
Nderohen Dëshmorët e Kombit, Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani
Leonora Morina Bunjaku, nënkryetare e Komunës së Gjilanit ka thënë se sot janë mbledhur me përulësi dhe nderim të thellë, për të kujtuar dhe nderuar veprën madhore të bijve më të mirë të kombit tonë – Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani, të cilët ranë për lirinë dhe dinjitetin e popullit tonë, më 19 maj të vitit 1999.
“Këta burra, me guxim dhe vendosmëri të pashoqe, i dolën zot atdheut në kohët më të vështira të historisë sonë të re. Nuk kursyen asgjë – as jetën e tyre – që Kosova të jetojë e lirë dhe sovrane. Ata ishin flamurtarë të lirisë, shembull i përkushtimit dhe dashurisë ndaj vendit”, ka thënë Leonora Morina Bunjaku.



Ajo shtoi se rënia e tyre është plagë që dhemb, por edhe pishtar që ndriçon rrugën tonë. Ata nuk janë thjesht pjesë e së kaluarës, por janë pjesë e përditshmërisë sonë dhe të ardhmes që ndërtojmë mbi themelet e sakrificës së tyre.
“Ne, si institucione dhe si shoqëri, kemi për obligim që amanetin e tyre ta çojmë përpara me punë të ndershme, me drejtësi, me zhvillim dhe me respekt të përhershëm për gjakun e derdhur për liri. Lavdi e përjetshme për Dëshmorët e Kombit! Nderim i pafund për familjet e tyre! Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia e tyre!”, ka thënë nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku. /2LONLINE/
