithmonë, si një kënaqësi, kur gjendem në vende të panjohura.

Papritur, ndërsa qëndroja në atë rrugicë të vetmuar dhe dëgjoja, sikur prisja diçka që duhej patjetër të ndodhte, diçka që do të më nxirrte nga ajo gjendje ëndërrimtare, dëgjova nga larg, përmes një muri apo të mbytur nga distanca, një këngë gjermane. Ishte ajo këngë e thjeshtë vallëzimi nga opera Gjuetari i lirë: „Schöner, grüner Jungfernkranz”.

E këndonte një zë gruaje, shumë keq, por megjithatë ishte një melodi gjermane. Gjermanishtja dëgjohej diku në atë qoshe të largët të botës dhe, për këtë arsye, më tingëllonte si diçka e afërt, si një përshëndetje vëllazërore. Kënga vinte nga diku, por unë e ndjeva si një përshëndetje, si fjalën e parë të atdheut që dëgjoja pas shumë javësh.

Kush po flet këtu në gjuhën time? – pyeta veten. Çfarë kujtimi e shtyn këtë grua, në këtë rrugicë të ngatërruar e të egër, ta nxjerrë përsëri nga zemra atë këngë të varfër?

Fillova ta ndiqja zërin, duke kaluar pranë një shtëpie pas tjetrës. Të gjitha qëndronin aty si në gjysmëgjumë, me grilat e mbyllura, por pas tyre vezullonte në mënyrë tradhtare ndonjë dritë dhe, herë pas here, shfaqej një dorë që bënte shenjë.

Nëpër mure ishin ngjitur mbishkrime të mëdha e të ndezura dhe afishe që tërhiqnin vëmendjen. Një bar i fshehur premtonte ale, uiski dhe birrë. Por gjithçka ishte e mbyllur, refuzuese e megjithatë joshëse. Diku dëgjoheshin hapa të largët dhe, herë pas here, zëri i gruas që tani e këndonte refrenin më qartë, gjithnjë e më afër. Më në fund e dallova shtëpinë.

Hezitova për një çast, pastaj iu afrova derës së brendshme, e cila ishte e mbuluar dendur me perde të bardha.

Pikërisht kur u përkula për të parë më mirë, diçka u gjallërua papritur në hijen e korridorit. Një figurë, e cila me sa dukej kishte qëndruar e ngjeshur pas xhamit, u shkëput me një lëvizje të frikësuar. Një fytyrë, e përfshirë nga drita e kuqe e fenerit që varej sipër, por njëkohësisht e zbehtë nga tmerri, më shikoi me sy të zgurdulluar. Burri murmuriti diçka që ngjante me një kërkimfalje dhe u zhduk në muzgun e rrugicës.

Ishte një përshëndetje e çuditshme. E ndoqa me sy.

M’u duk se hija e tij, teksa largohej, lëvizi edhe një herë, por nuk arrita të dalloj asgjë. Brenda, zëri i gruas vazhdonte të këndonte, madje m’u duk edhe më i qartë. Kjo më tërhoqi. E hapa derën dhe hyra shpejt.

Fjala e fundit e këngës u ndërpre sikur të ishte prerë me thikë. Me një ndjenjë frike, ndjeva përpara vetes një zbrazëti, një armiqësi të heshtjes, sikur të kisha shkatërruar diçka.

Dalëngadalë sytë m’u përshtatën me dhomën. Ajo ishte pothuajse e zbrazët: një banak pijesh dhe një tavolinë. E gjithë hapësira dukej vetëm si paradhomë e disa dhomave të tjera prapa, dyert e të cilave ishin gjysmë të hapura. Drita e zbehtë e llambave dhe shtretërit e përgatitur tregonin qartë se për çfarë shërbenin ato dhoma.

Përpara, pranë tavolinës, e mbështetur mbi bërryla, qëndronte një vajzë e grimuar dhe e lodhur. Pas banakut ishte e zonja e lokalit, një grua e shëndoshë, me pamje të pistë e të hirtë. Pranë saj ndodhej edhe një vajzë tjetër, jo pa hijeshi.

Përshëndetja ime ra rëndë në atë dhomë. Vetëm pas një vonese të gjatë mora një përgjigje të mërzitur.

Nuk ndihesha mirë që kisha hyrë aq papritur në atë heshtje të zbrazët e të tensionuar. Me kënaqësi do të isha larguar menjëherë, por sikleti nuk më lejonte të gjeja një arsye për t’u tërhequr. Prandaj u ula, i dorëzuar, pranë tavolinës së përparme.

Vajza, sikur më në fund t’i kujtohej detyrimi i saj, më pyeti çfarë dëshiroja të pija. Nga frëngjishtja e saj e rëndë e kuptova menjëherë se ishte gjermane.

Porosita një birrë. Ajo shkoi dhe u kthye me një ecje të plogësht, që shprehte edhe më shumë indiferencë sesa shikimi i saj i cekët, i cili shkëlqente dobët nën qepallat e rënda, si një dritë që po shuhej.

Mekanikisht, sipas zakonit të atyre lokaleve, vendosi pranë gotës sime edhe një gotë për vete. Kur ma ngriti gotën, shikimi i saj kaloi përmes meje, i zbrazët dhe pa interes. Kështu munda ta vështroja më mirë.

Fytyra e saj, në të vërtetë, kishte ende tipare të bukura e të rregullta, por një lodhje e brendshme e kishte shndërruar në një maskë të rëndomtë. Gjithçka në të varej e plogësht: qepallat e rënda, flokët e lëshuar, faqet e njollosura nga grimi i lirë, të cilat tashmë kishin filluar të lëshoheshin dhe formonin një rrudhë të gjerë deri te goja. Edhe fustani i rrinte i hedhur pa kujdes. Zëri i saj ishte i shterur, i ashpër nga tymi dhe birra.

