Kika reagon pas humbjes 2:1 ndaj Ramiz Sadikut, publikon video të rasteve që i konsideron të kontestuara
Klubi nga Hogoshti ka publikuar disa video të momenteve nga ndeshja, duke aluduar në vendime të padrejta të gjyqtarëve, përfshirë një penallti të akorduar për kundërshtarin dhe një tjetër që, sipas Kikës, nuk iu dha në favor të saj.
Pas humbjes 2:1 në përballjen me Ramiz Sadikun, FC Kika ka reaguar publikisht ndaj vendimeve të gjyqtarëve, duke publikuar disa video të rasteve nga ndeshja, të cilat klubi i konsideron të kontestuara.

Në videot e publikuara, klubi hogoshtas vë në pikëpyetje vendimet e referimit, duke veçuar rastin e penalltisë së akorduar për Ramiz Sadikun, si dhe një rast tjetër për të cilin pretendon se nuk është dhënë penallti në favor të Kikës.
Në reagimin e saj, Kika thotë se edhe në ndeshjen e fundit është dëmtuar rëndë nga vendimet e gjyqtarëve, të cilat, sipas klubit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e takimit.
Klubi thekson se gjatë këtij sezoni, pavarësisht pakënaqësive dhe padrejtësive që pretendon se ka përjetuar, ka zgjedhur të mos ankohet publikisht, por këtë herë ka vendosur të reagojë.
“Por, mjaft është mjaft!”, thuhet në reagimin e FC Kikës, e cila vlerëson se është e papranueshme që mundi i klubeve dhe rezultatet e ndeshjeve të ndikohen nga vendimet e atyre që kanë përgjegjësinë për të ndarë drejtësinë.
FC Kika ka kërkuar falje për reagimin publik, duke sqaruar se nuk synon të nxisë urrejtje ndaj askujt dhe as të kërkojë arsyetime, por vetëm drejtësi.
“Kërkojmë vetëm atë që na takon: DREJTËSI!”, përfundon reagimi i klubit hogoshtas.
