Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu – NJË LIBËR FANAR PËR JETËN DHE VEPRËN E NJË MUZIKOLOGU TË PËRKORË
(Xhevdet Kallaba: ˮProf. Xhevat Ismajli – Kujtesëˮ (Monografi), Gjilan, 2026)
Bashkëvendësi im, gazetari, opinionisti e libërshkruesi, i cili ka bërë emër në letrat shqipe, Xhevdet Kallaba, para pak ditësh më solli monografinë, të cilën ia kishte kushtuar nipit të tij e tonit, muzikologut tashmë të ndjerë – profesor Xhevat Ismajlit.
Ky sihariq i papandehur, por i gëzuar, më nxiti të shkruaj këta pak rreshta, me qëllim që të paraqes një përshtypje korrekte e të sinqertë për prof. Xhevatin, shpërfaqur në libër nga Kallaba, e diçka edhe nga mbamendja ime, përballë punës profesionale-shkencore shumë të frytshme e shumëvjeçare në arsimin fillor, të mesëm e atë universitar të profesor Xhevatit, i cili në qarqet akademike vlerësohej e çmohet edhe sot si njëri nga përfaqësuesit e dalluar në fushën e muzikologjisë dhe në metodologjinë e mësimdhënies e të mësimnxënies.
Të shkruash për miqtë, shokët e shtrenjtë të jetës dhe të familjes është shumë e vështirë nga droja e subjektivizmit. Mirëpo ky frikësim edhe mua në këtë shkrim për kolegun Xhevat më shkrihet, e sigurisht edhe në mendjen e penën e Xhevdetit, sikur akulli në diell, përballë punës shumëvjeçare të një intelektuali dorëmbarë e mendjendritur, siç ishte Xhevat Ismajli dhe puna e pavdirë e tij me nxënës të Anamoravës dhe studentë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi e një kohë edhe me studentë (shqiptarë e grekë) nga Greqia (në Shkollën e Lartë Pedagogjike ˮSkënderbeuˮ në Gjilan) dhe pastaj me studentët tanë në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës – Qendra në Gjilan.
Në Parathënien e monografisë së tij, autori Xhevdet Kallaba, duke e portretizuar figurën dhe veprimtarinë e kryepersonazhit që e ka bërë objekt studimi e trajtimi, spikat atë me këto fjalë: ˮsi mësues dhe profesor i metodikës së edukatës muzikore; si organizator dhe drejtues institucional, si hulumtues i talentit muzikor, si autor që ka reflektuar mbi procesin e mësimdhënies dhe mbi teoritë bashkëkohore të të nxënit, si dhe si kronist i zhvillimit të muzikës artistike në Anamoravë.
Këto dimensione nuk qëndrojnë të ndara, por përbëjnë një tërësi organike, që e bën të domosdoshme një trajtim monografik të ndërthurur: dokumentar dhe analitik njëkohësishtˮ (f. 5).
Xhevdet Kallaba, si autor i veprës ˮProf. Xhevat Ismajli – kujtesëˮ, pos një Parathënie (f. 5–6), një Recensioni (f. 7) nga muzikologu e kolegu i Xhevatit, Izet Kallaba dhe të një biobibliografie për vete (f. 191), veprën e ka strukturuar në VI pjesë e në XII kapituj, një metodologji e teknikë e re pune që nuk e ndeshim edhe aq në publikimet tona, të shtrirë në 191 faqe të formatit 24 cm.
Në pjesën e parë ka kapërthyer kapitujt I dhe II (faqe 9–21); në pjesën e dytë ndeshim kapitujt III dhe IV (faqe 23–67); në pjesën e tretë janë përfshirë kapitujt V dhe VI (faqe 71–80); në pjesën e katërt kemi kapitullin VII (faqe 81–92); në pjesën e pestë kapitujt VIII dhe IX (faqe 95–131) dhe në pjesën e gjashtë kanë zënë vendin e tyre kapitujt X, XI dhe XII (faqe 135–178).
Në Parathënie të veprës autori ka shpërfaqur një modesti në formë, porse në pasqyrimin e përmbajtjes së librit ka qenë gjithëpërfshirës dhe ka sintetizuar, me mjeshtri ustai e peshore në dorë, të gjithë segmentet më sensitivë të 12 sythave të monografisë, të paraqitur ashtu natyrshëm në 6 pjesët e monografisë së tij që lidhen me emrin e profesor Xhevat Ismajlit.
