Kryetari Haliti bëri homazhe në 65-vjetorin e lindjes së dëshmorit Gursel Sylejmani
Me rastin e 65-vjetorit të lindjes së dëshmorit Gursel Sylejmani, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me bashkëpunëtorë dhe shokët e gjeneratës 1979–1980, së cilës i përkiste edhe dëshmori, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Gursel e Bajram Sylejmani”.
Në fjalën e tij, kryetari Haliti vlerësoi lart jetën dhe veprën e dëshmorit Gursel Sylejmani, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtimit dhe nderimit të sakrificës së dëshmorëve për lirinë e vendit.

Gjatë këtij përkujtimi, shokët e gjeneratës evokuan kujtime nga vitet e përbashkëta, ndërsa të pranishmit, përmes fjalëve të tyre, nderuan figurën dhe veprën e dëshmorit.


Me këtë rast, u shpalos edhe një pano përkujtimore e përgatitur nga shokët e gjeneratës dhe u mbollën dy drunj dekorativë, në shenjë nderimi dhe respekti për vëllezërit Gursel dhe Bajram Sylejmani.
