Kamenicë: Nënkryetarja Bajralija pret në takim përfaqësuesit e Swisscontact për fuqizimin ekonomik të grave
Nënkryetarja e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija, së bashku me zëdhënësen e Komunës, Lidiona Marovca, kanë pritur në takim përfaqësuesit e organizatës Swisscontact: Florije Kryeziu, Mirishahe Syla, Lulzim Krasniqi dhe Blerina Batusha-Xërxa.
Takimi u zhvillua në kuadër të fazës fillestare të projektit “Përfshirja e Grave për Rritje dhe Qëndrueshmëri” (Women’s Inclusion for Growth and Sustainability – WINGS), projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Gjatë takimit u diskutuan sfidat dhe mundësitë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, si dhe rëndësia e politikave dhe iniciativave që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të barabarta për gratë dhe vajzat.

Nënkryetarja Bajralija prezantoi angazhimin e Komunës së Kamenicës në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përfshirjes së grave në jetën ekonomike e shoqërore, duke theksuar se fuqizimi i tyre është një faktor i rëndësishëm për progresin e komunitetit.

Përfaqësuesit e Swisscontact vlerësuan gatishmërinë e Komunës së Kamenicës për bashkëpunim dhe theksuan rolin e institucioneve lokale në krijimin e politikave dhe masave që nxisin punësimin dhe zhvillimin ekonomik të grave.

Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës ku gratë dhe vajzat kanë mundësi të barabarta për zhvillim, punësim dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri.
