GJILANI MBËSHTET MBI 30 BIZNESE ME 87,500 EURO – NËNSHKRUHET MARRËVESHJA ME ORGANIZATËN HELP
GJILAN, 29 Shtator 2026 – Komuna e Gjilanit ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “Help – Hilfe zur Selbsthilfe”, përmes së cilës do të mbështeten mbi 30 biznese të vogla me pajisje dhe materiale.
Vlera e përgjithshme e kësaj skeme mbështetëse është 87,500 euro, ndërsa vlera mesatare për çdo biznes është 2,500 euro.
Komuna kontribuon me 49% të fondit
Sipas drejtorit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, z. Haki Huruglica, Komuna e Gjilanit do të kontribuojë me 49% të fondit të përgjithshëm.

“Komuna e Gjilanit kontribuon me 49% të kësaj skeme, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin institucional për të mbështetur sektorin privat dhe njerëzit që krijojnë vende pune”, tha Huruglica.
Trajnime dhe mentorim për përfituesit
Përveç mbështetjes financiare, bizneset përfituese do të kenë qasje edhe në trajnime, mentorim dhe këshillim për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tyre.
Huruglica e cilësoi këtë si “një tjetër hap konkret në kuadër të politikave të Kryetarit, z. Alban Hyseni dhe Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, për ta bërë zhvillimin ekonomik më të prekshëm për bizneset dhe qytetarët e Gjilanit”.
Falënderime për partnerët
Drejtori Huruglica shprehu falënderim të veçantë për organizatën Help dhe për Drejtoreshën Nacionale të Help-it në Kosovë, znj. Shqipe Breznica, për bashkëpunimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj zhvillimit ekonomik në Kosovë.
“Uroj që kjo mbështetje të jetë një shtysë e rëndësishme për bizneset përfituese dhe t’u shërbejë atyre për rritjen dhe zhvillimin e mëtejmë të veprimtarisë së tyre”, përfundoi ai.
