“Shfaqja që shkon keq” nga Podujeva shpallet shfaqja më e mirë e Festivalit të 21-të “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Preshevë
Mbrëmë u përmbyll edicioni i 21-të i Festivalit tradicional “Ditët e Komedisë Shqiptare” – Presheva 2026, i cili për pesë net me radhë solli emocione, art, kulturë dhe të qeshura, përmes shfaqjeve të trupave teatrore që u ngjitën në skenën e Preshevës.
Programi i sivjetmë, i përzgjedhur për t’i ofruar publikut preshevar një repertor të larmishëm, u përcoll me interesim të madh dhe me sallën të mbushur plot. Kjo dëshmon se nuk ishte e rastësishme që Presheva, para 32 vjetësh, u përcaktua si vendi ku ky festival, pavarësisht vështirësive me të cilat është përballur ndër vite, do të vazhdonte të jetonte dhe të zhvillohej me përkushtim.

Programin e këtij edicioni e përbënin pesë shfaqje:

- “Mytma burrin”, me regji të Kastriot Saqipit – Sh.K. “A. Krashnica”, Teatri i Qytetit, Preshevë.
- “Çelësin e zemrës e ka ajo”, me regji të Kiço Londos – Teatri shëtitës “Çajupi”, Tiranë.
- “Shfaqja që shkon keq”, me regji të Bashkim Ramadanit – Teatri “Avdush Hasani”, Podujevë.
- “Zotëriu i parë”, me regji të Fatos Berishës – Teatri Shqiptar, Shkup.
- “Shtëpia pa dritare”, me regji të Saimir Gongos – Teatri i Tetovës.
Vlerësimi artistik dhe çmimet
Prurjet artistike të këtij edicioni u vlerësuan nga juria profesionale, e përbërë nga:
- Ferdinand Hysi – kryetar i jurisë, dramaturg nga Republika e Shqipërisë;
- Safete Mustafa – anëtare e jurisë nga Republika e Kosovës;
- Qazmedin Nuredini – anëtar i jurisë nga Maqedonia e Veriut.

Pas vlerësimit të shfaqjeve dhe interpretimeve, juria ndau këto çmime:
- Shfaqja më e mirë: “Shfaqja që shkon keq” – Teatri “Avdush Hasani”, Podujevë.
- Regjia më e mirë: Bashkim Ramadani, për shfaqjen “Shfaqja që shkon keq”.
- Çmimi special: Teatri i Tetovës, për shfaqjen “Shtëpia pa dritare”.
- Aktori më i mirë: Visar Etemi – Teatri Shqiptar, Shkup.
- Aktorja më e mirë: Fitore Jashari – Teatri i Qytetit, Preshevë.
- Aktori më i mirë joprotagonist: Abedin Alimi – Teatri Shqiptar, Shkup.
- Aktorja më e mirë joprotagoniste: Merita Limani – Teatri i Tetovës.

Organizatorët kanë uruar të gjithë fituesit për çmimet dhe arritjet e tyre artistike, ndërsa kanë shprehur mirënjohje për të gjitha trupat pjesëmarrëse, të cilat përmes paraqitjeve të tyre kontribuuan në atmosferën festive dhe artistike të këtyre pesë netëve.
Pavarësisht vështirësive me të cilat përballen trupat teatrore për të marrë pjesë në aktivitete të tilla, vendosmëria e tyre për të qenë pjesë e edicionit të 21-të të festivalit në Preshevë ishte e palëkundur, gjë që organizatorët e kanë vlerësuar veçanërisht.
Mirënjohje e veçantë u është shprehur edhe mysafirëve që vizituan Preshevën gjatë ditëve të festivalit, mediave që përcollën aktivitetet, si dhe të gjithë atyre që kontribuuan në mbështetjen dhe realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore.

Organizatorët kanë falënderuar posaçërisht Komunën e Preshevës, si mbështetësen kryesore të festivalit, si dhe stafin organizativ, i cili gjatë gjithë javës u kujdes për pritjen, akomodimin dhe përcjelljen e mysafirëve dhe trupave teatrore.
Një falënderim i veçantë i është kushtuar edhe publikut preshevar, i cili me pjesëmarrjen, emocionet dhe duartrokitjet e tij gjatë pesë netëve dëshmoi se tradita e artit skenik është e rrënjosur thellë në jetën kulturore të këtij qyteti.

Përtej çmimeve dhe vlerësimeve artistike, edicioni i 21-të i festivalit dëshmoi edhe një herë rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të traditës teatrore dhe të kulturës shqiptare në Preshevë.
Suksesi i këtij edicioni ishte rezultat i përkushtimit të përbashkët të organizatorëve, artistëve, mbështetësve dhe publikut.
