Rektorja e UKZ-së priti mësimdhënësit nga PH Zug në kuadër të javës së studimit në Gjilan
Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, znj. Fitore Malaj, së bashku me ekipin e saj, priti në takim një delegacion të mësimdhënësve, të cilët punojnë në shkollat e Zvicrës, të kryesuar nga znj. Shpresa Jashari, pedagoge dhe hulumtuese në Universitetin e Edukimit të Mësuesve të Zugut, që po realizohet në kuadër të bashkëpunimit të dy institucioneve UKZ dhe PH Zug Zvicër.
Me këtë rast, Rektorja Malaj u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, duke shprehur kënaqësinë për vizitën dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Ajo theksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” i kushton rëndësi të veçantë zgjerimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e arsimit, përfshirjes dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.

Rektorja Malaj theksoi se një bashkëpunim i tillë ka rëndësi të veçantë jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë kulturor e njerëzor, duke pasur parasysh lidhjet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“Universiteti ynë ka nevojë të vazhdojë të ndërtojë dhe të fuqizojë ura bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare, duke promovuar gjithëpërfshirjen, shkëmbimin e praktikave të mira dhe ruajtjen e traditave e të identitetit tonë kulturor. Zvicra ka qenë një vend mik që e ka mbështetur Kosovën edhe në periudhat më të vështira, përfshirë kohën e luftës. Prandaj, bashkëpunimi me institucionet zvicerane ka për ne një vlerë të veçantë dhe dëshirojmë që këto marrëdhënie të zhvillohen edhe më tej, në dobi të arsimit dhe të gjeneratave të reja”, u shpreh Rektorja Malaj.

Nga ana e tyre, mësimdhënësit nga Zvicra falënderuan Rektoren Malaj për pritjen, duke vlerësuar mundësinë për të qenë pjesë e këtij bashkëpunimi. Ata theksuan se shkëmbimi i përvojave ndërmjet mësimdhënësve nga Kosova dhe Zvicra krijon mundësi të rëndësishme për zhvillim profesional, njohje të qasjeve të ndryshme pedagogjike dhe forcim të lidhjeve ndërmjet dy komuniteteve arsimore.
Gjatë kësaj jave, mësimdhënësit nga Zvicra, në bashkëpunim me kolegët e tyre nga Gjilani, po ndajnë përvoja, ide dhe praktika mësimore përmes punëtorive, diskutimeve profesionale, vizitave shkollore dhe ligjëratave akademike në UKZ. Këto aktivitete synojnë shkëmbimin profesional dhe kulturor ndërmjet dy sistemeve arsimore.

Në këtë edicion të javës së studimit, në qendër të programit është vëzhgimi kolegial, përmes të cilit mësimdhënësit zviceranë vizitojnë kolegët e tyre kosovarë në shkolla dhe përcjellin nga afër procesin mësimor në klasë. Kjo qasje krijon hapësira për reflektim të përbashkët mbi metodologjitë e mësimdhënies, qasjet pedagogjike dhe ndërveprimin me nxënësit, duke synuar ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme profesionale.

Përveç vëzhgimit kolegial, programi përfshin edhe punëtori tematike, diskutime profesionale, prezantime studimore dhe aktivitete kulturore, të cilat realizohen në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet stafit të UKZ-së dhe kolegëve nga PH Zug. Z. Betim Berisha prezantoi temën “Universiteti Publik “Kadri Zeka” bashkëpunimet, mobiliteti dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, znj. Kosovare Rahimi, paraqiti temën “Praktikat pedagogjike të mësimdhënësve në shkollat e Kosovës nga përgatitja universitare deri te përvoja në shkollë”, si dhe Amira McNeil, me temën “Përvojat pedagogjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Aktivitetet e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Edukimit të Mësuesve të Zugut (PH Zug), Zvicër, dhe Universitetit Publik “Kadri Zeka” realizohen në kuadër të bashkëpunimit të dy institucioneve UKZ dhe PH Zug, me synim nxitjen e shkëmbimit profesional dhe ndërkulturor ndërmjet mësimdhënësve nga Kosova dhe Zvicra.
