Shkruan, Nehat Hyseni – RIZA HALIMI – PERSONIFIKIM DHE SIMBOL I NJË EPOKE TË LAVDISHME!
(Nga rezistenca në Gjimnazin “Skënderbeu”, te themelimi i PVD-së dhe udhëheqja politike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës)
Shkruan: Nehat Hyseni
Ka periudha historike në të cilat individi nuk mund të kuptohet i shkëputur nga koha që e ka formësuar. Ka edhe raste kur një personalitet, përtej funksioneve formale që ka ushtruar, bëhet një lloj përmbledhjeje e vetë epokës së tij. Riza Halimi i përket këtij lloji të figurave politike e shoqërore.

Historia e tij publike nuk fillon me politikën partiake dhe as me postin e kryetarit të komunës. Ajo nis në arsim, në një institucion që për shqiptarët e Preshevës kishte një rëndësi shumë më të madhe sesa një shkollë e zakonshme: në Qendrën Arsimore “Skënderbeu”.
Profesor i fizikës dhe më pas drejtor i këtij institucioni, Halimi u gjend në një pikë ku përplasja ndërmjet arsimit, identitetit kombëtar dhe politikës shtetërore mori forma konkrete. Në vitin 1989, kur ndaj Qendrës Arsimore “Skënderbeu” u vendosën masa të dhunshme dhe nisi procesi i goditjes së kuadrit arsimor shqiptar, Riza Halimi u bë një nga figurat kryesore të qëndresës së profesoratit.
Burimet dokumentare e përshkruajnë largimin nga puna të 11 profesorëve shqiptarë në vitin 1989, ndërsa Halimi përmendet ndër emrat kryesorë të kësaj liste. Pikërisht këtu duhet kërkuar një nga çelësat për të kuptuar karrierën e tij të mëvonshme politike: politika e Riza Halimit nuk lindi në zyrën e një partie; ajo u formësua në konfliktin për dinjitetin e shkollës, të profesorëve dhe të identitetit shqiptar.
Ky është edhe kuptimi më i thellë i titullit “Personalizimi i një epoke”. Halimi nuk ishte i vetmi veprimtar, intelektual apo politikan shqiptar i asaj kohe. Përkundrazi, historia e Luginës është histori e shumë njerëzve dhe e shumë sakrificave. Por ai u bë një prej figurave në të cilat u përqendrua, për gati tri dekada, artikulimi dhe përfaqësimi politik dhe institucional i shqiptarëve të Preshevës dhe të shqiptarëve të Luginës.
Gjimnazi “Skënderbeu” – hapësirë e identitetit kombëtar te shqiptarët
Për ta kuptuar rolin e Riza Halimit duhet të rikthehemi te Gjimnazi “Skënderbeu”. Në historinë shqiptare të Preshevës, ky institucion nuk ishte vetëm vendi ku mësohej fizika, matematika, gjuha apo historia. Ai ishte një prej institucioneve kryesore përmes të cilit shoqëria shqiptare ndërtonte elitën e saj arsimore.
Në vitet e tetëdhjeta, veçanërisht pas krizave politike të vitit 1981 në Kosovë dhe forcimit të politikës centralizuese të Beogradit, institucionet arsimore shqiptare u vunë nën presion të shtuar. Presioni nuk ishte vetëm administrativ. Ai kishte edhe dimension politik e identitar.
Në këtë atmosferë, Qendra Arsimore “Skënderbeu” u shndërrua në një nga vatrat ku u përplasën dy koncepte të kundërta: njëri që e shihte arsimin shqiptar si të drejtë qytetare e kombëtare dhe tjetri që e trajtonte autonominë e tij institucionale si problem politik.
Në vitin 1989 u ndërmorën masa të dhunshme për ndryshimin e emrit të shkollës nga “Skënderbeu” në “25 Maji”, si dhe me largimin nga procesi mësimor të një numri (11) kuadrosh shqiptare. Ndryshimi i emrit nuk ishte thjesht një procedurë administrative. Për një shoqëri që e kishte ndërtuar një pjesë të rëndësishme të kujtesës së vet rreth figurës së Skënderbeut, emri kishte simbolikë të fuqishme. Prandaj reagimi i profesorëve nuk duhet parë vetëm si kundërshtim ndaj një vendimi administrativ, por si mbrojtje e një simboli të rëndësishëm të identitetit kombëtar dhe të vazhdimësisë historike të shqiptarëve në trojet e tyre stërgjyshore.