Një pjesë e paragrafit, në përmbyllje të Parathënies, sikur mbërthen tërë mëtimin që kishte autori për veprën dhe kryepersonazhin, shprehur me fjalët: ˮAi (prof. Xhevati – B. K.) përfaqëson një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e zhvillimit të arsimit muzikor në Kosovë dhe një shembull të përkushtimit pedagogjik, të ndërtuar mbi bazën e punës, disiplinës dhe ndjeshmërisë ndaj talentitˮ (f. 6).
Sakaq, muzikologu e maestro i përkushtuar, daja, Izet Kallaba, po njëherazi edhe shok shkollimi e pune i Xhevatit, pa subjektivizëm, në një faqe libri, ka pikasur pikat më të rëndësishme nga jeta dhe veprimtaria profesionale e profesor Xhevat Ismajlit, mbështetur, sigurisht, edhe në atë që ka përvijuar autori në veprën e vet, duke përligjur atë se ˮKjo monografi nuk është vetëm një përmbledhje biografike: ajo është një akt i ruajtjes së kujtesës historike dhe institucionaleˮ dhe se vepra të tilla duhet ˮtë dokumentohen dhe të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore dhe arsimoreˮ (f. 7).
Xhevdeti, në këtë vepër me vlerë e peshë të padiskutueshme, duke filluar nga Pjesa I e Kapitullit të parë, ka trajtuar çështje përkitazi me jetën dhe formimin profesional të Xhevat Ismajlit: sikundër veprohet thuajse në çdo monografi tjetër, natyrisht, me veçoritë që e karakterizojnë lindjen e kryepersonazhit të veprës, statusin e tij prej jetimi, peripecitë dhe vështirësitë ekonomike, shkollimin e mbijetesën, por, megjithatë, ˮnë një mjedis ku muzika ishte pjesë e natyrshme e jetës së përditshme me këngët e ahengjeve familjare dhe zërat karakteristikë të vëllezërve – Hysenit e Mehmetit dhe të motrës Elfetes…ˮ e që ˮkjo trashëgimi e padukshme, por e fuqishme, do të bëhej më vonë themeli i rrugëtimit të tij në muzikë dhe edukimˮ (f. 11).
E këtu, nuk di se si m’u kujtua edhe mua një thënie: “Aty ku mbarojnë fjalët, fillon muzikaˮ, e Heinrich Heine – njërit prej poetëve dhe një ndër gazetarët më të shquar gjermanë gjatë shekullit të 19-të.
Përtej këtyre të dhënave që u përmendën në këtë syth, autori i veprës pykëzohet edhe në detaje të tjera të ngritjes profesionale të Xhevatit dhe ecejaket e tij si për: hapat e parë në arsim e muzikë; nga mësues – në studiues të muzikës; themelues dhe udhëheqës i arsimit muzikor fillor e të mesëm në Gjilan, Dardanë, Bujanoc e pastaj edhe ligjërues e profesor në ShLP dhe në Fakultetin e Edukimit në Gjilan. Me një fjalë, aty ku e kërkonte nevoja.
Si moto të Kapitullit të dytë, autori i veprës ka përzgjedhur një aforizëm të dramaturgut, poetit dhe shkrimtarit të madh francez, Viktor Hygo: “Muzika shpreh atë që nuk mund të flitet dhe për çka është e pamundur të heshtetˮ, duke vazhduar tutje me veprimtarinë profesionale dhe pedagogjike të profesor Xhevat Ismajlit, plotësuar me punën e profesorit si autor tekstesh dhe recensent; për kontributin e tij institucional; për muzikën në Anamoravë – si një mision kulturor; për metodologjinë dhe filozofinë pedagogjike të prof. Xhevatit; për edukimin muzikor si komponent i zhvillimit integral në formimin intelektual e emocional te nxënësit. Ka dhe disa tema të tjera, të cilat autori i veprës i ka shtjelluar e mbarështuar dhe që emërues të përbashkët kanë mësimdhënien dhe mësimnxënien në fushën e kulturës muzikore.
Pjesa II e librit fillon me Kapitullin e tretë, ku jepen detaje për kontributin e prof. Xhevat Ismajlit në institucionalizimin e arsimit muzikor në Gjilan gjatë viteve 1978–2005; themelimin e Shkollës së Muzikës në Gjilan (1978/79); aftësimin e kuadrove pedagogjike, si dhe tema të tjera të rëndësishme, të cilat kanë peshën e vet në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e procesit edukativ-mësimor në shkallë sa më të lartë në fushën e kulturës muzikore, që nga shkollimi fillor e deri tek ai universitar.