Në gjithçka ndieja praninë e një njeriu të lodhur, që vazhdonte të jetonte vetëm nga zakoni, pothuajse pa ndjenja.

Me një ndjenjë sikleti dhe tmerri, e pyeta diçka. Ajo m’u përgjigj pa më shikuar, me indiferencë e mpirje, duke lëvizur mezi buzët. Ndjeva se prania ime ishte e padëshiruar.

Pas banakut, e zonja e lokalit gogësinte. Vajza tjetër rrinte ulur në një qoshe dhe më vështronte, sikur priste që ta thërrisja.

Do të kisha dashur të largohesha, por gjithçka më dukej e rëndë. Rrija ulur në atë ajër të ngopur e të ndenjur, i mpirë si marinarët e dehur, i mbajtur aty nga kureshtja dhe tmerri. Sepse ajo indiferencë kishte diçka çuditërisht joshëse.

Papritur u hodha përpjetë, i trembur nga një e qeshur e mprehtë që shpërtheu pranë meje. Në të njëjtën kohë, flaka e llambës u lëkund. Nga rryma e ajrit kuptova se dikush sapo kishte hapur derën pas shpinës sime.

— Prapë erdhe? — dëgjova një zë pranë meje, që fliste gjermanisht dhe tallej me zë të lartë. — Prapë po sillesh rreth shtëpisë, koprrac i vjetër? Eja, mos ki frikë, nuk do të të bëj gjë!

U ktheva menjëherë, fillimisht nga ajo që po bërtiste me një zë aq të mprehtë, sikur zjarri t’i shpërthente nga brenda, pastaj nga dera.

Edhe pa u hapur plotësisht, e njoha figurën e kërrusur dhe shikimin e përulur të atij njeriu që pak më parë e kisha parë të ngjitur pas derës.

Ai mbante kapelën në dorë, i frikësuar si lypës, dhe dridhej nën përshëndetjen e saj të egër, nën të qeshurën që ia kishte pushtuar krejt trupin gruas. Edhe e zonja e lokalit, pas banakut, e shoqëronte me një pëshpëritje të shpejtë.

— Ulu atje, pranë Françoise-s! — e urdhëroi gruaja e shkretë, ndërsa ai iu afrua me hapa të pasigurt e të zvarritur. — Po e sheh se kam një zotëri këtu.

Ajo ia tha në gjermanisht. E zonja e lokalit dhe vajza tjetër qeshën me zë, ndonëse nuk kuptonin asgjë, por dukej se e njihnin tashmë atë mysafir.

— Jepi shampanjë, Françoise! — bërtiti ajo duke qeshur. — Një shishe nga më e shtrenjta!

Pastaj iu kthye përsëri atij, me një ton tallës:

— Nëse të duket e shtrenjtë, rri jashtë, koprrac i mjerë! Do të doje të më shikoje falas, apo jo? E di unë, ti gjithçka e do falas!

Trupi i gjatë i burrit u tkurr edhe më shumë nën atë të qeshur të ligë. Shpina iu ngrit shtrembër, sikur fytyra të kërkonte të fshihej si ajo e një qeni të rrahur. Dora i dridhej kur kapi shishen dhe, duke mbushur gotat, derdhi verën.

Shikimi i tij, që vazhdimisht ngrihej drejt fytyrës së saj, nuk arrinte të qëndronte aty. Sytë i rrëshqisnin përsëri poshtë dhe kërkonin nëpër pllakat e dyshemesë.

Vetëm atëherë arrita ta shihja qartë fytyrën e tij nën dritën e llambës: të rraskapitur, të zbehtë, me flokë të lagësht e të rrallë mbi një kafkë të dalë. Gjymtyrët i kishte të lëshuara, sikur të thyera. Gjithçka në të ishte e shtrembër, e zhvendosur dhe e përkulur. Por në shikimin që ngriti për një çast e pastaj e uli menjëherë, vezulloi një dritë e ligë.

— Mos u merrni me të! — më tha vajza në frëngjisht, duke më kapur ashpër për krahu, sikur donte të më kthente nga ana e saj. — Kjo është një punë e vjetër mes meje dhe tij. Nuk ka filluar sot.

Pastaj, duke i zbuluar dhëmbët si një kafshë e gatshme për kafshim, iu drejtua përsëri atij:

— Dëgjo mirë, o dhelpër plak! Të thashë se më mirë hidhem në det sesa të kthehem me ty!

E zonja e lokalit dhe vajza tjetër qeshën përsëri, me të qeshurën e tyre të trashë e të pakëndshme. Dukej se për to kjo ishte një lojë e zakonshme, një shaka që përsëritej çdo ditë.

Por mua m’u duk e frikshme të shihja se si vajza, papritur, filloi t’i afrohej atij me një butësi të shtirur. E përkëdhelte dhe i fliste me lajka, ndërsa ai dridhej nga ajo afërsi, pa pasur guximin ta largonte.

Më trondiste shikimi i tij kur më takonte: i frikësuar, i turpëruar dhe i përulur.

Gruaja pranë meje ishte zgjuar papritur nga plogështia e saj. Tani shkëlqente nga një ligësi e tillë, saqë edhe duart i dridheshin.

Hodha paratë mbi tavolinë dhe u bëra gati të largohesha, por ajo nuk i mori.

