MBAHET KROSI VJESHTOR NË SHFMU “METUSH KRASNIQI” NË ROGANË – Drejtoresha Latifaj-Kallaba: Së bashku nxisim dashurinë për sportin dhe jetën e shëndetshme
ROGANË, KAMENICË – Në SHFMU “Metush Krasniqi” në Roganë është mbajtur krosi vjeshtor, me pjesëmarrje të gjerë të nxënësve. Aktiviteti kishte për qëllim promovimin e aktivitetit fizik, jetës së shëndetshme, frymës sportive dhe bashkëpunimit mes nxënësve.
Në organizimin dhe mbarëvajtjen e krosit kontribut dhanë Policia e Kosovës për sigurinë, si dhe stafi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Roganë për mbështetjen shëndetësore.

Për TV Gjilani, U.D. Drejtoresha Valentina Latifaj-Kallaba theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti:

“Krosi vjeshtor u mbajt me pjesëmarrjen plot entuziazëm të nxënësve, duke promovuar aktivitetin fizik, jetën e shëndetshme dhe frymën sportive. Falënderojmë Drejtorinë Komunale të Arsimit përkrahjen, stafin mësimor për angazhimin në organizim, Policinë për kujdesin ndaj sigurisë dhe stafin e QMF-së në Roganë për mbështetjen. Mirënjohje prindërve dhe të gjithë të pranishmëve, e veçanërisht nxënësve tanë për energjinë e tyre!”

Drejtoresha Latifaj-Kallaba shtoi se shkolla “Metush Krasniqi” funksionon me mësim tërditor dhe se aktivitete të tilla janë pjesë e rëndësishme e jetës shkollore.
Në fund u ndanë mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit.




