Kush është Dara, fituesja e Eurovisionit 2026?
Bulgaria u rikthye në Eurovision Song Contest 2026 pas një pauze trevjeçare dhe fitoi. Nderi për të përfaqësuar këtë vend ballkanik i takoi këngëtares Dara.
Kush është përfaqësuesja bullgare Dara?
Darina Nikolaeva Yotova, e njohur profesionalisht si Dara, është një këngëtare 27-vjeçare e lindur në Varnë, qyteti i tretë më i madh në Bullgari. Ajo u bë e njohur për publikun në vitin 2015, kur arriti në finalen e versionit bullgar të spektaklit “The X Factor”.
Ajo njihet më së shumti për hitet “Thunder”, “Call Me” dhe “Mr Rover”, të cilat për javë të tëra ishin në krye të toplistave muzikore. Krahas karrierës së suksesshme muzikore, Dara ishte edhe mentore në spektaklin “The Voice of Bulgaria” gjatë viteve 2021 dhe 2022. Albumin e saj të fundit e publikoi në vitin 2025, duke forcuar edhe më tej praninë e saj në skenën botërore muzikore.
Dara: Dua që Bullgaria të shihet
Në një intervistë për “The Independent”, Dara zbuloi çfarë do të thotë për të përfaqësimi i vendit të saj në Eurovision.
“Eurovisioni në Bullgari nuk merret si diçka e zakonshme. Nuk kemi marrë pjesë në garë për tre vite. Momenti ynë më i madh ishte vendi i dytë i jashtëzakonshëm i Kristian Kostovit në vitin 2017 – Kristian është mik i imi i afërt dhe ai rezultat kishte shumë rëndësi për vendin tonë”, tha ajo.
“Fitorja do të ishte diçka krejt tjetër. Por dua të jem e sinqertë me ju. Fitorja do të ishte e jashtëzakonshme dhe absolutisht po garoj për të fituar. Megjithatë, po aq më motivon ideja që Bullgaria të shihet. Që të na shohin vërtet”, shtoi ajo.
“Ne jemi një vend i vogël me një shpirt të madh kulturor – i lashtë, kompleks dhe kokëfortë në kuptimin më të mirë të fjalës. Kemi një trashëgimi muzikore që bota sapo ka filluar ta zbulojë”, theksoi këngëtarja.
“Nëse ‘Bangaranga’ bëhet kënga që do ta bëjë dikë në Manchester, Edinburgh apo Brighton të marrë telefonin dhe të kërkojë për Bullgarinë – muzikën e saj, bregdetin, letërsinë dhe njerëzit e saj – atëherë unë tashmë kam arritur diçka të vërtetë”, përfundoi Dara.
Kënga “Bangaranga”
Dara e përfaqësoi Bullgarinë me këngën Bangaranga, të cilën e përshkruan si “muzikë pop me rrënjë folklorike”. Ajo shpjegoi edhe kuptimin e vetë titullit.
“Vetë fjala vjen nga slengu xhamajkan dhe do të thotë ‘revoltë’, ‘rrëmujë’, një lloj kaosi i bukur. Ka një forcë të papërpunuar fonetike që e tejkalon përkthimin – e ndjen para se ta kuptosh”, tha ajo.
Bojkoti i disa vendeve dhe rikthimi i Bullgarisë
Bullgaria nuk mori pjesë në Eurovision vitin e kaluar dhe mungonte në garë që nga viti 2023. Herën e fundit mori pjesë në vitin 2022, kur e përfundoi garën në vendin e 16-të në gjysmëfinalen e parë, pa arritur të kualifikohej në finale.
Gara e këtij viti u përball me kritika të mëdha për shkak të vendimit që Israel të lejohej të merrte pjesë pavarësisht luftës në Gaza, gjë që bëri që disa vende të vendosnin bojkotimin e Eurovisionit.
Në asamblenë kryesore të European Broadcasting Union në dhjetor 2025 u votua për rregulla të reja për të parandaluar ndikimin joproporcional të qeverive dhe palëve të treta në votim, por nuk u mbajt votim për pjesëmarrjen e Izraelit.
“Shumica dërrmuese e anëtareve u pajtuan se nuk kishte nevojë për votim të mëtejshëm lidhur me pjesëmarrjen dhe se Eurovisioni 2026 duhet të mbahet sipas planit, me masa shtesë mbrojtëse”, thuhet në deklaratën e EBU-së.
Pas këtij vendimi, Irlanda, Spanja, Holanda, Sllovenia dhe Islanda konfirmuan se nuk do të marrin pjesë. Televizioni irlandez RTÉ deklaroi:
“RTÉ konsideron se pjesëmarrja e Irlandës mbetet e papërshtatshme duke pasur parasysh humbjen e tmerrshme të jetëve në Gaza dhe krizën humanitare që vazhdon të rrezikojë jetën e shumë civilëve.”
Nga ana tjetër, BBC, i cili transmeton garën në Mbretërinë e Bashkuar, e mbështeti vendimin e EBU-së.
“Këtu bëhet fjalë për zbatimin e rregullave të EBU-së dhe për gjithëpërfshirjen”, thuhej në deklaratën e tyre.