— Nëse ju pengon ai, do ta përzë jashtë, atë qen! Ai duhet të më bindet! Merrni edhe një gotë me mua. Eja!

M’u afrua me një lloj butësie të papritur e të sforcuar, për të cilën e kuptova menjëherë se ishte vetëm një shtirje, vetëm për ta torturuar atë tjetrin.

Në secilën prej lëvizjeve të saj hidhte një shikim të shpejtë nga ana e tij. Ishte e tmerrshme të shihje se si çdo gjest i saj ndaj meje shkaktonte një dridhje në trupin e tij, sikur të ndiente mbi gjymtyrë hekurin e skuqur në zjarr.

Pa i kushtuar vëmendje asaj, e vështroja vetëm atë burrë. Më rrëqethej trupi kur shihja se si brenda tij po rritej diçka e egër: zemërimi, urrejtja, xhelozia dhe dëshira, por që menjëherë përulej sapo ajo kthente kokën.

Ajo m’u afrua edhe më shumë. E ndieja trupin e saj që dridhej nga kënaqësia e ligë e kësaj loje. Më neveritnin fytyra e saj e ndezur, aroma e pudrës së lirë dhe kundërmimi i trupit të saj të lodhur.

Për ta larguar nga vetja, zgjata dorën drejt një cigareje. Ndërkohë që sytë e mi kërkonin një shkrepëse mbi tavolinë, ajo tashmë e kishte urdhëruar:

— Sill zjarr!

U trondita edhe më shumë se ai nga kjo kërkesë e ulët për të më shërbyer. U përpoqa të gjeja vetë një shkrepëse, por ai, i goditur nga urdhri i saj si nga një kamxhik, u ngrit menjëherë dhe erdhi drejt nesh me hapat e tij të shtrembër.

E vendosi shpejt çakmakun mbi tavolinë, sikur edhe prekja e tij të mund t’ia digjte gishtat.

Për një sekondë shikimet tona u kryqëzuan. Në sytë e tij pashë një turp të pafund dhe një hidhërim që kërcëllinte nga brenda.

Ai shikim i robëruar preku njeriun brenda meje, atë pjesë që ndiente dhembshuri për tjetrin. E ndjeva poshtërimin që i bënte ajo grua dhe u turpërova bashkë me të.

— Ju falënderoj shumë, — i thashë në gjermanisht. — Nuk ishte nevoja të mundoheshit.

Pastaj i zgjata dorën.

Ai hezitoi gjatë. Më në fund ndjeva gishtat e tij të lagësht e kockorë dhe, papritur, një shtrëngim të fortë, pothuajse ngërç, si shenjë mirënjohjeje.

Për një çast sytë iu ndriçuan kur u takuan me të mitë, pastaj u fshehën përsëri nën qepallat e rënda.

Nga inati desha ta ftoja të ulej pranë nesh. Me sa dukej, gjesti im mikpritës u kuptua, sepse ajo menjëherë e urdhëroi:

— Kthehu, ulu! Mos na pengo këtu!

Papritur më kaploi neveria nga zëri i saj gërryes dhe nga ajo torturë. Ç’më duhej ajo skutë e tymosur, ajo grua e neveritshme, ai njeri i shkretë, ajo mjegull birre, tymi dhe parfumi të keq?

Kisha nevojë për ajër.

I shtyva paratë drejt saj, u ngrita dhe u tërhoqa me vendosmëri, pikërisht kur ajo po përpiqej të më afrohej përsëri me lajka.

Më neveriste të bëhesha pjesë e poshtërimit të atij njeriu. Me mënyrën se si u largova, ia bëra të qartë se ajo nuk kishte asnjë fuqi joshëse mbi mua.

Gjaku i saj u trazua nga inati. Një rrudhë e shëmtuar iu shfaq rreth gojës, por ajo u përmbajt dhe nuk tha asgjë. U kthye me një shpërthim urrejtjeje të hapur nga ai burrë, i cili, duke pritur më të keqen, u ngut të fuste dorën në xhep dhe, me gishta që i dridheshin, nxori një kuletë.

Ishte e qartë se kishte frikë të mbetej vetëm me të. Nga nxitimi nuk po arrinte t’i zgjidhte nyjat e kuletës. Ishte një kuletë e thurur, e zbukuruar me rruaza qelqi, si ato që mbanin fshatarët dhe njerëzit e thjeshtë.

Ishte e lehtë të kuptohej se nuk ishte mësuar të shpenzonte para me shpejtësi, ndryshe nga marinarët, të cilët i nxirrnin monedhat me një lëvizje të dorës nga xhepat që u tingëllonin dhe i hidhnin mbi tavolinë. Ai, me sa dukej, ishte mësuar t’i numëronte me kujdes dhe t’i peshonte monedhat mes gishtërinjve.

— Shikojeni si dridhet për qindarkat e tij të dashura! Po të duket se po vonohesh? Prit pak! — e talli ajo, duke iu afruar edhe një hap.

Ai u tërhoq i trembur.

Ajo, kur pa frikën e tij, ngriti supet dhe, me një neveri të papërshkrueshme në sy, i tha:

— Nuk po t’i marr paratë! Pështyj mbi to! E di unë, i ke numëruar të gjitha qindarkat e tua të mira. Asnjëra nuk guxon të dalë kot në botë!

Por pastaj, papritur, i trokiti me gisht në gjoks:

— Po ato letrat që i ke qepur këtu brenda, që të mos t’i vjedhë askush, ato së pari!

Dhe vërtet, ashtu si një i sëmurë nga zemra që, në një ngërç të papritur, e kap gjoksin me dorë, edhe ai e çoi dorën e zbehtë e të dridhur te një vend i caktuar i xhaketës. Gishtat i prekën pavullnetshëm atë strehë të fshehtë dhe pastaj u tërhoqën të qetësuar.

