Alika Ajeti nga Gjilani shkëlqen në “Akordet e Kosovës”: Talentja që premton shumë për të ardhmen skenike – muzikore
GJILAN – Alika Ajeti ishte e vetmja përfaqësuese nga Gjilani që mori pjesë në edicionin e fundit të festivalit të madh të muzikës për fëmijë “Akordet e Kosovës”, organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës – RTK. Ajo u paraqit në kategorinë e fëmijëve, në konkurrencë zyrtare.
Në një kohë kur Kosova pritet të bëhet anëtare e EBU-së dhe të hapë rrugën drejt pjesëmarrjes në Eurosong, festivali i RTK-së po shndërrohet në një platformë të rëndësishme për zbulimin dhe afirmimin e talenteve të reja muzikore nga e gjithë Kosova.
Një rrugëtim artistik që nis herët

Alika është nxënëse e Shkollës së Muzikës në Gjilan, ku vijon mësimet e violinës me pedagogun Argëtim Bajrami dhe ato të solokëndimit me pedagogen, Ylberina Avdyli.

Porse rrugëtimi i saj artistik nuk zë fill këtu. Për vite me radhë Alika ka qenë pjesë aktive e Organizatës “Mollëkuqet”, respektivisht projektit “Rising Stars”, nën mentorimin e profesoreshës Arta Haziri-Nuhiu.
Me këtë organizatë, Alika ka pasur një aktivitet të dendur si në skenat vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare, duke u formësuar paralelisht si instrumentiste e violinës dhe si interprete-këngëtare.
Paraqitja e saj në “Akordet e Kosovës” është dëshmia më e fundit se Gjilani vazhdon të jetë vatër e krijimit të talenteve të reja që bartin mbi vete të ardhmen e artit dhe kulturës sonë.
Vlersimet nga mentorët dhe familja
Pedagogia e saj, Arta Haziri-Nuhiu nga “Mollëkuqet” dhe “Rising Stars”, e ka përgëzuar Alikën pas festivalit:
“Suksese, Alika! Jam e bindur se kjo është vetëm një nga shumë paraqitjet e suksesshme që të presin në rrugëtimin tënd artistik. Vazhdo të shkëlqesh, të besosh në talentin tënd dhe të dhurosh emocione përmes muzikës! Skena ka nevojë për talente si ti!”


Ndërsa babai i saj, Sejdi Ajeti, ka shprehur mirënjohje për organizatorët:
“Mirënjohje për organizatorët, orkestrin dhe të gjithë stafin e RTK-së në ‘Akordet e Kosovës’. Faleminderit për mikpritjen, përkushtimin dhe emocionet e bukura që na dhuruat. Ishte nder dhe kënaqësi të jemi pjesë e këtij festivali!”
Një talent multidimensional me mbështetje të fortë familjare
Përveç talentit në violin dhe në këndim, Alika dallohet për natyralitetin dhe përkushtimin e saj spontan në skenë. Me mbështetjen permanente të familjes, e cila është zotuar se do të jetë pranë saj në çdo hap, është e sigurt se skena kulturore kosovare po pret një yll të ri.
Në një kohë kur po flitet shumë për festivalin e RTK-së dhe për të ardhmen e muzikës kosovare në arenën ndërkombëtare, emra si Alika Ajeti janë prova më e mirë se Kosova ka potencial dhe Gjilani ka arsye të krenohet.
