VITI: Kryetari Haliti mirëpriti pronarët dhe ekipin e projektit teknologjik që synon mbi 3 mijë vende të reja pune
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mirëpriti pronarët e kompanisë DAiF SV L.L.C. dhe ekipin punues të projektit për zhvillimin e një qendre moderne të të dhënave dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale në Sllatinë.
Në takim morën pjesë drejtori ekzekutiv, presidenti, drejtori i operacioneve dhe përgjegjësi për partneritete i Dardania AI, si dhe drejtori ekzekutiv i Beacon Hill Industries.

Sipas planeve të kompanisë, projekti parashikon investime miliardëshe për zhvillimin e një “AI Factory”, me teknologji të avancuar për përpunimin, ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave, duke synuar bashkëpunimin me kompani udhëheqëse të teknologjisë botërore.

Me synim krijimin e mbi 3 mijë vendeve të reja të punës, realizimi i projektit do ta poziciononte Vitinë si një qendër të rëndësishme të ekonomisë digjitale dhe do të hapte mundësi për punësimin e të rinjve, angazhimin e profesionistëve dhe zhvillimin e bizneseve vendore.