Në këtë përballje, pozita e drejtorit ishte veçanërisht e vështirë. Riza Halimi nuk ishte vetëm drejtues administrativ i institucionit. Ai ishte njëkohësisht profesor, intelektual dhe figurë me autoritet në komunitet. Prandaj qëndresa e tij dhe e kolegëve të tij fitoi një domethënie që tejkalonte muret e shkollës.
Rezistenca e profesorëve dhe çështja e 11 të përjashtuarve
Një nga episodet më të rëndësishme në historinë politike e arsimore të Preshevës është përjashtimi i 11 profesorëve shqiptarë nga puna. Fondacioni për të Drejtën Humanitare e dokumenton këtë rast si një nga shkeljet e rëndësishme të së drejtës për punë dhe të së drejtës së shqiptarëve për arsim në gjuhën amtare.
Raporti e lidh largimin e 11 profesorëve me akuzat politike ndaj Qendrës Arsimore në Preshevë, e cila ishte cilësuar si qendër e “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Në këtë grup ishte edhe Riza Halimi.
Kjo përvojë ishte përcaktuese. Për një profesor, humbja e vendit të punës nuk ishte vetëm humbje ekonomike. Në rrethanat e asaj kohe, ajo ishte një sinjal i qartë se shteti po e shndërronte profesionin, bindjen dhe identitetin në instrument ndëshkimi.
Por pikërisht këtu ndodhi një paradoks historik. Përjashtimi nga shkolla nuk e largoi Riza Halimin dhe profesorët e tjerë nga jeta publike; përkundrazi, realisht i shtyu ata drejt politikës! Ajo që pushteti synonte ta përdorte si mekanizëm izolimi u shndërrua në një përvojë që e forcoi autoritetin e tyre shoqëror.
Kështu, rruga e tyre nga arsimi në politikë nuk ishte një kthesë artificiale, por ishte vazhdimësi e natyrshme: profesorëve që iu ishte mbyllur dera e shkollës, iu hap një tjetër hapësirë: ajo e organizimit politik!
Kështu filloi transformimi nga rezistenca arsimore te pluralizmi politik dhe viti 1990 shënoi një kthesë të madhe në historinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Jugosllavia po hynte në fazën e shpërbërjes së saj politike. Monopoli i partisë komuniste po zëvendësohej gradualisht nga pluralizmi.
Shqiptarët e Luginës nuk mund të mbeteshin jashtë kësaj vale historike dhe më 19 gusht 1990 u themelua Partia për Veprim Demokratik – PVD, ndërsa Riza Halimi u zgjodh kryetar. Ky moment ishte një etapë themelore në krijimin e përfaqësimit të pavarur politik shqiptar në Luginë dhe kjo nuk ishte aspak rastësi.
Në themelimin e PVD-së u bashkuan dy përvoja: përvoja e rezistencës qytetare dhe arsimore e viteve të mëparshme dhe nevoja për ta shndërruar atë rezistencë në përfaqësim politik institucional. Riza Halimi ishte figurë ideale për këtë tranzicion! Ai vinte nga bota e arsimit, kishte përjetuar drejtpërdrejt presionin politik dhe kishte fituar një reputacion që nuk lidhej fillimisht me karrierën partiake. Kjo i dha atij një kapital moral e politik të veçantë.
PVD-ja, për më tepër, nuk mbeti e kufizuar vetëm në Preshevë, ajo arriti ta shtrijë veprimtarinë edhe në Bujanoc e Medvegjë dhe u bë struktura kryesore e përfaqësimit politik shqiptar në Luginë. Në këtë mënyrë, Riza Halimi kaloi nga figura e drejtorit të shkollës dhe profesorit të fizikës në figurë politike rajonale dhe nga lider partiak në përfaqësues institucional.