— Koprrac! — e pështyu ajo.

Por, në atë çast, fytyra e burrit të torturuar u skuq nga një shpërthim i papritur. Ai ia hodhi kuletën vajzës tjetër me një lëvizje të vrullshme. Ajo fillimisht bërtiti e tronditur, pastaj shpërtheu në të qeshura. Ndërkohë, ai kaloi pranë gruas dhe doli me vrap nga dera, sikur po ikte prej një zjarri.

Për një çast ajo qëndroi e ngrirë, me sytë që i shkëlqenin nga tërbimi. Pastaj qepallat iu lëshuan përsëri dhe lodhja ia përkuli trupin. Brenda një minute dukej sikur ishte plakur. Në shikimin që më hodhi tani kishte diçka të pasigurt dhe të humbur.

Qëndronte aty si një e dehur që sapo ishte zgjuar, me një ndjenjë të rëndë turpi.

— Jashtë do të ankohet për paratë e tij, ndoshta do të shkojë edhe në polici e do të thotë se e kemi vjedhur. E nesër prapë do të vijë. Por mua nuk do të më ketë! Të gjithë të tjerët, vetëm ai jo!

Ajo shkoi te banaku, hodhi disa monedha dhe e zbrazi me një të rënë një gotë raki. Drita e ligë iu ndez përsëri në sy, por tani ishte e turbullt, si nën lotët e zemërimit dhe të turpit.

Mua më kapi neveria ndaj saj dhe ma shoi edhe dhembshurinë që kisha ndier.

— Mirëmbrëma, — thashë dhe dola.

— Bon soir, — u përgjigj e zonja e lokalit.

Ajo as që u kthye të më shikonte. Vetëm qeshi me të qeshurën e saj të mprehtë e tallëse.

Pjesa e dytë

Kur dola jashtë, rrugica ishte vetëm natë dhe qiell, një errësirë e vetme, e rëndë, mbi të cilën shkëlqente larg, shumë larg, një dritë e zbehtë e hënës.

E thitha me etje ajrin e vakët, por të fuqishëm. Ndjenja e tmerrit u tret dalëngadalë dhe u shndërrua në një habi të madhe për larminë e fateve njerëzore. M’u kthye përsëri ajo ndjenjë që ndonjëherë më mbush zemrën deri në lot: pas çdo xhami të dritares pret një fat njerëzor, çdo derë hapet drejt një përvoje të re. Kudo është e pranishme larmia e pafund e kësaj bote. Madje edhe këndi më i ndyrë mund të jetë po aq i mbushur me përvoja të jetuara, sa ç’është kalbëzimi i mbushur me shkëlqimin e zellshëm të brumbujve.

Kujtimi i asaj përvoje të neveritshme po largohej. Tensioni i brendshëm ishte zbutur në një lodhje të ëmbël, e cila dëshironte që gjithçka e përjetuar të shndërrohej në një ëndërr më të bukur.

Pa e kuptuar, fillova të shikoja përreth, duke kërkuar rrugën për në hotel, nëpër atë ngatërresë rrugicash të përdredhura.

Papritur, një hije m’u afrua. Duhet të kishte ardhur pa zhurmë, sepse nuk e kisha dëgjuar.

— Më falni, — tha ai. E njoha menjëherë zërin e përulur. — Por më duket se nuk po orientoheni mirë këtu. A mund t’ju tregoj rrugën? Në cilin hotel banon zotëria?

Ia tregova emrin e hotelit.

— Mund t’ju shoqëroj… nëse më lejoni, — shtoi menjëherë me përulësi.

Tmerri më pushtoi sërish. Hapat e tij të ngadaltë, pothuajse të padëgjueshëm, por që ecnin ngjitur me mua, errësira e lagjes së marinarëve dhe kujtimi i asaj që sapo kisha përjetuar, gradualisht u shndërruan në një ndjenjë të çuditshme, si në ëndërr, pa gjykim e pa kundërshtim.

E ndieja përulësinë e syve të tij, ndonëse nuk mund t’i shihja. Vëreja dridhjen e buzëve dhe e kuptoja se dëshironte të më fliste. Por, nga turbullimi i ndjenjave të mia, në të cilin kureshtja e zemrës përzihej me një mpirje fizike, nuk bëja asgjë për ta ndihmuar, por as për ta penguar.

Ai u kollit disa herë. E ndieja përpjekjen e tij të mbytur për të folur. Por, si të ishte përhapur tek unë një lloj mizorie e çuditshme nga ajo grua, kënaqesha me përpjekjen e tij të mundimshme, me turpin dhe vuajtjen shpirtërore që po përjetonte. Nuk e ndihmoja. E lija heshtjen e rëndë e të zezë të qëndronte mes nesh.

Hapat tanë tingëllonin të çuditshëm në atë errësirë: të tijtë të lehtë, të zvarritur e të vjetër; të mitë të qëllimshëm, të fortë e të rëndë, sikur të dëshiroja të ikja sa më shpejt nga ajo botë e ndyrë.

Gjithnjë e më shumë e ndieja tensionin mes nesh. Heshtja ishte e mprehtë, e mbushur me një britmë të brendshme, si një tel i tendosur deri në këputje. Më në fund ai e theu me një fjalë, por fillimisht me një hezitim të tmerrshëm.

