“GURRA POPULLORE” solli në Top Channel pasurinë kulturore të Gjilanit
GJILAN – Qyteti i Gjilanit u prezantua dje në ekranin kombëtar Top Channel, përmes puntatës speciale të emisionit “GURRA POPULLORE”.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani” solli në skenë një mozaik të pasur të traditës karadakase: valle autentike, këngë të kanagjegjeve dhe dasmave, lojëra popullore dhe kostume tradicionale.


E njohur si “qyteti i valleve”, Gjilani u paraqit me veçantinë e tij – traditën e odave të burrave, mikpritjen dhe vlerat shekullore të përcjella brez pas brezi. Siç thuhet: “Nëse Drenica e thotë me çifteli, Gjilani e thotë me valle”.



Performanca u vlerësua lart për profesionalizmin dhe përkushtimin e artistëve. Në skenë u ngjitën këngëtarët Remzi Leka dhe Hekuran Bllaca, solistja Enkelejda Arifi, si dhe instrumentistët dhe valltarët e ansamblit, të cilët morën duartrokitjet e publikut.
Puntata u realizua me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Ansambli Gjilani, nën drejtimin artistik dhe organizimin e një ekipi të përkushtuar nga Gjilani.
“GURRA POPULLORE” shënoi edhe një herë rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në ekranin kombëtar.

