KAMENICA SIGURON 150 MIJË EURO PËR PËRFUNDIMIN E QENDRËS SË KOMPOSTIMIT
Komuna e Kamenicës dhe Ministria e Mjedisit nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Komuna e Kamenicës do të përfitojë mbështetje financiare prej 150,000 eurosh për përfundimin e punimeve në Qendrën e Kompostimit.
Memorandumin e Mirëkuptimit e kanë nënshkruar nënkryetarja e Komunës, Arta Bajralija, dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.

Sipas njoftimit të Komunës, këto mjete do të mundësojnë vazhdimin dhe përmbylljen e investimit, i cili ka për qëllim menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave organike.
“Nënshkrimi i këtij memorandumi përbën një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të Qendrës së Kompostimit, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërinstitucional në realizimin e projekteve me interes për qytetarët” – ka deklaruar nënkryetarja Bajralija.
Ajo ka bërë të ditur se projekti po realizohet në bashkëpunim me organizatën sllovene CMSR, e cila ka mbuluar rreth 60% të vlerës së përgjithshme të projektit.
Nga Komuna theksojnë se Qendra e Kompostimit do të kontribuojë në reduktimin e ndotjes dhe në përmirësimin e kushteve mjedisore në Kamenicë.
Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar ndaj projekteve që synojnë mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.