— Ju… ju, zotëri… brenda patë një skenë të çuditshme… më falni… më falni që po flas përsëri për këtë… por, me siguri, ju është dukur e pazakontë… dhe unë duhet t’ju jem dukur qesharak… ajo grua… puna është se…

Përsëri u ndal. Diçka ia shtrëngonte fytin. Pastaj zëri iu bë krejt i ulët dhe, me nxitim, pëshpëriti:

— Ajo grua… është gruaja ime.

Duhet të jem tronditur nga habia, sepse ai vazhdoi të fliste me ngut, sikur të kërkonte të justifikohej:

— Domethënë, ka qenë gruaja ime… para pesë, para katër vjetësh… në Geratzheim, atje në Hessen, ku jetoj unë. Nuk dua, zotëri, që të mendoni keq për të… ndoshta është faji im që ajo është bërë kështu.

Ajo nuk ka qenë gjithmonë e tillë… Unë… unë e kam munduar. E mora për grua, ndonëse ishte shumë e varfër. Nuk kishte as pëlhurë për të mbuluar veten, asgjë, absolutisht asgjë. Ndërsa unë jam i pasur… domethënë, kam pasuri… jo i pasur në kuptimin e plotë të fjalës… ose të paktën atëherë kisha.

Dhe, e dini, zotëri, ndoshta isha… siç thotë ajo, tepër kursimtar. Por më parë nuk isha kështu, zotëri, para fatkeqësisë. E mallkoj atë ves. Por babai im ishte i tillë, edhe nëna, të gjithë në familjen time ishin të tillë.

Kisha punuar shumë për çdo qindarkë. Ajo, ndërkaq, ishte natyrë e lehtë, i pëlqenin gjërat e bukura, ndonëse vetë ishte e varfër. Dhe unë ia përmendja vazhdimisht varfërinë. Nuk duhej ta bëja, këtë e kuptoj tani, zotëri, sepse ajo është krenare, shumë krenare.

Nuk duhet të besoni se ajo është ashtu siç paraqitet. Është gënjeshtër. Ajo po e lëndon edhe veten… vetëm e vetëm që të më lëndojë mua, që të më torturojë… dhe… sepse… sepse i vjen turp…

Ndoshta edhe është bërë e keqe, por unë… nuk besoj. Sepse, zotëri, ajo ka qenë shumë e mirë, jashtëzakonisht e mirë…

Ai fshiu sytë dhe ndaloi për një çast, i pushtuar nga emocionet.

E shikova pa dashje. Papritur nuk më dukej më qesharak. Madje as ajo mënyrë e çuditshme dhe tepër e përulur e të folurit, ajo thirrje e vazhdueshme „zotëri”, që në Gjermani përdoret zakonisht nga njerëzit e shtresave të ulëta, nuk më tingëllonte më e çuditshme.

Fytyra e tij ishte shndërruar nga përpjekja e brendshme për të folur. Ndërsa vazhdonte të ecte me vështirësi, shikimi i kishte mbetur i ngulur në kalldrëm, sikur aty, në dritën e lëkundur të fenerëve, po lexonte me mundim atë që i shkëputej nga fyti i shtrënguar.

— Po, zotëri, — tha më në fund, duke marrë frymë thellë. Zëri i tij tani ishte krejt tjetër, më i errët, sikur të vinte nga një botë më e butë e shpirtit të tij.

— Ajo ka qenë shumë e mirë… edhe me mua. Ishte shumë mirënjohëse që e kisha nxjerrë nga mjerimi i saj. Edhe unë e dija se ishte mirënjohëse… por… unë… dëshiroja ta dëgjoja. Përsëri e përsëri. Më bënte mirë ta dëgjoja atë mirënjohje.

Zotëri, ishte një ndjenjë aq e mirë, aq e pakufishme, të ndieje se ishe më i mirë se dikush tjetër… edhe kur e dije se në të vërtetë ishe më i keqi.

Do të kisha dhënë të gjitha paratë e mia vetëm që ta dëgjoja vazhdimisht. Por ajo ishte shumë krenare dhe sa më shumë e kuptonte se unë kërkoja prej saj atë mirënjohje, aq më pak dëshironte të ma shprehte.

Prandaj… vetëm për këtë arsye, zotëri, e detyroja të më lutej. Kurrë nuk i jepja diçka me dëshirën time. Më bënte mirë që ajo të vinte të më lutej për çdo fustan, për çdo fjongo, për çdo gjë të vogël. E kam torturuar kështu për tri vjet, gjithnjë e më shumë.

Por, zotëri, e bëja vetëm sepse e doja…

Më pëlqente krenaria e saj, por njëkohësisht dëshiroja ta nënshtroja. I marrë që isha! Sa herë që ajo kërkonte diçka, zemërohesha… por, zotëri, në të vërtetë nuk isha i zemëruar. Përkundrazi, ndieja një kënaqësi të madhe sa herë që më jepej rasti ta poshtëroja, sepse… sepse nuk e kuptoja as vetë se sa shumë e doja…

Ai u ndal përsëri.

Ecënim ngadalë, ndërsa ai pothuajse lëkundej në çdo hap. Me sa dukej, më kishte harruar. Fliste mekanikisht, sikur të ishte në gjumë, dhe zëri i ngrihej gjithnjë e më shumë.

— Këtë… këtë e kuptova vetëm atëherë, në atë ditë të mallkuar… Kur i refuzova paratë për nënën e saj. Ishte një shumë fare e vogël. Në të vërtetë, paratë i kisha bërë gati, por dëshiroja që ajo të vinte edhe një herë, të më lutej përsëri…

Po çfarë po them unë?! Po, atëherë e kuptova, kur u ktheva në mbrëmje në shtëpi dhe ajo ishte larguar. Mbi tavolinë kishte lënë vetëm një copë letër.