Ndërkaq, në Kapitullin e katërt, autori i veprës ˮProf. Xhevat Ismajli – kujtesëˮ ka marrë në shqyrtim analitik tre librat e prof. Xhevat Ismajlit:
- “Kulturë muzikore me metodikëˮ (Gjilan, 2001), ku, siç shkruan Xhevdeti, “Profesor Xhevati ofron një kontribut themelor në fushën e edukatës muzikore parashkollore dhe në formimin profesional të mësuesve klasorëˮ (f. 30), si dhe për çështje të tjera metodologjike: qëllimet dhe detyrat e edukatës muzikore; parimet didaktike; metodat dhe format e mësimit; planifikimi i punës edukativo-mësimore (f. 32), pa lënë anash edhe karakterin ndërdisiplinor të muzikës me gjuhën, edukatën fizike, artin figurativ, shkencat natyrore etj.
Në këtë pjesë të librit ndeshim edhe kujtimet e përmallshme të muzikologëve tanë, Izet Kallaba e mr. Zekë Jusufi, të cilët, me pietet e miradije, shkruajnë për jetën dhe veprimtarinë profesionale-artistike e shkencore të profesor Xhevatit.
Vështrimin për veprën e dytë të prof. Xhevat Ismajlit, ˮVeprimtarët shqiptarë të muzikës artistike në Anamoravëˮ (Gjilan, 2007), autori Kallaba e nis me një vlerësim kritik të prof. dr. Faik Shkodrës, i cili shprehet se ˮkjo vepër nuk është vetëm një përmbledhje biografike, por një akt me vlerë kulturore, historike dhe moraleˮ (f. 50), duke e konsideruar veprën jo vetëm rajonale, por edhe me dimension kombëtar, me ç’rast figura e profesor Xhevatit del të shtrihet në tri rrafshe: pedagog, institucion dhe kronist i jetës muzikore.
Përveçse një diskursiviteti që kemi ndeshur te monografia për dy librat e parë, po me atë shest janë shtruar, interpretuar e sqaruar çështjet edhe në veprën e tretë të profesor Xhevatit: “Lojërat muzikoreˮ (“Shkëndija”, 2009), ku spikaten temat si: koncepti muzikologjik i edukimit përmes lojës; dimensioni folklorik dhe identiteti muzikor; rëndësia pedagogjike dhe muzikologjike e veprës; karakteri stilistik i kompozimeve; lidhja e muzikës me tekstin; ndikimi i traditës popullore; funksioni pedagogjik i gjuhës muzikore etj.
Kapitulli V i Pjesës III – “Hulumtimi i talenteve të reja” si temë bosht, nis me sythin e radhës “Koncepti, dilemat dhe qasja shkencore e prof. Xhevat M. Ismajlitˮ, ku janë shtruar pyetjet themelore që i kishte konceptuar profesor Xhevati: 1. Ç’është talenti muzikor? 2. Si manifestohet ai? 3. A është talenti i lindur apo zhvillohet? 4. Si mund të identifikohet drejt përmes institucioneve? – pyetje e përgjigje këto, me të cilat është përqasur profesor Xhevati gjatë përvojës së tij mbi 30-vjeçare me nxënës në arsimin parauniversitar, e sidomos në atë universitar, si mësimdhënës në ShLP “Skënderbeu” të Gjilanit dhe në Fakultetin e Edukimit të UP-së – Qendra në Gjilan, duke u pykëzuar te përzgjedhja e talenteve të reja, duke marrë në shqyrtim: dimensionin etik të përzgjedhjes, kritikat ndaj modelit reduksionist të testimit (që nënkupton vlerësimin jo meritor të talentit “përmes dy ose tri elementeve”) e jo talentin muzikor si aftësi komplekse të përbërë nga rreth 25 komponentë, siç përmend psikologu amerikan Carl Seashore. Madje, hulumtimi i talentit, sipas profesor Xhevatit, duhet të konceptohet në hapësirë e kohë më të gjatë: në çerdhe, në kopshtet parashkollore, në klasat e para të shkollës fillore, duke mbajtur parasysh, sigurisht, edhe disa faktorë të tjerë.
