Skulptori nga Kosova, Sabri Shaqiri, hapi sonte ekspozitën e tij personale me titull “Klithja” në Galerinë e Arteve të Qytetit të Tuzit, në Mal të Zi.
Ekspozita u kurua nga miku dhe profesori i tij, Genc Rezniqi, dhe solli një cikël të ri veprash skulpturore ku guri trajtohet si medium kryesor për të shprehur emocione të thella njerëzore.
Në një postim pas hapjes, Shaqiri e përshkroi ekspozitën si një udhëtim përtej formës së dukshme:
“Përmes skulpturës, me theks të veçantë në portretin dhe përpunimin e gurit si medium artistik, kjo ekspozitë përpiqet të depërtojë përtej formës së dukshme, duke eksploruar marrëdhënien mes materies, gjurmës njerëzore dhe emocioneve të heshtura.”
Artisti thekson se guri nuk është zgjedhur rastësisht, por për vlerat që bart brenda vetes:
“Guri, me qëndrueshmërinë, rezistencën dhe kujtesën e tij materiale, shndërrohet në një hapësirë ku fytyra njerëzore merr kuptim përtej ngjashmërisë fizike, duke bartur brenda vetes tensione, përjetime dhe klithma të pathëna.”
Sipas tij, “Klithja” është përpjekje për ta bërë të dukshme atë që zakonisht mbetet e fshehur:
“‘Klithja’ është një përpjekje për ta bërë të dukshme atë që shpesh mbetet e pashprehur — për ta nxjerrë në sipërfaqe, përmes gjuhës së skulpturës, atë që fshihet në thellësinë e qenies njerëzore.”
Ekspozita në Galerinë e Arteve të Tuzit solli çaste të veçanta gjatë hapjes, ku publiku pati mundësinë të shohë nga afër punën e përkushtuar të Shaqirit në portret dhe në përpunimin e gurit.