Asambleistja e AAK-së, Ardita Ukshini, deklarohet kundër ndërtimit të deponisë inerte në Malishevë
Asambleistja e AAK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Ardita Ukshini, ka deklaruar se do të votojë kundër propozimit për ndërtimin e deponisë së mbeturinave inerte në fshatin Malishevë.
Përmes një reagimi publik, Ukshini tha se i bashkohet kundërshtimit të banorëve të Malishevës, duke vlerësuar se lokacioni i propozuar nuk është i përshtatshëm për realizimin e këtij projekti.

Ajo theksoi se Komuna e Gjilanit ka në dispozicion zona të tjera periferike ku deponia mund të ndërtohet pa paraqitur rrezik apo shqetësim për banorët.
Sipas Ukshinit, gjatë bisedave me banorët është informuar se zona ku planifikohet ndërtimi i deponisë shfrytëzohet edhe për furnizim me ujë të pijshëm, gjë që, sipas saj, mund të ketë pasoja për banorët e fshatit.
Asambleistja e AAK-së u bëri thirrje edhe kolegëve në Kuvendin Komunal që të marrin në konsideratë kërkesat e banorëve dhe ta rishqyrtojnë propozimin para votimit.
Kujtojmë se më 19 qershor 2026, edhe dega e PDK-së në Gjilan doli publikisht kundër propozimit për ndërtimin e deponisë në Malishevë. Deri më tani, LDK-ja, si subjekti më i madh opozitar në Kuvendin Komunal me 35 anëtarë, nuk ka bërë publik ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje.
