“ROGANA 2026” THYEN REKORDIN – 5 MIJË EURO TË BUTA PËR KAMPIONIN!
Ka nisur zyrtarisht paraqitja e ekipeve për edicionin “Rogana 2026”, turneun tradicional të futbollit të vogël që organizohet çdo vit në nderim të dëshmorëve Emin dhe Selver Kryeziu.
Organizatorët kanë bërë të ditur se këtë vit turneu vjen me një rekord të ri të fondit të shpërblimeve, pasi ekipi fitues do të shpërblehet me 5.000 euro, shuma më e madhe në historinë e këtij organizimi.
Edhe në këtë edicion, garat do të zhvillohen me sistem pikësh, ndërsa organizatorët ftojnë të gjitha ekipet që të paraqiten me kohë dhe të bëhen pjesë e një prej turneve më të mëdha dhe më të ndjekura të futbollit të vogël në Kosovë.
Turneu “Rogana” është shndërruar ndër vite në një ngjarje tradicionale sportive, duke mbledhur ekipe nga mbarë Kosova dhe diaspora. Edicioni i kaluar u karakterizua nga pjesëmarrje e madhe e ekipeve dhe mijëra shikues gjatë gjithë turneut, ndërsa finalja u zhvillua në një atmosferë spektakolare.
Ky turne organizohet që nga viti 2003 (me një ndërprerje gjatë pandemisë) dhe është bërë simbol i sportit, respektit për dëshmorët dhe bashkimit të komunitetit, duke tërhequr çdo verë lojtarë, sportdashës dhe mërgimtarë nga shumë vende.
Të gjitha informatat rreth paraqitjes së ekipeve, afateve dhe rregullave të garës gjenden në njoftimin zyrtar të organizatorëve.