Nëse themelimi i PVD-së e bëri Riza Halimin lider politik, zgjedhjet lokale të vitit 1992 i dhanë atij legjitimitet institucional dhe më 31 maj 1992, në zgjedhjet e para lokale pluraliste në Preshevë, ai u zgjodh kryetar i komunës. Ky moment kishte rëndësi historike! Për herë të parë, në kushtet e pluralizmit, një shqiptar mori drejtimin e komunës së Preshevës përmes procesit zgjedhor.
Kështu, rrugëtimi i Riza Halimit mund të paraqitet në tri etapa: profesor → lider i rezistencës → lider politik dhe institucional. Kjo treshe e shpjegon më mirë sesa çdo funksion i vetëm karakterin e tij publik dhe nga viti 1992 e deri në dhjetor 2005, me ndërprerje dhe në mandate të ndryshme, ai ishte në krye të institucioneve komunale të Preshevës dhe kjo periudhë përfshiu disa nga vitet më dramatike të historisë moderne të Luginës.
Presheva nën drejtimin e Halimit: realisht ishte politikë e një kohe të vështirë
Të udhëheqësh një komunë shqiptare në jug të Serbisë gjatë viteve të nëntëdhjeta nuk ishte detyrë e rëndomtë administrative. Ishte një periudhë e shënuar nga shpërbërja e Jugosllavisë, luftërat në Kroaci e Bosnjë, lufta në Kosovë, regjimi i Sllobodan Millosheviqit, represioni ndaj shqiptarëve dhe, më pas, konflikti i armatosur në Luginën e Preshevës.
Në këto rrethana, kryetari i komunës nuk ishte vetëm menaxher i administratës lokale. Ai duhej të ishte njëkohësisht:
● përfaqësues politik;
● negociator;
● ndërmjetësues;
● mbrojtës i interesave të komunitetit;
● komunikues me Beogradin;
● komunikues me Prishtinën;
● bashkëbisedues me diplomatët ndërkombëtarë;
● dhe, mbi të gjitha, bartës i një përgjegjësie të jashtëzakonshme publike.
Kjo shpjegon edhe pse figura e Halimit u bë gradualisht më e madhe se funksioni i tij formal! Nëse në fillim ai ishte kryetar i PVD-së, më vonë ai u perceptua nga një pjesë e madhe e shqiptarëve si një nga përfaqësuesit kryesorë të interesave të tyre kolektive. Ky proces mund të quhet personalizim i përfaqësimit politik.
Riza Halimi dhe konflikti i viteve 2000–2001
Konflikti i armatosur në Luginën e Preshevës në vitet 2000–2001 e vendosi politikën lokale në një situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Riza Halimi u përball me një dilemë të vështirë: si të mbroheshin interesat politike e kombëtare të shqiptarëve, pa lejuar që konflikti të shndërrohej në katastrofë të përgjithshme për popullsinë civile.
Në këtë periudhë, autoriteti i një politikani nuk matej vetëm me deklaratat e tij, por me aftësinë për të komunikuar me të gjitha palët. Pas përfundimit të konfliktit, u krijua një fazë e re politike dhe institucionale. Zgjedhjet lokale u zhvilluan me një sistem të ri, ku kryetari i komunës zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët. Riza Halimi fitoi edhe në këtë fazë, duke dëshmuar se ndikimi i tij politik nuk ishte zhdukur me ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Ky ishte një moment tjetër i rëndësishëm: lideri që kishte dalë nga rezistenca arsimore tashmë kishte marrë një mandat të përsëritur përmes votës popullore.
Nga Presheva në Beograd: përfaqësimi në nivel qendror
Riza Halimi nuk e kufizoi veprimtarinë e tij vetëm në nivelin lokal. Ai u zgjodh tri herë deputet në Kuvendin e Serbisë dhe përfaqësoi shqiptarët e Luginës në institucionin më të lartë legjislativ të Serbisë. Kjo e plotësoi një tjetër dimension të figurës së tij.
Në fillim, ai kishte luftuar për dinjitetin e shkollës. Pastaj kishte luftuar për përfaqësimin politik në komunë. Më vonë, ai e çoi zërin e shqiptarëve në Beograd. Në këtë kuptim, karriera e tij përshkon një vijë të qartë: nga institucioni arsimor te institucioni lokal dhe nga institucioni lokal te institucioni shtetëror.