Në të shkruhej:

„Mbaji paratë e tua të mallkuara! Unë nuk dua më asgjë prej teje!”

Kaq. Asgjë tjetër.

Zotëri, për tri ditë e tri net kam qenë si i çmendur. U kërkova njerëzve ta kontrollonin lumin dhe pyllin. I dhashë qindra njoftime policisë. Shkova te të gjithë fqinjët, por ata vetëm më përqeshnin dhe më tallnin.

Asgjë. Nuk gjendej askund.

Më në fund, dikush nga fshati tjetër më solli lajmin se e kishte parë në tren, bashkë me një ushtar. Kishte shkuar në Berlin.

U nisa pas saj po atë ditë. Lashë pas të gjitha punët e mia…

Humba mijëra. Më vodhën, më mashtruan shërbëtorët, administratori im, të gjithë, të gjithë… por, ju betohem, zotëri, nuk më bëhej vonë.

Qëndrova në Berlin. M’u desh një javë derisa e gjeta në atë vorbull të madhe njerëzish. Pastaj shkova tek ajo…

Ai mori frymë me vështirësi.

— Zotëri, ju betohem… nuk i thashë asnjë fjalë të rëndë. Qava… rashë në gjunjë para saj… i ofrova para… të gjithë pasurinë time. I thashë se mund ta administronte vetë, sepse atëherë e kisha kuptuar se nuk mund të jetoja pa të.

E dua çdo fije të flokëve të saj, gojën e saj, trupin e saj, gjithçka, gjithçka… Dhe jam unë ai që e kam shtyrë drejt asaj jete. Vetëm unë jam fajtor…

Ajo ishte e zbehtë si vdekja kur hyra papritur në dhomën e saj.

Kisha korruptuar të zonjën e shtëpisë, një ndërmjetëse, një grua të keqe e të rëndomtë, e cila dukej e bardhë si gëlqerja në mur.

Ajo më dëgjoi. Zotëri, besoj se ishte… po, besoj se në njëfarë mënyre u gëzua kur më pa.

Por, kur fillova t’i flisja për paratë… dhe unë e bëra këtë, ju betohem, vetëm për t’i treguar se nuk mendoja më për to… ajo pështyu.

Pastaj, kur pa se nuk dëshiroja të largohesha, thirri të dashurin e saj dhe të dy filluan të më përqeshnin.

Por, zotëri, unë u ktheva përsëri. Ditë pas dite.

Njerëzit e asaj shtëpie më tregonin gjithçka. E dija se ai i poshtër e kishte braktisur dhe se ajo kishte mbetur në vështirësi. Prandaj shkova edhe një herë.

Edhe një herë, zotëri.

Por ajo më bërtiti dhe grisi një dëftesë që unë ia kisha lënë fshehurazi mbi tavolinë. Kur u ktheva përsëri, ajo ishte larguar.

Çfarë nuk bëra për ta gjetur! Për një vit të tërë, ju betohem, nuk jetova fare. Vetëm kërkoja e kërkoja. Paguaja agjenci të ndryshme, derisa më në fund mësova se ndodhej atje, në Argjentinë… në… në një shtëpi të keqe…

Ai hezitoi për një çast. Fjala e fundit i doli nga goja si një gulçimë. Zëri iu errësua.

— U tmerrova shumë… në fillim. Por pastaj mendova se isha vetëm unë ai që e kishte shtyrë deri në atë gjendje. Mendova se sa shumë duhej të vuante e shkreta… sepse ajo ishte krenare mbi të gjitha.

Shkova te avokati im. Ai i shkroi konsullit dhe dërgoi para, pa e marrë vesh ajo se kush po i dërgonte. Kushti i vetëm ishte që ajo të kthehej.

Më njoftuan me telegram se gjithçka kishte shkuar mirë. E dija se me cilën anije do të vinte dhe shkova ta prisja në Amsterdam.

U nisa tri ditë më herët nga padurimi. Aq shumë digjesha nga dëshira për ta parë, sa mezi prisja që anija të shfaqej në horizont.

Më dukej se nuk do të mund të prisja derisa të afrohej dhe të ankorohej. Aq ngadalë vinte, aq ngadalë… Pastaj filluan të zbrisnin udhëtarët, njëri pas tjetrit, derisa më në fund, më në fund, u shfaq edhe ajo.

Nuk e njoha menjëherë. Ishte krejt ndryshe. E grimuar… dhe tashmë ashtu… ashtu siç e keni parë edhe ju.

Kur më pa duke e pritur, u zbeh.

Dy marinarë u desh ta mbanin, përndryshe do të rrëzohej nga ura e anijes.

Sapo zbriti në tokë, iu afrova. Nuk thashë asgjë. Fyti më ishte shtrënguar.

As ajo nuk foli. Nuk më shikonte.

Hamalli i mori valixhet përpara dhe ne vazhduam të ecnim. Ecëm gjatë, pa folur.

Papritur ajo ndaloi dhe më pyeti:

„A dëshiron ende të jem gruaja jote, edhe tani?”

Zotëri, mënyra se si ma tha këtë… sa dhimbje kishte në atë zë, sa trishtim!

Unë e kapa për dore.

Ajo dridhej, por nuk tha asgjë. Megjithatë, e ndjeva se gjithçka tashmë do të bëhej mirë.

Zotëri, sa i lumtur isha!

Në dhomë u solla si fëmijë. Vallëzoja rreth saj, rashë në këmbët e saj… duhet të kem thënë marrëzira, sepse ajo buzëqeshi mes lotësh dhe më përkëdheli.

