GJILAN / SPITALI I PËRGJITHSHËM ELIMINON LISTËN E PRITJES PËR NDËRHYRJET ORTOPEDIKE – “Pacientët trajtohen brenda pak ditësh”
GJILAN, 5 Tetor 2026 – Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka arritur një rezultat të rëndësishëm në shërbimet shëndetësore. Reparti i Ortopedisë, në bashkëpunim me Repartin e Anestezionit dhe Sallën Operative, ka arritur të eliminojë listën e pritjes për ndërhyrjet kirurgjike të planifikuara.
Sipas njoftimit të spitalit, ky është rezultat i “angazhimit të vazhdueshëm, përkushtimit profesional dhe menaxhimit të mirëfilltë të punës dhe stafit”.

Për herë të parë pas shumë vitesh, pacientët që kanë nevojë për trajtim kirurgjik ortopedik nuk do të përballen më me pritje të gjata.

“Aktualisht, ndërhyrjet e planifikuara mund të realizohen brenda pak ditësh, duke mundësuar trajtim më të shpejtë dhe më efikas për pacientët tanë”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Menaxhmenti i spitalit e cilësoi këtë arritje si rezultat të organizimit dhe përkushtimit të stafit.
“Ky rezultat është fryt i punës së përbashkët, organizimit më të mirë dhe përkushtimit të gjithë stafit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu u theksua angazhimi për shërbime cilësore:
“Angazhimi ynë si menaxhment për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore, efikase dhe në kohë për qytetarët vazhdon çdo ditë. Faleminderit të gjithë stafit për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar çdo ditë në shërbim të pacientëve.”
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit njoftoi gjitjashtu se së shpejti pritet edhe një hap tjetër i rëndësishëm.
“Së shpejti, një hap tjetër i rëndësishëm në zgjerimin e shërbimeve tona edhe me endoproteza totale. Vazhdojmë së bashku për shërbime më të mira dhe kujdes shëndetësor më cilësor për qytetarët tanë.”