Ky është ndoshta një nga kontributet më të rëndësishme të Riza Halimit në historinë politike të shqiptarëve të Luginës: ai ndihmoi në krijimin e idesë se kërkesat e shqiptarëve nuk duhej të mbeteshin vetëm në nivel protestash, por duhej të artikuloheshin edhe brenda institucioneve.
Partia identifikohet me themeluesin
Një nga karakteristikat më të veçanta të historisë së PVD-së është jetëgjatësia e lidershipit të Riza Halimit. Ai ishte kryetar i partisë që nga themelimi i saj dhe qëndroi në këtë pozitë për shumë vite; në vitin 2018 u largua nga posti i kryetarit dhe u shpall kryetar nderi.
Kjo jetëgjatësi ka dy interpretime:
Interpretimi i parë është pozitiv: në një ambient politik të paqëndrueshëm, ku shumë parti shqiptare u fragmentuan, ndryshuan drejtues ose humbën ndikimin, Halimi siguroi vazhdimësinë e PVD-së.
Interpretimi i dytë është më kritik: një parti që për një periudhë kaq të gjatë identifikohet me një person rrezikon të vuajë nga personalizimi i tepërt dhe nga vështirësia për të prodhuar një gjeneratë të re udhëheqëse.
Të dyja këto qasje duhet të ekzistojnë në një monografi serioze. Historia duhet të jetë kujtesë, analizë dhe gjykim i matur mbi faktet. Prandaj, edhe kritikat që janë bërë ndaj stilit të tij të gjatë të drejtimit duhet të trajtohen si pjesë e historisë së PVD-së dhe vështirësitë e tranzicionit të saj drejt gjeneratave të reja.
Por këto kritika nuk e zhbëjnë faktin themelor: për një periudhë të gjatë, Riza Halimi ishte figura qendrore e PVD-së. Në fakt, personalizimi i partisë ishte edhe rezultat i një realiteti objektiv: Halimi ishte themelues, kryetar për dekada, kandidat kryesor, deputet dhe figurë publike që identifikohej me subjektin.
Prandaj, trashëgimia e Riza Halimit nuk duhet të matet vetëm me pyetjen: sa gjatë qëndroi në krye? Pyetja më e rëndësishme është: Çfarë institucionesh, parimesh dhe gjenerate politike la pas? Kjo është pyetja që historia do t’ia bëjë çdo lideri të gjatë.
Riza Halimi dhe dimensioni kombëtar
Është e vështirë të kuptohet historia politike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në tri dekadat e fundit pa përmendur Riza Halimin. Ai ishte kryetar partie, kryetar komune, deputet në Beograd dhe negociator politik. Por mbi të gjitha, për një periudhë të gjatë ai u perceptua si një prej figurave kryesore përfaqësuese të shqiptarëve të Luginës.
Kjo pozitë nuk erdhi vetëm nga një funksion. Ajo u ndërtua gradualisht. U ndërtua nga reputacioni i fituar në arsim. Nga përballja me pushtetin në vitet e diferencimit politik. Nga përjashtimi nga puna. Nga themelimi i PVD-së. Nga fitoret zgjedhore. Nga drejtimi i komunës. Nga përfaqësimi parlamentar dhe nga përfshirja në zhvillimet politike të një rajoni që për dekada mbeti në kufirin e interesimit të institucioneve qendrore dhe ndërkombëtare.
Prandaj, Riza Halimi mund të cilësohet, pa e ekzagjeruar rolin e tij dhe pa mohuar kontributin e të tjerëve, si një prej personaliteteve që më së shumti e personalizuan politikën institucionale shqiptare të Luginës së Preshevës në periudhën e pluralizmit.
Në pamje të parë, mund të duket se ekzistojnë dy Riza Halima: profesori dhe politikani. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me të njëjtin person dhe me të njëjtën vijë jetësore. Profesori i fizikës nuk u zhduk kur u bë politikan! Përvoja e tij si mësimdhënës ndikoi në mënyrën se si e kuptonte shoqërinë. Përvoja si drejtor e mësoi me institucionin. Përvoja e përjashtimit nga puna e mësoi me mekanizmat e pushtetit. Përvoja e rezistencës e mësoi me organizimin.