Ishte, natyrisht, shumë e ndrojtur, por, zotëri… sa mirë më bënte kjo! Zemra më shkrihej nga lumturia.

Vrapova shkallëve lart e poshtë, porosita një darkë në hotel, darkën tonë të ribashkimit. E ndihmova të vishej…

Dhe pastaj zbritëm poshtë. Hëngrëm, pimë dhe ishim të lumtur.

Oh, sa e gëzuar ishte ajo! Si një fëmijë. Ishte e ngrohtë dhe e mirë. Fliste për shtëpinë dhe për gjithçka që do të rregullonim përsëri së bashku.

Dhe atëherë…

Zëri i tij papritur u bë i ashpër. Me dorë bëri një lëvizje sikur dëshironte të thyente diçka.

— Atëherë ishte një kamerier… një njeri i keq, i rëndomtë… që mendoi se isha i dehur, sepse isha aq i gëzuar, qeshja me zë dhe mezi përmbahesha nga lumturia.

Por unë nuk isha i dehur. Isha vetëm shumë, shumë i lumtur…

Dhe kur erdhi koha të paguaja, ai më ktheu njëzet franga më pak.

Unë e ndala dhe kërkova pjesën që mungonte.

Ai u hutua dhe më vendosi mbi tavolinë monedhën e artë që më kishte borxh.

Dhe atëherë ajo filloi të qeshte me të madhe.

E shikova. Por fytyra e saj kishte ndryshuar krejtësisht. Ishte bërë e ftohtë, e ashpër dhe e ligë.

„Sa i saktë që ke mbetur ende! Edhe në ditën tonë të ribashkimit!” — më tha me një zë të ftohtë, aq të mprehtë dhe… aq plot keqardhje.

U trondita dhe mallkova vetveten për atë imtësi. U përpoqa të qesh përsëri, por gëzimi i saj ishte zhdukur. Kishte vdekur.

Ajo kërkoi një dhomë më vete. Çfarëdo që të më kishte kërkuar, do t’ia kisha dhënë.

Atë natë fjeta vetëm dhe mendova vetëm se çfarë mund t’i blija të nesërmen, çfarë dhurate mund t’i bëja, si t’i tregoja se nuk isha më koprrac, se nuk do të sillesha më kurrë ashtu me të.

Të nesërmen në mëngjes dola herët dhe bleva një byzylyk.

Kur hyra në dhomën e saj…

Dhoma ishte bosh.

Krejt njësoj si atëherë, në ditën kur ishte larguar për herë të parë.

E dija se mbi tavolinë do të gjendej një copë letër.

Vrapova drejt saj dhe iu luta Zotit të mos ishte e vërtetë.

Por… po, letra ishte aty.

Dhe në të shkruhej…

Ai hezitoi. Pa dashje ndalova edhe unë dhe e shikova.

Ai e uli kokën. Pastaj, me një zë të ngjirur, pëshpëriti:

— Në të shkruhej:

„Më lër të qetë. Më je bërë i neveritshëm…”

Pjesa e tretë

Kishim mbërritur te porti dhe papritur heshtjen e përshkoi zhurma e rëndë e dallgëve që përplaseshin aty pranë.

Anijet, me dritat e tyre që vezullonin, qëndronin si kafshë të mëdha të zeza, disa afër e disa larg. Diku dëgjohej një këngë.

Asgjë nuk ishte e qartë, por shumëçka mund të ndihej: gjumi i thellë dhe ëndrra e rëndë e një qyteti të madh e të fuqishëm.

Pranë meje e ndieja hijen e atij njeriu. Ajo dridhej çuditshëm para këmbëve të mia, herë shpërndahej e herë mblidhej përsëri, sipas lëvizjes së dritave të zbehta të fenerëve.

Nuk dija çfarë t’i thosha. Nuk kisha as fjalë ngushëllimi, as ndonjë pyetje. Por heshtjen e tij e ndieja të më ngjitej në trup, të rëndë dhe të mbytur.

Papritur më kapi krahun me duart që i dridheshin.

— Por unë nuk do të largohem prej këtu pa të! Pas muajsh të tërë arrita ta gjej përsëri. Ajo më torturon, por unë nuk do të lodhem! Ju lutem, zotëri, flisni me të! Duhet ta kem përsëri! Thuajini ju, sepse mua nuk më dëgjon!

Nuk mund të jetoj më kështu. Nuk mund ta shoh më se si burrat shkojnë tek ajo dhe pastaj presin jashtë shtëpisë derisa ata të dalin përsëri, duke qeshur e të dehur.

E gjithë rrugica tashmë më njeh. Ata qeshin kur më shohin duke pritur.

Po çmendem nga kjo, dhe megjithatë çdo mbrëmje kthehem përsëri aty.

Zotëri, ju lutem! Ju përgjërohem! Flisni me të! Unë nuk ju njoh, por bëjeni këtë për hir të mëshirës së Zotit. Flisni me të!

Pa dashje u përpoqa ta liroja krahun nga duart e tij. Ndihesha i tmerruar.

Por ai, sapo e kuptoi se po përpiqesha t’i shmangesha fatkeqësisë së tij, papritur u hodh në gjunjë në mes të rrugës dhe m’u kap për këmbë.

— Ju përgjërohem, zotëri! Duhet të flisni me të! Duhet… përndryshe… përndryshe do të ndodhë diçka e tmerrshme!

I kam shpenzuar të gjitha paratë duke e kërkuar dhe nuk do ta lë të qëndrojë këtu… jo e gjallë!

