Nis shitja e biletve për tifozët e Kosovës për ndeshjen ndaj Izraelit
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se ka nisur shitja e biletave për sektorin e tifozëve kosovarë për ndeshjen ndërmjet Izraelit dhe Kosovës.
Ndeshja do të zhvillohet më 1 tetor 2026 në Debrecen të Hungarisë, me fillim nga ora 20:45, ndërsa dyert e stadiumit do të hapen në ora 19:15.
Tifozët e Kosovës do të jenë të vendosur në sektorin D3.

Gjatë blerjes së biletës, secili tifoz duhet të plotësojë saktë të dhënat personale dhe ato të dokumentit identifikues. FFK kërkon numrin dhe fotografinë e letërnjoftimit ose pasaportës, emrin dhe mbiemrin e plotë, adresën e emailit dhe numrin e telefonit.
Federata ka paralajmëruar se të dhënat duhet të përputhen plotësisht me dokumentin identifikues. Në të kundërtën, tifozët nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.
Shitja e biletave për tifozët e Kosovës do të jetë e hapur deri më 30 shtator, në ora 20:00.