PVD-ja i dha atij instrumentin politik. Komuna i dha përgjegjësinë institucionale. Parlamenti i Serbisë i dha tribunën shtetërore. Kështu, historia e Riza Halimit është në një masë të konsiderueshme edhe histori e kalimit të një pjese të elitës shqiptare nga rezistenca intelektuale në përfaqësimin politik institucional. Dhe kjo është ndoshta arsyeja kryesore pse figura e tij vazhdon të ketë peshë në kujtesën politike të Luginës.
Riza Halimi ka pasur mbështetës, kundërshtarë, admirues dhe kritikë. Ka pasur vendime që janë vlerësuar dhe vendime që janë kontestuar. Kjo është normale në jetën politike. Por ajo që nuk mund të mohohet është kohëzgjatja dhe pesha e rolit të tij. Për gati tri dekada, emri Riza Halimi ishte i pranishëm në pothuajse çdo debat të madh politik që lidhej me shqiptarët e Preshevës dhe me Luginën. Ai u bë një pikë referimi.
Riza Halimi ishte figurë e rëndësishme e politikës shqiptare të Luginës. Kjo është pikërisht ajo që e bën të nevojshme një trajtim monografik të figurës së tij.
Përfundim
Historia e Riza Halimit nuk është thjesht historia e një politikani. Është historia e një profesori të fizikës që u përball me pushtetin në një institucion arsimor. Është historia e një drejtori që u përpoq të mbronte dinjitetin e shkollës. Është historia e njërit prej 11 profesorëve të larguar nga puna në vitin 1989. Është historia e themeluesit dhe kryetarit të parë të PVD-së. Është historia e një kryetari komune që drejtoi Preshevën në disa nga periudhat më të vështira të saj. Është historia e një deputeti shqiptar në Beograd. Dhe, mbi të gjitha, është historia e një figure që për një periudhë të gjatë u identifikua me përfaqësimin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Nga Gjimnazi “Skënderbeu” te PVD-ja, nga Presheva te Beogradi, rrugëtimi i tij është një vijë që lidh arsimin me politikën, rezistencën me institucionin dhe individin me epokën.
Kjo është arsyeja pse titulli “Riza Halimi dhe personalizimi i një epoke” nuk duhet kuptuar si glorifikim i individit. Përkundrazi, ai duhet kuptuar si një përpjekje për të shpjeguar një fenomen historik: si një personalitet mund të bëhet bartës, përfaqësues dhe simbol i aspiratave politike të një komuniteti për një periudhë të gjatë historike.
Riza Halimi nuk e bëri i vetëm historinë e shqiptarëve të Luginës. Pas tij qëndron një brez profesorësh, intelektualësh, veprimtarësh, familjesh, votuesish dhe qytetarësh që kontribuuan në forma të ndryshme. Historia e 11 profesorëve, për shembull, është histori kolektive dhe nuk duhet reduktuar në një individ. Dokumentimi i tyre nga burime të të drejtave të njeriut e bën të qartë këtë dimension kolektiv.
Por në këtë histori kolektive, Riza Halimi zë një vend të veçantë: Ai ishte në fillim të rezistencës, në themelimin e pluralizmit politik, në drejtimin e institucioneve lokale, në parlamentin e Serbisë dhe për shumë vite ishte një nga zërat kryesorë të shqiptarëve të Luginës.
Prandaj, kur sot shikohet pas në tri dekada të historisë politike të Preshevës, mund të thuhet se Riza Halimi përfaqëson një prej kapitujve më karakteristikë të kalimit të shqiptarëve të Luginës nga rezistenca spontane te organizimi politik dhe nga organizimi politik te përfaqësimi institucional.
Nëse Gjimnazi “Skënderbeu” ishte vendi ku u provua qëndrueshmëria e tij, PVD-ja ishte instrumenti përmes të cilit ai hyri në histori politike, ndërsa institucionet komunale dhe parlamentare ishin skena ku ai e ushtroi përfaqësimin.
Kjo është trashëgimia e tij më e madhe, dhe kjo është arsyeja pse Riza Halimi nuk duhet të kujtohet vetëm si një emër i së kaluarës politike të Preshevës. Ai duhet studiuar si një figurë përmes së cilës mund të kuptohet një pjesë e rëndësishme e historisë politike, arsimore dhe kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në fundin e shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI.
Prishtinë, 21 gusht 2026