Kam blerë një thikë. Kam një thikë, zotëri! Nuk do ta lë më këtu… jo të gjallë!

Ju lutem, flisni me të!

Ai rrotullohej para meje si i çmendur.

Pikërisht në atë çast, në rrugë u shfaqën dy policë.

E ngrita me forcë nga toka. Për një çast më shikoi i hutuar, me sy të zgurdulluar. Pastaj, me një zë krejt të panjohur, të thatë dhe të qetë, më tha:

— Kthehuni në atë rrugicë atje. Pastaj do të arrini te hoteli juaj.

Edhe një herë më shikoi. Bebëzat e syve të tij dukej sikur ishin tretur në një të bardhë të tmerrshme, të zbrazët.

Pastaj u zhduk.

U mbështolla me pallton time. Më kishte kapluar të ftohtit.

Ndieja vetëm lodhje, një dehje të çrregullt, pa ndjenja, të zezë, si një gjumë i rëndë që më kishte pushtuar tërë qenien.

Doja të mendoja, të rikujtoja gjithçka që kishte ndodhur, por vazhdimisht më ngrihej brenda një valë e zezë lodhjeje dhe më tërhiqte me vete.

Me hapa të pasigurt arrita në hotel, u hodha në shtrat dhe rashë në një gjumë të rëndë, si një kafshë e rraskapitur.

Të nesërmen në mëngjes nuk e dija më nëse ajo që kisha përjetuar ishte ëndërr apo ngjarje e vërtetë. Madje, diçka brenda meje kundërshtonte edhe vetë dëshirën për ta ditur.

U zgjova vonë, i huaj në një qytet të huaj, dhe dola për të vizituar një kishë, ku thuhej se gjendeshin mozaikë antikë me famë të madhe.

Por sytë e mi i shikonin ata pa i parë. Kujtimi i takimit të natës së kaluar po më rikthehej gjithnjë e më qartë. Pa asnjë kundërshtim të brendshëm, u largova nga kisha dhe fillova të kërkoja rrugicën dhe shtëpinë.

Por ato rrugica të çuditshme jetojnë vetëm natën. Gjatë ditës mbajnë maska të hirta e të ftohta, nën të cilat vetëm ai që i njeh mund t’i dallojë.

Kërkova shumë, por nuk arrita t’i gjeja.

I lodhur dhe i zhgënjyer u ktheva në hotel, ende i ndjekur nga pamjet e çmendurisë apo të kujtesës.

Treni im nisej në orën nëntë të mbrëmjes. E lashë qytetin me njëfarë keqardhjeje.

Një hamall mori valixhet e mia dhe nisi t’i bartte përpara, drejt stacionit të trenit.

Papritur, në një kryqëzim, u ktheva me vrull. E njoha rrugicën anësore që të çonte drejt asaj shtëpie.

I kërkova hamallit të priste dhe vendosa të shkoja edhe një herë për ta parë rrugicën e aventurës.

Ai fillimisht më shikoi i habitur, pastaj qeshi me një familjaritet të pacipë.

Rrugica qëndronte e errët, njësoj si natën e kaluar. Në dritën e zbehtë të hënës, xhami i derës së asaj shtëpie vezullonte lehtë.

Desha të afrohesha edhe një herë, por nga errësira doli një figurë.

Me një drithërimë e njoha atë burrë.

Ishte ulur në pragun e derës dhe po më bënte shenjë që të afrohesha.

Por një ndjenjë e tmerrshme më pushtoi. U largova me nxitim, nga frika frikacake se mos përfshihesha edhe unë në atë ngjarje dhe humbisja trenin.

Por, para se të kthehesha në qoshe, hodha edhe një herë shikimin pas.

Kur sytë e mi u takuan me të, ai u drodh papritur, u ngrit me vrull dhe u hodh drejt derës.

Në dorën e tij shkëlqeu diçka metalike, ndërsa ai e hapi derën me nxitim.

Nga larg nuk arrita të dalloja nëse ishte paraja apo thika që vezullonte në mënyrë ogurzezë mes gishtërinjve të tij, në dritën e hënës…

Fund.

Share This:

Tags: Stefan Cvajg
Previous post
Vali Ranch Resort
Exkluzive! – Restaurant Accorn – Makresh – Gjilan
Më të Rejat
Arte tjera

Stefan Cvajg – „Rrugica në dritën e

10 November 2026
Lajme

Kamenica ndan 15,210 euro për të shpërblyer

10 November 2026
Futboll

Ismajl Rashiti, një nga “vulat identitare” të

10 November 2026
Lajme

Kuvendi i Kosovës nesër në seancë të

10 November 2026
TV Gjilani TV Gjilani

Adresa: Rr. Abdullah Tahiri, p. n, Gjilan, Kosovë.

Tel. +383 44 304 901

Impressum

Kategoritë

Lajme
Sport
Kulturë
Shëndeti

Marketing

Marketing
Shpallje

info@tvgjilani.com

Na ndiqni

©2026. All Right Reserved. TV Gjilani. All rights reserved. Portali Tv Gjilani. com mirëmbahet nga Kompania e Produksionit dhe Botimeve B. I. “Sfinga 07”. Të gjitha materialet e botuara dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen ose botohen gjetiu, e as nuk mund të shtypen e të shfrytëzohen në mënyrë apo formë tjetër, ose për qëllime përfitimi, pa marrë miratimin paraprak nga Tv.Gjilani.com Për shfrytëzimin apo përdorimin e materialeve nga Tv Gjilani.com, secili është i obliguar të marrë aprovimin paraprak dhe të pranoj kushtet e cekura si më lart. Website by Hostinkos.