ARS Club “Beqir Musliu” njofton: Ndryshime në rrjedhën e veprimtarive të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit”
GJILAN, 18 Nëntor 2026 – Ars Clubi “Beqir Musliu” njofton krijuesit, artdashësit dhe publikun për ndryshime në rrjedhën e veprimtarive të edicionit të 17-të të manifestimit “Vjeshta Letrare e Gjilanit”.
Veprimtaria letrare “Me poezinë e zgjedhur të Ymer Elshanit”, e paraparë të mbahej më 20 nëntor 2026, është shtyrë për datën 27 nëntor 2026, ora 12:00. Ajo do të mbahet në Shkollën e Mesme të Ulët “Selami Hallaçi” në Gjilan.
Arsyeja e shtyrjes është 30-vjetori i Klubit Letrar “Nositi” nga Kamenica, i cili mbahet më 20 nëntor 2026, ora 13:00, dhe ku Ars Clubi “Beqir Musliu” do të jetë i pranishëm.

Gjithashtu, veprimtaria e paraparë për 28 nëntor 2026 është shtyrë dhe do të mbahet më 27 dhjetor 2026. Kjo, me kërkesë të Shoqatës Kulturore-Humanitare “Kurexhaj”, me të cilën ishim në bashkëorganizim. Shtyrja është bërë për shkak të pranisë së mërgimtarëve tanë në promovimin e monografisë “Trungu i Përbashkët i Dy Fshatrave”.
PROGRAMI PËR MUAJIN DHJETOR:
Gjatë muajit dhjetor do të mbahen dy veprimtari të tjera letrare në kuadër të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit”:
- Më 5 dhjetor 2026, ora 12:00, në Bibliotekën e Qytetit në Gjilan, do të vlerësohet përmbledhja poetike e Donikë Dabishevcit – “Grue prej zjermi”.
- Më 12 dhjetor 2026, ora 12:00, po në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, mysafir i “Vjeshtës Letrare” do të jetë shkrimtari nga Kosova Lindore, Mexhid Mehmeti.
Me mirëkuptim,
Ars Clubi “BEQIR MUSLIU”
