Kosova me dy sportistë në lojërat olimpike dimërore “Milano Cortina 2026”
Në lojërat olimpike dimërore “Milano Cortina 2026”, që do të mbahen nga 6 shkurt e deri më 22 shkurt në Milano dhe Cortina të Italisë, Kosova do të përfaqësohet nga dy sportistë, që janë Kiana Kryeziu dhe Drin Koka.
Kështu u bë e ditur në konferencën që këtë të hënë mbajti Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), e ku u bë edhe thirrje për ndërtimin e kushteve adekuate për stërvitjen e sportistëve.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, përgëzoi sportistët dhe shprehu pritshmëri për rezultate pozitive nga garuesit.
“Këto lojëra dimërore janë shumë të rëndësishme për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe për të gjithë sportistët tanë. Kosova përfaqësohet nga dy sportistë, Kiana Kryeziu, e cila do të garojë në tri disiplina alpine, si dhe Drin Kokaj. Së bashku me ta janë edhe trajnerët, përfshirë Visar Kryeziun, si dhe kryetari i federatës, Milaim Kelmendi, të cilin shfrytëzoj rastin ta përshëndes dhe ta përgëzoj për punën e bërë në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës. Përgjatë këtyre viteve, së bashku me Federatën e Skijimit, jemi munduar t’i përkrahim sportistët tanë me bursa olimpike dhe kampe stërvitore, të cilat nuk janë aspak të lehta. Falënderoj trajnerët për sakrificën e madhe që e bëjnë”, tha Krasniqi.
Presidenti i Federatës së Skijimit, Milaim Kelmendi, i bëri thirrje Qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës në Brezovicë, duke theksuar se sportistët janë detyruar të stërviten jashtë Kosovës.
“Siç e dini, tash është Olimpiada e radhës dhe e vlerësoj çdo kontribut, qoftë nga ministria, komitetet apo nga vetë federata, që ka ndikuar që këta sportistë të jenë shumë mirë të përgatitur. Madje, mund të them se asnjëherë në historinë e skijimit nuk kanë qenë më të përgatitur. U uroj shumë suksese dhe pres një rezultat më të mirë se herët e tjera, duke ditur që kanë pasur shumë ditë trajnimi në borë dhe mbështetja nuk u ka munguar asnjëherë. Shpresoj që, pas asaj që ka ofruar.
Kryeministri i Kosovës për Brezovicën dhe investimeve të paralajmëruara, kjo të jetë Olimpiada e fundit ku marrim pjesë pa një infrastrukturë të mirëfilltë brenda Kosovës. Aktualisht, sportistët janë të përgatitur, por stërviten jashtë vendit dhe të gjitha mjetet financiare shkojnë atje. Me infrastrukturë të re, do të shkojmë në olimpiada me një numër më të madh sportistësh”, tha Kelmendi.
Garuesja Kiana Kryeziu tha se pret rezultate pozitive dhe paraqitje më të mirë krahasuar me herët e kaluara.
“Në Pekin kam garuar në moshën 17-vjeçare dhe vetëm në një disiplinë, ndërsa tash, pas katër vitesh punë dhe përkushtim, kam arritur të garoj në tri disiplina. Gjithçka është rezultat i punës dhe përkushtimit. Nga vetja pres rezultate shumë të mira, paraqitje shumë më të mirë se herën e kaluar dhe një përfaqësim sa më dinjitoz të shtetit”, tha Kryeziu.
Edhe Drin Kokaj, i cili do të garojë në Lojërat Olimpike, tha se rrugëtimi i tij ka qenë i vështirë.
“Për mua është hera e parë që do ta përfaqësoj Kosovën në një ngjarje si Olimpiada. Rrugëtimi ka qenë i vështirë, pasi kualifikimi është bërë përmes Federatës Ndërkombëtare”, tha ai.
Lojërat olimpike dimërore “Milano Cortina 2026” do të mbahen nga 6 deri më 22 shkurt 2026 në Milano dhe Cortina të Italisë. /EO