Një qasje të veçantë në Kapitullin VI, sipas vërejtjeve të autorit Kallaba, profesor Xhevati i ka kushtuar edhe temës “Inteligjencat e shumëfishta dhe edukimi inkluzivˮ – një teori që ka zgjuar interesimin e studiuesve edhe te ne në këta dy dhjetëvjeçarët e fundit dhe që ky togfjalësh “inteligjencat e shumëfishta”, sipas themeluesit amerikan, psikologut Howard Gardner, do të thotë se “njerëzit janë të zgjuar në mënyra të ndryshme, jo vetëm në një formë të vetme inteligjenceˮ (f. 78), ku është radhitur edhe inteligjenca muzikore – ndjeshmëria ndaj tingujve dhe ritmit, e që pa u ndarë nga edukimi inkluziv (gjithëpërfshirës), përbëjnë binomin e rëndësishëm në mësimdhënien dhe mësimnxënien sa më efikase të kulturës muzikore në të gjitha shkallët e shkollimit.
Jo gjithmonë është e rëndësishme çka ti thua për diçka a dikë, por çka thonë e vlerësojnë edhe të tjerët për ty. Këtë postulat e ndeshim të shpërfaqur te Pjesa IV e monografisë së Xhevdet Kallabës me titull “Prof. Xhevat Ismajli në vargun poetik”, ku, përmes vargjeve te Kapitulli VII “Kujtesa në dimensionin poetik”, që korrespondon me titullin paraprak të pjesës IV, në 10 faqet e monografisë (83–93), kanë zënë vend poezitë e muzikologut Izet Kallaba: “Na është tharë krahu, maestro, pa ty”; poetit Hysen Këqiku: “Ngjatjetim”; Izet Kallaba: “Nga prima në oktavë”; poezia e vajzës së prof. Xhevatit, Labinota Ismajli: “Babë, të kërkoj në çdo melodi”; dhe poezia “Profesori që besonte tek ne” e Blerina Kallabës – Pacolli, për të vijuar me Pjesën V të monografisë me “Dëshmi, kujtesë dhe trashëgimiˮ.
Në vazhdën e dëshmive e të kujtimeve, Izet Kallaba pohon se me Xhevatin njihej “që në fëmijërinë e hershme, për shkak të lidhjeve të afërta familjare”, e që u thellua pastaj, sidomos nga “shkollimi i mesëm në Prizren, studimet akademike në Sarajevë, e deri te bashkëpunimi ynë i gjatë profesional në fushën e arsimit muzikorˮ, duke rrëfyer edhe për sukseset e tyre në koncerte të ndryshme.
Kujtime mbresëlënëse për Xhevatin rrëfen edhe kolegu i tij i të njëjtit profesion, mr. Zekë Jusufi, me të cilin rrugëtimin e kishin nisur që nga viti 1959/60, kur filluan së bashku klasën e pestë në Hogosht të Dardanës, për të vazhduar në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren dhe më pas në angazhimet profesionale në Anamoravë.
Kujtime dhe vlerësime japin edhe muzikologë të tjerë, kolegë e bashkëpunëtorë, si dhe ish-nxënës të profesor Xhevatit: Erlinda Gashi, Vjosa Berisha–Abdullahu, Murat Ismajli, Burhan Azizi, Yllza Berisha, Qëndresa Behluli.
Me “Dëshmi gojore dhe kujtesë familjare” vazhdon Kapitulli IX i Pjesës V, ku paraqiten rrëfime të ndjera për jetën familjare, sakrificat dhe përkushtimin e familjes së profesor Xhevatit.
Në vend të përmbylljes
Me këtë shkrim modest s’bëra asgjë tjetër vetëm se u përpoqa të shlyej një borxh të vogël ndaj kolegut tim, Xhevatit, si dhe të shpreh një falënderim të sinqertë për Xhevdetin, me rastin e botimit të monografisë “Prof. Xhevat Ismajli – kujtesëˮ, pas ikjes së Xhevatit në amshim.
Nga e tërë ajo që u tha më lart për këtë monografi, shihet se autori Xhevdet Tefik Kallaba, si për nga strukturimi i veprës, sistemimi dhe gjithëpërfshirja e lëndës, ashtu edhe për nga përzgjedhja e gjuhës, dëshmon për një përkushtim të lartë dhe një figurë të rëndësishme në jetën kulturore shqiptare.
Gjilan, 1 maj 2026
