Me nderime të larta u përcoll në banesën e fundit humanisti Avdullah Selishta
GJILAN / KARAÇEVË – Me dhimbje të madhe dhe në prani të qindra qytetarëve, miqve e familjarëve, u varros sot humanisti dhe veprimtari i njohur, Avdullah Maliq Selishta nga Gjilani.
Kortezhi i gjatë u nis nga Gjilani drejt Karaçevës, lagjes së Selishtëve – “Behtë”, ku të ndjerit iu dha lamtumira e fundit.

Lamtumira e fundit nga vendlindja dhe diaspora

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë qytetarë nga Gjilani, Kamenica dhe Lugina e Preshevës, përkatësisht nga fshatrat e Komunës së Bujanocit përgjatë brezit kufitar. Ishin të pranishëm edhe bashkëvendës nga Zvicra, ku Dulla jetonte dhe vepronte prej vitesh.
Prezenca masive ishte dëshmi e dashurisë dhe respektit që kishte fituar gjatë jetës së tij.
Jeta dhe vepra e Dullës
Avdullah Selishta, i njohur për të gjithë si “Dulla”, njihej si kontributdhënës i devotshëm në komunitet.
Rinia e tij u shënua me angazhime në rrjedhat kulturore dhe sportive të viteve ’90. Më pas, solidariteti i tij nuk u ndal. Nga Zvicra ndihmonte vazhdimisht familje skamnore në nevojë në vendlindje.
Por mbi të gjitha, Dulla mbahet mend si një personalitet i dashur, mik i madh i bashkëmoshatarëve, me të cilët ndante kohën sa herë kthehej nga diaspora në Gjilan.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta në moshën 52-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, ka pllakosur me dhimbje të gjithë ata që e njohën.

Falënderim dhe ngushëllime nga familja
Familja Selishta ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët që në mënyra të ndryshme u solidarizuan për t’ua lehtësuar dhimbjen e madhe.

Pritjet për ngushëllime do të mbahen 3 ditë me radhë:
E shtunë 19.09.2026, E diel 20.09.2026 dhe E hënë 21.09.2026
Vendi: Shtëpia e të ndjerit, Rruga Çarkore, afër Fushës së Futbollit “GETI” – Gjilan
TV Gjilani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Selishta në Karaçevë, Te Behtë, Gjilan, Zvicër dhe kudo që janë. Shpirti i Dullës u prehtë në paqe!

